Video e disa ‘robotëve’ në metronë e New  York po qarkullon gjerësisht në rrjet. Verifikimi i Faktoje shpjegon se ‘robotët’ janë aktorë të paguar si pjesë e një fushate promocionale për një film.

———————————————–

Një video që duket se tregon disa njerëz të veshur si robotë në metronë e New York është parë mbi 11 mijë herë në Facebook, ndërsa shoqërohet me përshkrimin: “Do na marrin vendet e punës.”

Patjetër, nëse punoni si aktor.

Personat në video janë në fakt aktorë të paguar si pjesë e fushatës së marketingut për filmin amerikan “The Creator”.

Faktoje përdori motorin e kërkimit pamor Google Lens për të gjetur se një skenë e ngjashme me atë të New York ishte parë edhe në Los Angeles, tre muaj më parë.

Në 12 shtator, ‘robotë’ të ngjashëm me ato në videon e mësipërme u shfaqën në një lojë futbolli amerikan. Në kronikën e medias vendase KTLA 5 shpjegohet se këta spektatorë të çuditshëm ishin pjesë e fushatës promocionale për një film të ri të quajtur The Creator.

Një video tjetër nga loja e futbollit tregon se ‘robotët’ kanë veshur kominoshe të stampuara me emrin e filmit që po promovojnë.

E njejta logo mund të dallohet edhe në veshjen e ‘robotëve’ në metronë e New York.

Një zëdhënës nga Disney, kompania që ka në pronësi 20th Century Studios, kompania distributore e filmit The Creator, tha për Reuters se për fushatën promocionale janë përdorur aktorë dhe jo robotë apo inteligjencë aritficiale.