.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitNë fshatrat e Korçës infermierët shërbejnë edhe si mjekë, brezi i pensionistëve rikthehet në shërbim

Në fshatrat e Korçës infermierët shërbejnë edhe si mjekë, brezi i pensionistëve rikthehet në shërbim

DANIELA ZISI

Qindra banorë në bashkitë e Korçës dhe Maliqit përballen me vështirësi për të marrë shërbimin shëndetësor. Në vend të mjekëve, shërbimi në disa fshatra, veçanërisht pas orës 15:00, ofrohet nga infermierët. Në qendrat shëndetësore të njësive administrative, një mjek i shërbimit parësor mbulon 1200-6000 banorë. Kërkesa emergjente për mjekë ka rikthyer në detyrë mjekët pensionistë, të cilët prej muajsh u shërbejnë edhe në shtëpi pacientëve të infektuar me Covid-19. Katër qendra shëndetësore, sipas burimeve zyrtare mbulohen plotësisht nga mjekë në pension, ndërsa 16 të tjerëve u është shtyrë afati i daljes në pension.


Rreth 900 banorëve të fshatit Dërsnik në bashkinë e Korçës, prej më shumë se dy vitesh, u mungon mjeku i familjes. Për vizitat mjekësore, recetat e rimbursueshme dhe shërbime të tjera, banorët duhet të shkojnë në qendrën shëndetësore në fshatin Voskop. Fasada e ambulancës së Dërsnikut duket e re dhe banorët thonë se rikonstruksioni i saj ka disa javë që ka përfunduar. Por gjatë një verifikimi për “Faktoje”, konstatuam se mjediset brenda ndërtesës janë bosh dhe mungesa e pajisjeve e bën jo funksionale si qendër shëndetësore. Derisa kjo të ndodhë, infermieri i fshatit do të vazhdojë të shkojë shtëpi më shtëpi, për t’u shërbyer pacientëve që kanë nevojë, qoftë edhe për të bërë një gjilpërë.

Qendra shëndetësore Dërsnik

Ambjentet e brendshme të qendrës shëndetësore Dërsnik

“Kur kishim mjek, nuk kishim qendër shëndetësore. Tani që qendrën shëndetësore e bënë të re, mungon mjeku”- pohoi Mersin Zakolli, 70 vjeç.

Mersin Zakolli

“Për një recetë na duhet të shkojmë në Voskop. Rruga është me kosto, sepse shkojmë me taksi. Për rastet e urgjencave, e vetmja zgjidhje mbetet spitali i Korçës” – shprehet i moshuari.

Për 80-vjeçarin Muhamer Neli, mungesa e mjekut të familjes është shqetësim që nuk po gjen zgjidhje, megjithë kërkesat e përsëritura të banorëve të Dërsnikut.

“S’ka ku të shkojë më keq se të jesh i sëmurë dhe të mos kesh doktor të të vizitojë. Na kushton më shumë rruga për të shkuar në Voskop sesa rimbursimi i recetës. Nga pamundësia finaciare, në Voskop shkojmë vetëm kur jemi shumë të sëmurë. Si e kanë lënë një fshat të tërë në duart e një infermieri dhe një mamie dhe nuk po sjellin ende një mjek?” – pyet Muhameri, teksa kërkon që mjeku i Voskopit të vijë të paktën një herë në javë edhe në fshatin e tyre.

Muhamer Neli

Prej gjashtë muajsh, edhe banorët e fshatit Goskovë e Poshtme, të bashkisë së Korçës, kanë mbetur pa mjek. Banorët e Goskovës dhe fshatrave të tjerë të njësisë administrative Voskop, marrin shërbim shëndetësor në ambulancën e fshatit Voskop.

Novruz Sejdarasi thotë se mugesa e mjekut prej disa muajsh i ka vënë në vështirësi, sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe që sipas tij, i kanë të nevojshme kontrollet e vazhdueshme mjekësore.

“Mjek nuk kemi as ne dhe as fshatrat e tjera të kësaj njësie. Mjekut që kishim i mbaroi kontrata dhe presim që të sjellin mjek tjetër. Mjeku që mbulon gjithë fshatrat e njësisë sonë është pensionist dhe kryen vizita vetëm në qendrën shëndetësore.”- thotë i moshuari.

Nga ana tjetër, banorët e Goskovës kërkojnë që shërbimi me mjek të mbulohet gjatë 24 orëve, kur në fakt mjeku i familjes punon deri në orën 15:00.

Vladimir Petro është mjeku i vetëm që u shërben mbi 7 mijë banorëve të njësisë administrative Voskop. Një vit pas daljes në pension ai u rikthye në qendrën shëndetësore, ku shërbeu për gati tre dekada. Petro ishte një ndër 20 mjekët në moshë pensioni, që iu përgjigjën thirrjes për të vijuar shërbimin në kushtet e mungesës së mjekëve të familjes.

Qendra shëndetësore e fshatit Voskop

“Të gjithë fshatrat e kësaj njësie, që përfshin Dërsnikun, Polenën, Goskovën e Poshtme, Goskovën e Sipërme, Voskopin dhe Vinçanin, i mbuloj unë”- pohoi Vladimiri. Edhe pse pensionist, atij i duhet të përballojë një numër të madh vizitash, që disa vite më parë mbuloheshin nga tre mjekë. Pavarësisht nevojave të banorëve për vizita në shtëpi, mjeku thotë:

“E kam të pamundur të lëviz në të gjithë zonën. Të sëmurët kronikë i konsultoj në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet telefonit.”

Pandemia ka prekur pak zonën që Vladimiri mbulon me shërbim, por ai tregohet i gatshëm të vijojë punën edhe në rast se situata rëndohet.

“Do t’ju shërbej të sëmurëve derisa të kem shëndet, thotë mjeku, i cili pret të rinovojë kontratën edhe për gjashtë muaj të tjerë”.

Veç mungesës në personel mjekësor, Petro ngre si shqetësim kushtet e papërshtatshme të kioskës, që shërben si qendër shëndetësore prej vitit 1995.

Bashkia e Korçës ka 11 qendra shëndetësore, të cilat sipas drejtorit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Mikel Llogori, mbulohen nga mjeku i familjes. Por ky mbulim, sipas tij, bëhet nga një numër i kufizuar mjekësh, të cilëve praktikisht iu duhet t’i shërbejnë shumë më tepër banorëve se norma që ka sot Shqipëria.

“Qendrave shëndetësore të bashkisë së Korçës sot i mungojnë 14 mjekë familjeje, ngarkesa e të cilëve përballohet nga mjekët e tjerë të qendrave, mes tyre edhe mjekët pensionistë.”- pohon Llogori.

Prej gati një dekade, shërbimi shëndetësor gjatë orëve të pasdites dhe natës për 65 mijë banorët e bashkisë së Maliqit mbulohet nga infermierë dhe jo nga mjekë. Në qendrën shëndetësore të qytetit të Maliqit aktualisht punojnë dy mjeke, të cilat janë në shërbim deri në orën 15:00. Pas këtij orari, rastet urgjente mbulohen nga stafi i infermierëve, ndërsa të sëmurët në gjendje të rëndë dërgohen në spitalin rajonal të Korçës.

Qendra shëndetësore Maliq

Marjeta Z. nga Maliqi ankohet se orari i shërbimit të mjekut të familjes është shumë i reduktuar.

“Doktoreshat punojnë deri në drekë, por ne kemi nevojë që mjeku të na shërbejë edhe gjatë orëve të mbrëmjes.”- thotë Marjeta për “Faktoje”.

Një tjetër banor i Maliqit, që ka ardhur në qendrën shëndetësore për recetën e rimbursueshme, ankohet se ambulanca nuk ofron shërbime të specialiteteve, por vetëm shërbimin e mjekut të familjes. 65-vjeçari pohon se urgjencat shëndetësore gjatë pasdites dhe mbrëmjes u lihen në dorë infermierëve, pasi shërbimi me mjek nuk mbulohet gjatë 24 orëve.

Mjekja Ina Malësia, që kryen edhe funksionin e drejtores së qendrës shëndetësore pohon se aktualisht shërbimi shëndetësor në qytetin e Maliqit mbulohet nga dy mjekë.

“Duhet të jenë tre mjekë, por në fakt jemi dy. Ne u shërbejmë mbi 8 mijë banorëve të Maliqit. Shërbimi me mjek mbulohet deri në orën 15:00 dhe pas kësaj ore, rastet urgjente trajtohen nga infermierët. Qendra jonë ka 22 infermierë.”- pohon drejtorja e qendrës, e cila shton, se pavarësisht orarit të shërbimit, mjekët i ndjekin pacientët kronikë nëpërmjet konsultave dhe këshillave nga telefoni.

Shqetësimit të banorëve të Maliqit, për mungesën e mjekëve, kryebashkiaku Gëzim Topçiu i është përgjigjur duke iu drejtuar me kërkesa të herëpashershme Ministrisë së Shëndetësisë për plotësim të personelit.

“Kam kërkuar që qendra shëndetësore e Maliqit të funksionojë 24 orë, pa ndërpreje për qytetarët, dhe të shtohet numri i mjekëve. Kjo situatë vë në vështirësi sidomos banorët e zonave të thella, të cilëve në dimër iu duhen disa orë për të arritur në spitalin e Korçës. Kjo është arsyeja kryesore pse po këmbëngul në kërkesën, që qendra shëndetësore e Maliqit të funksionjë me shërbim mjekësor gjatë 24 orëve”-përfundon kryebashkiaku i Maliqit.

Të shtatë qendrat shëndetësore të kësaj bashkie kanë mjekë familjeje, por numri i tyre është i pamjaftueshëm për të mbuluar komunitetin, sipas drejtorit të NJVKSH Mikel Llogori.

“Ne kemi nevojë edhe për 12 mjekë të tjerë në bashkinë e Maliqit, por ashtu si edhe në Korçë, po përballemi me vështirësinë e afrimit të mjekëve të rinj.”- thotë Llogori. Ai pohon se mungesat e mjekëve të familjes janë produkt i largimit të mjekëve për shkak të mbushjes së moshës së pensionit dhe nga ana tjetër, refuzimi i mjekëve të rinj për të shërbyer, sidomos në zonat rurale.

“Ndikim në zbrazjen e sistemit ka pasur ndër vite edhe emigracioni.”- thotë Llogori për “Faktoje”.

Mungesë mjekësh konstatuam edhe në njësinë administrative Pirg të Bashkisë Maliq. Shërbimi shëndetësor për 10 mijë banorët e kësaj zone, mbulohet nga dy mjekë, nga katër që duhet të jenë.

Qendra shëndetësore Pirg

Dy nga dhjetë qendrat shëndetësore të kësaj njësie kanë mjek familjeje, ndërsa për dy të tjerat shërbimi ofrohet nga infermierët.

Feruze T. nga fshati Leminot, ka ardhur në qendrën shëndetësore të Pirgut për të marrë recetën e rimbursueshme.

“Në Leminot nuk kemi doktor, por edhe në qendrën shëndetësore të Pirgut mjeken mund ta gjejmë deri në orën 15:00″- thotë për “Faktoje” 62-vjeçarja.

“Kemi nevojë për mjek gjatë 24 orëve. E kemi shumë të vështirë, sidomos me rastet e urgjencave. Doktorin s’kemi ku ta gjejmë dhe detyrohemi të shkojmë në spitalin e Korçës. Por ka raste kur çdo sekondë vonesë mund të kushtojë edhe jetën e të sëmurit!”- thotë i shqetësuar Arti Hoxhaj.

Arti Hoxhaj

Drejtorja e qendrës shëndetësore të Pirgut, Suela Gjata pohon se e gjithë zona mbulohet me shërbim prej saj dhe një mjeku tjetër pensionist.

“Mugesa e personelit mjekësor na ka shtuar ngarkesën, por jemi të dedikuar për t’iu shërbyer të sëmurëve.”- thotë Gjata. Mjekja sqaron se veç vizitave që kryen në qendrën shëndetësore të Pirgut, i duhet të mbulojë edhe 5 fshatra të tjerë të zonës, ku shkon në varësi të problematikës së pacientëve.

Deri tani Pirgu nuk ka të regjistruar zyrtarisht asnjë rast të prekur nga Covid-19, por mjekja thotë se janë në pritje të përgjigjes së testeve për dhjetë persona të dyshuar, në fshatrat që ajo mbulon me shërbim.

Edhe në njësinë administrative Libonik, konstatuam gjatë vëzhgimit mungesë të mjekëve të familjes, ndërsa 11 fshatrat e kësaj njësie llogaritet të kenë rreth 12.500 banorë. Ky komunitet mbulohet me shërbim shëndetësor nga dy mjeke, njëra prej të cilave, pensioniste.

Qendra shëndetësore Libonik

“Duhet të jemi të paktën katër mjekë, por jemi dy. Një mjeke iku para gjashtë muajsh për specializim dhe nuk do të kthehet më. Mjeket shërbejnë në qendrën shëndetësore deri në orën 15:00 dhe më pas shërbimi mbulohet nga stafi i infermierëve. Për rastet urgjente, të sëmurët kërkojnë ndihmë në spitalin e Korçës.”- thotë drejtorja e qendrës shëndetësore, Juliana Zere.

“Edhe pse kemi mungesë personeli, jemi munduar të mbulojmë të gjithë njësinë me shërbim, duke shkuar në çdo fshat, sipas një grafiku të përcaktuar”-tregon ajo për “Faktoje”.

Situata e krijuar nga pandemia dhe rastet e shumta të personave të infektuar e kanë rritur ngarkesën e punës për mjekët e familjes së kësaj zone.

“Nga marsi deri në nëntor janë prekur nga Covid 80 persona, prej të cilëve sot janë aktivë 15 persona. Të prekurve nga Covid-19, që janë në gjendje kritike, u kemi shërbyer me vizita dy herë në ditë në shtëpi. Për të tjerët, që janë në gjendje të stabilizuar dhe pa simptoma të rënda, kemi proceduar kryesisht nëpërmjet këshillave nga telefoni”- konfirmon Zere.

Problematikë që kërkon zgjidhje prej vitesh për banorët e Maliqit mbetet edhe laboratori i qendrës, ku kryhen vetëm një pjesë e analizave. Për të tjerat, të sëmurët duhet të gjejnë zgjidhje në laboratorë privatë ose në spitalin e Korçës. Mjekja Ina Malësia pohon se laboratori ka kapacitet për të kryer disa prej analizave më të domosdoshme.

Gjatë këtij viti, në sistemin shëndetësor të bashkive të Korçës dhe Maliqit janë shtuar 12 mjekë familje, ndërsa ka edhe mjekë të tjerë pensionistë, që janë të gatshëm të rikthehen në shërbim, siç konfirmojnë burimet zyrtare të Shëndetit Publik Rajonal.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img