BallinaPertejNë çfarë kushtesh japin dije mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Pal Zefi” në Rrushkull

Në çfarë kushtesh japin dije mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Pal Zefi” në Rrushkull

Ina Allkanjari

Premtimet për garantimin e kushteve optimale për mësimdhënie, sidomos në fshatra, nuk janë përmbushur, madje rezultojnë të jenë harruar. Pak ditë para 7 Marsit, festës së Mësuesit, Faktoje bëri një vëzhgim në shkollën 9 vjeçare “Pal Zefi” në Rrushkull, bashkia Durrës. Pamja e mjediseve brenda shkollës dëshmon se mësuesit punojnë në kushte skandaloze, ku mbizotëron lagështira, mungon ngrohja dhe laboratorët. Kjo shkollë me rreth 300 nxënës, ka pranuar edhe 700 të tjerë nga shkolla në rindërtim e fshatit Kullë, përtej kapaciteve dhe në kushte sacrifice.

—————-

Në datë 20 Janar Faktoje bëri një verifikim të deklaratës së kryebashkiakes së Durrësit Emiriana Sako, e cila në shtator 2021 garantoi proces mësimor në kushte komode në shkollën 9 vjeçare “Pal Zefi” në fshatin Rrushkull. Nga komunikimi me prindër dhe mësues të kësaj shkolle rezultoi se ky institucion prej dy vitesh po zhvillon mësim në kushte jo normale.

Pak ditë përpara festës së mësuesit Faktoje shkoi sërish në shkollën “Pal Zefi”, kësaj here për të parë më nga afër kushtet në të cilën zhvillojnë procesin mësimor, mësuesit e kësaj shkolle.

Ofrimi i kushteve dinjitoze për të zhvilluar procesin mësimor në këtë shkollë, duket një synim i largët.

Sapo hyn në ambientet e brendshme të shkollës “Pal Zefi”, vihen re mure të mbuluar nga lagështia, klasa të përmbytura nga rreshjet e shiut, mungesë e sistemit të ngohjes dhe mësues të zhgënjyer e të lodhur nga ky realitet që nuk ndryshon. Qartazi shihet mungesë rikonstruksioni dhe rinovimi për një kohë të gjatë.

Klasë në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

Mësues të kësaj shkolle tregojnë për Faktoje se prej vitesh nuk ka pasur asnjë rikonstruksion dhe kushtet në të cilat duhet të zhvillojnë procesin mësimor janë larg standardeve. Ata theksojnë se i kanë adresuar këto probleme te institucionet përgjegjëse, por ende nuk kanë marrë zgjidhje.

“Ne i kemi treguar që në gusht nevojat që kjo shkollë ka, problematikat që po hasim sidomos me ngrohjen dhe na kanë thënë që objekti arsimor do të bëhet rikonstruksion, por nuk na kanë dhënë asnjë afat dhe nuk kemi informacion kur do të realizohet.

Probleme kemi dhe me tubat dhe kullimin, pasi në momentin kur ka reshje, uji futet në disa klasa. Më problematike janë katër klasa. Gjithashtu shkolla ka lagështi që na ndikon në shëndet, ne dhe nxënësve”- tregojnë për Faktoje mësues të shkollës 9-vjeçare.

Klasë në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

Më tej mësuesit shprehen se duke qenë se shkolla nuk ka një sistem ngrohjeje, kanë siguruar disa ngrohëse për klasat fillore. Klasat të cilat përmbyten nga reshjet e shiut shpesh shfaqin rrezikshmëri për jetën e mësuesve dhe të nxënësve, për shkak të amortizimit të prizave dhe kabujve elektrikë.

Klasë në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

Klasë në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

“Nuk kemi sistem ngrohjeje në shkollë. Kemi marrë vetë disa ngrohëse të paktën për klasat fillore. Konkretisht kemi sjellë rezistenca dhe disa soba druri që janë për kopshtet dhe disa klasa fillore. Shteti na sjell drurin për sobat. Edhe sikur të duam të sjellim vetë më shumë ngrohëse për mësuesit dhe nxënësit nuk mundemi pasi nuk mban linja elektrike, nga mbingarkesa. Nëse do bëhet një rikonstruksion i shkollës mund të zgjidhet kjo situatë”- shprehet një tjetër mësues i cili nuk pranon të identifikohet.

Klasë në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

Klasë në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

Përdorimi i sobave me dru në disa prej klasave fillore shpesh është i pamundur, sepse siç tregon mësuesja e një prej tyre, tymi shpesh futet brenda në klasë duke krijuar probleme me frymëmarrjen dhe shikimin.

Klasë në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

Një tjetër problematikë që vështirëson procesin e mësimdhënies lidhet me mungesën e laboratorëve në shkollë.

“Laboratorët kanë nevojë për rinovim të menjëhershëm. Kompjuterat e informatikës kanë mbi 15 vite që i kemi marrë, që në vitin 2007. Në këtë sallë kompjuterash vetëm njëri funksionon. Ne jemi përpjekur t’i ruajmë, por për shkak të viteve është e pamundur, kemi nevojë për kompjutera të rinj”- u shpreh një prej mësuesve.

Salla e informatikës në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

“Tualetet janë funksionale dhe ujë ka, por janë realisht shumë të vjetra dhe kanë nevojë që të ndryshohen si për higjienën e fëmijëve ashtu edhe të mësuesve. Në këtë shkollë nuk është bërë asnjë rinovim deri tani. Përpara se të niste ky vit shkollor, shteti na mundësoi 1200 m2 lyerje. Kjo nuk mjaftonte as për të lyer 5 klasa, ndaj me buxhetin e ofruar lyem fasadën e shkollës, kurse nga brenda shkollës, klasat i kemi lyer vetë jo me fondet e shtetit”- tregon një prej mësuesve për Faktoje.

Tualet në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, foto datë 05.03.2022

Nisur nga problemet e evidentuara në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi”, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Durrës për të mësuar nëse kanë dijeni për kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor në këtë objekt arsimor dhe kur planifikohet një rikonstruksion i plotë. Ende jemi në pritje të një përgjigjeje nga dy institucionet.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit datë 07.03.2022

Në një përgjigje të ardhur më herët nga Ministria e Arsimit, në datë 31 Janar, ky institucion konfirmoi mungesën e ngrohjes në shkollën “Pal Zefi” dhe nevojën për një rikonstruksion të plotë, por nuk dha asnjë detaj se kur mund të realizohet rikonstruksioni.

Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Arsimit datë 31.01.2022

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img