Partia Socialsite dhe Partia Demokratike miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor që sipas tyre hap listat në masën 2/3-tat. Por kjo hapje, sipas llogarive bazuar në rezultatin e zgjedhjeve 2021, tregon se më pak se 1/3-ta e deputetëve të parlamentit do dilte nga listat e hapura të partive politike. Kjo formule e re sipas ekspertëve tregon se partitë politike nuk i duan listat e hapura dhe zgjedhjen e deputetëve përmes votës së qytetarëve.
Jona Plumbi
“Është koha për lista të hapura. Le t’u hapim portën listave të hapura dhe demokracisë më të mirë dhe më të fortë në shqipëri. Qytetarët duan lista të hapura dhe Partia Socialsite do atë që duan qytetarët.”
Kështu njoftonte spoti i publikuar nga kryeministri Rama në muajin Korrik 2020 kur socialistët njoftonin se do të angazhoheshin për të mundësuar që qytetarët shqiptarë të zgjidhnin drejtpërdrejt përmes votës së tyre parapëlqyese se cili nga kandidatët që garon për deputet do të merrte mandatin.
Por sipas ekspertëve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dakordësuara mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike tregojnë se në fakt asnjë nga partitë politike nuk i do listat e hapura.
Çfarë parashikojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Sipas dakordësisë së dy partive të mëdha në vend, PS dhe PD, në vitin 2025 në zgjedhje paralmentare 1/3-ta e listës së kandidatëve për deputetë do të jetë e mbyllur dhe 2/3-tat do të jenë të hapura.
Partitë garuese në zgjedhje do të depozitojnë dy lista për çdo qark të Shqipërisë.
Lista e mbyllur
Në listën e mbyllur kryetari i partisë vendos renditjen e kandidatëve. Kjo listë do ketë 1/3-tat e numrit të mandateve për atë qark. Kandidatët e listës së mbyllur do jenë të parët që do të marrin mandatin e deputetit, sipas numrit të votave që merr partia dhe renditjes që ka vendosur kryetari i partisë.
Për shembull për qarkun Tiranë që prodhon 36 mandate, partitë do propozojnë 12 emra kandidatësh në listën e mbyllur. Ata do e marrin mandatin e deputetit duke llogaritur votat e mbledhura nga partia që i ka propozuar. Qytetarët nuk do kenë mundësi të japin votë parapëlqyese për këta kandidatë.
Lista e hapur
Lista e dytë – ajo e hapur ndaj votimit individual të kandidatëve – do të përmbajë në numër aq kandidatë sa ka mandate secila zonë zgjedhore. Duke marrë përsëri rastin e Tiranës, partitë politike do të propozojnë, përveç 12 emrave të listës së mbyllur, edhe 36 emra të tjerë në listën e hapur.
Kjo listë lejon qytetarët të votojnë për deputetin që preferojnë dhe mandatet do shpërndahen bazuar në numrin e votave që secili kandidat merr.
Si do funksionojë shpërndarja e mandateve
Fillimisht do të llogariten votat e marra nga partitë politike për secilin qark. Bazuar në numrin total të mandateve që ka siguruar partia politike, të parët që do të marrin mandatet do jenë kandidatët e listës së mbyllur. Pasi shterohet kjo listë, mandatet e mbetura i shperndahen kandidatëve që kanë siguruar më shumë vota individuale nga lsita e hapur.
Për të ilustruar shpërndarjen e mandateve do marrim si shembull rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Partia Socialiste në vitin 2021 arriti të sigurojë vota sa për 18 mandate deputetësh në Tiranë. Në këtë rast, sipas formulës së re të shpërndarjes së mandateve, 12 deputetët e parë do të dilnin nga lista e mbyllur. Gjashtë mandatet e tjera do të shpërndaheshin tek deputetët që kandiduan tek lista e hapur dhe që kanë mbledhur më shumë vota parapëlqyese nga qytetarët.
Çfarë thonë ekspertët
Afrim Krasniqi thekson për Faktoje se parashikimi Kushtetues dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që kërkoi zbatimin e tij pas shfuqizimit të formulës së përdorur në vitin 2021 për shpërndarjen e mandateve, kërkonte tjetër gjë nga ajo çfarë politika dakordësoi edhe këtë vit.
“Koncepti i Gjykatës Kushtetuese që 2/3-tat e listës duhet të jenë të hapura nuk lidhet me tërësinë e listës por me konceptin e përfaqësimit. Kjo do të thotë se duhet të ishin të hapura 2/3-tat e pjesës që mund të fitojë në zgjedhje, dhe jo në tërësi të listave të kandidatëve.” – shpjegon Krasniqi.
Në fakt, nëse përdorim rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare për të kuptuar sa përqind e parlamentit do të dilte nga lsita e hapur nëse zbatohej formula e dakordësuar nga PS dhe PD, rezulton se sot do ishin 100 deputetë të dalë nga listat e mbyllura dhe vetëm 40 deputetë të dalë nga listat e hapura.
QARKU | NUMRI I MANDATEVE | NGA LSITA E MBYLLUR | NGA LSITA E HAPUR |
TIRANË | 36 | 27 | 9 |
BERATI | 7 | 4 | 3 |
DIBËR | 5 | 4 | 1 |
DURRËS | 14 | 10 | 4 |
ELBASAN | 14 | 10 | 4 |
FIER | 16 | 11 | 5 |
GJIROKASTËR | 4 | 2 | 2 |
KORÇË | 11 | 8 | 3 |
KUKËS | 3 | 2 | 1 |
LEZHË | 7 | 4 | 3 |
SHKODËR | 11 | 10 | 1 |
VLORË | 12 | 8 | 4 |
TOTAL | 140 | 100 | 40 |
Thënë ndryshe, më pak se 1/3-ta e deputetëve të parlamentit do dilnin nga lista e mbyllur.
Ndërkohë Krasniqi shpjegon se ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar këtë të enjte tregon se praktikisht më shumë se 2/3-tat e listës është e mbyllur sepse vetëm vendet e para (ato që dalin nga lista e mbyllur) fitojnë mandate.
“Pjesa e listës që nuk fiton mandate konsiderohet nga politika e hapur, gjë që nuk sjell praktikisht një konkurencë dhe ka devijim të dukshëm nga koncepti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.” – vlerëson Krasniqi.
Kristaq Kume, konstitucionalist dhe ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha për Faktoje se vetë ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 treguan që në krye të herës se asnjë nga partitë politike nuk e donte hapjen 100% të listave
“Votimi me lista të hapura u vendos në Kushtetutë që të ishte jo më pak se 2/3-tat. Që në fillim për mua kjo tregonte se do përdorej nga partitë politike për të mos i hapur listat 100%.” – shpjegon Kume.
Dhe në fakt kështu ndodhi.
Arsyeja pas hezitimit të partive politike për hapjen e listave sipas tij është ruajtja e pushtetit nga udhëheqësit dhe mos lejimi i shpërndarjes së mandateve bazuar tek vota e qytetarëve.
“Unë këtë e lexoj si shfaqje dhe e gjitha e bërë në funksion të interesit personal të udhëheqësit të partisë që në këtë mënyrë ruan fuqinë që ka për të qënë faktori kryesor në përcaktimin e atyre që do jenë nesër deputetë të partisë përkatëse por edhe lidershipit të partisë të cilët kanë mundësi të vendosen në vendet e para të listës.” – Kristaq Kume.
Sipas Afrim Krasniqit ky kompromis mes dy partive të mëdha PS dhe PD është një nga më negativët në aspektin e cilësisë së demokracisë dhe standardit që duhet të kishte Shqipëria.
“Sistemi i ri pengon prurjet e reja politike, pengon konkurrencën dhe tek lista e kandidatëve që do të jenë tek lista e hapur do jenë ose kritikët e partisë ose individë që paguajnë për fushata elektorale, që do të thotë individë që luftojnë për të siguruar vota në mënyrë informale duke dëmtuar më shumë integritetin e procesit zgjedhor.” – argumenton Kransiqi.
Lista e kandidatëve për deputetë do duhej të ishte 100% e ahpur në këndvështrimin e Kristaq Kumes që thekson se kjo formule tregon se asnjë nga partitë politike nuk e dëshiron hapjen e listave.
“Lista duhet të ishte 100% e hapur. Mundësia për të votuar për secilin nga kandidatët do të thotë lsitë 100% e hapur. Gjithashtu shpërndarja e mandateve midis kandidatrëve të listës duhet të bëhet sipas rirenditjes së tyre bazuar në numrin e votave parapëlqyese që fitonte secili kandidat”. – Kristaq Kume.
Nisur nga ndryshimet e miratuara të Kodit Zgjedhor dhe vlerësimit të ekspertëve, premtimin e kryeministrit Rama se Partia Socialsite do të mundësojë listat e hapura do e kategorizojmë si të pambajtur.