BallinaPertejNdotje me koncesion 30-vjeçar për banorët e Vidhasit dhe Balldrenit në Elbasan

Ndotje me koncesion 30-vjeçar për banorët e Vidhasit dhe Balldrenit në Elbasan

Një koncesion me afat 30 vjeçar për përpunimin e naftës bruto është bërë shak që rreth 1900 banorë të fshtarave Vidhas dhe Balldren në zonën e ish-Metalurgjikut në njësinë administrative Papër në Elbasan, të vuajnë nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit dhe ujit. Megjithëse problemi pranohet edhe nga institucionet shtetërore, përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje kanë mbetur në vendnumëro.


Ndotja më e madhe ndodh natën. Gjatë ditës punojnë me filtra dhe ulet niveli i gazrave. Natën, duke qenë se shumica e banorëve janë në gjumë, ata heqin filtrat e pajisjeve industriale me qëllim që të reduktojnë kostot e tyre e kështu kur çohemi në mëngjes, ndihet gjithandej era e rëndë. Të zgjohesh një ditë në shtëpinë time e kupton më mire se çfarë po përpiqem të them. Përveç ajrit edhe ujin e kemi të ndotur. Nuk pihet uji i pusit sepse vjen erë naftë – i tha “Faktojes”, Ilirjan Xhakoj, banor i fshatit Vidhas.

Fshati Vidhas, Njësia Administrative Papër, Elbasan

Është e kotë. Nuk na dëgjon njeri. Leje për të dëgjuar, por as nuk na pyet askush. U gdhimë mes tymit, e më pas morëm vesh se një kompani kishte nisur të përpunonte naftën. Provuam të shkonim në Bashki, protestuam, bllokuam rrugë, po në fund asgjë nuk fituam – i tha “Faktojes”, Gëzim Mali, banor i fshatit Balldren në njësinë administrative Papër.

Fshati Balldren, Njësia Administrative Papër, Elbasan

Ndotje koncesionare me afat 30-vjeçar!

Pasi kishte nisur të ndërtohej që në vitin 2014, rafineria e përpunimit të naftës bruto e menaxhuar nga kompania “RBH Beline”, në vitin 2016 fitoi lejen koncesionare për 30 vjet, të vendosur nga Këshilli i Ministrave dhe miratuar nga kryeministri Edi Rama.

VKM për dhënien e koncesionit me afat 30 vite ndaj kompanisë “RBH Beline”

Pas “licencimit”, Qeveria jep alarmin për ndotjen!

Thuajse 3 vjet pas miratimit të VKM për dhënien e koncesionit për përpunimin e naftës, vetë qeveria, përmes planit kombëtar për menaxhimin e cilësisë së ajrit ngre alarmin për ndotjen në zonat e përpunimit të naftës.

Shkarkimet nga automjetet (PM₁₀) së bashku me burimet e ndotjes industriale, bashkia ka dy impiante ACR (prodhimi i Ferro-kromit) dhe Kurum (Prodhimin e çelikut), të cilat janë të klasifikuara për shkarkimet në atmosferë, si burime pikësore të shkarkimeve), kontribuojnë fuqishëm në ndotjen e ajrit, duke shkaktuar probleme të frymëmarrjes, në veçanti te fëmijët e vegjël dhe të moshuarit – thuhet në këtë raport.

Plani Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit 2019

Në fshatrat Vidhas dhe Balldren ku operojnë kompanitë e përpunimit të naftës, sipas banorëve rezultojnë të punësuar jo më shumë se 30 vetë. Nga ana tjetër, shifrat e publikuara nga INSTAT tregojnë për një vdekshmëri të lartë për shkak të ndotjes në komunitet.

Niveli i vdekshmërisë në qarke 2018, burimi: INSTAT

Në raportin e INSTAT për shkaqet e vdekjeve gjatë vitit 2018, rezulton se 25 për qind e vdekjeve në Elbasan janë me shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë, duke ngritur dhe më shumë dyshimet se shumë prej tyre lidhen dhe me ndotjen e këtij qarku. Kjo dhe për faktin se në raportet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Elbasani mbetet një ndër qytetet më të ndotura në vend, bashkë me Tiranën dhe Fierin, duke formuar një trinom për nivelin e lartë të ndotjes.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img