Ben Andoni

Shtyrja e vazhdueshme e afateve të përgjigjeve për Censusin 2023 e ka shqetësuar shumë mjedisin shqiptar për rezultatet. Opozita ka ngritur akuza deri për shifra të manipuluara, kurse minoritetet dhe komunitetet fetare janë shqetësuar për stratigrafinë e re të komuniteteve respektive. Më në fund, INSTAT-i bëri publike të dhënat e Censusit 2023 më 28 qershor: tashmë Shqipëria kishte 2.4 milion banorë ose rreth 400 mijë banorë më pak se në vitin 2011. 

Rezultatet ishin të hidhura në të gjitha shtresëzimet. Për hir të së vërtetës, Censi i 2023-shit prodhoi të dhëna “interesante” dhe përsa i përket minoriteteve në Shqipëri. Nga shifra e saktë e 2 milionë e 402 mijë e 113 banorëve në vendin tonë, 23 485 p.sh. u deklaruan minoritarë grekë, por me një numër të ulët krahasuar me vitin 2011, kur u deklaruan deri 24.243 syresh (INSTAT, 2024). 

Goditjen më të madhe e ka marrë komuniteti maqedonas, i cili është përgjysmuar. Aktualisht jetojnë 2281 minoritarë maqedonas, ndërkohë që në vitin 2011 ishin deklaruar 5512 banorë syresh. Për herë të parë është llogaritur edhe minoriteti bullgar dhe boshnjak, respektivisht duke na dhënë shifrat 7057 bullgarë dhe 2963 boshnjakë. Ishte pikërisht kjo shifër e lartë e minoritetit bullgar krahasuar me atë maqedonas, e cila ka sjellë akuza për manipulim nga Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE) së të dhënave të Censit dhe jo vetëm kaq. 

Reagimi i komunitetit maqedonas të Shqipërisë ishte i pritur edhe i menjëhershëm. “Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE), si e vetmja parti që përfaqëson interesat e komunitetit maqedonas në Shqipëri, shpreh indinjatën dhe mospranimin e rezultateve të publikuara të Censusit 2023, duke theksuar se shifrat për minoritetin maqedonas janë të manipuluara dhe të falsifikuara. Procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ishte i drejtë dhe transparent dhe, nuk u zbatuan as standardet ndërkombëtare dhe as ato të Eurostat-it”, janë shprehur zyrtarisht ata. 

Nuk ka qëndruar pasive dhe Ministria e Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila shprehu shqetësimin për të dhënat e regjistrimit të kryera në Shqipëri në vitin 2023 për shkak të “publikimit të të dhënave paraprake të cilat, për fat të keq, nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend”. Ministria e Jashtme në Shkup ka shprehur pakënaqësi dhe reagim të fortë edhe për përdorimin e fjalës “Maqedonasit e Veriut“.

Nga ana tjetër, shoqata “Prosperitet Golloborda” është shprehur e ngazëllyer për shifrat. Kryetari i saj Haxhi Pirushi, u shpreh tejet i gëzuar për rezultatet e Censusit 2023: “Organizimi ynë u krijua më 5 Maj të vitit 2000, për ta vërtetuar e mbrojtur gjuhën e trashëguar bullgare. Shteti ynë, ku jetojmë: Kuvendi, Qeveria mori një vendim historik të pa bërë prej askujt më parë, pasi nuk na ishte njohur kjo e drejtë prej vitit 1938, kur pati një njohje por pa u zbatuar”, tha ai për Faktoje.

Anipse, protesta dhe indinjata e komunitetit veri-maqedonas nuk është ndalur. “Në 11 censuset e realizuara në Shqipëri përgjatë 100 viteve, asnjë banor nuk është deklaruar bullgar. Në asnjë raport monitorues të organizatave ndërkombëtare të cilat merren me respektimin e të drejtave të minoriteteve siç është Këshilli i Evropës i cili monitoron zbatimin e Konventës Kuadër për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave Kombëtare nuk është evidentuar ekzistenca e një minoriteti bullgar në Shqipëri. Edhe në Raportin e Parë për të Drejtat e Pakicave Kombëtare të Avokatit të Popullit nga viti 2015 nuk është evidentuar ekzistenca e minoritet bullgar në Shqipëri”, është shprehur kryetari i AMIE Vasil Steriovski për Faktoje.al.

Të pakënaqur me shifrat kanë mbetur edhe dy komunitetet kristiane në vend. Census-2023 ka llogaritur 4 për qind që janë identifikuar si ateistë: 1.1 milionë janë shpallur myslimanë, katolikë janë shpallur 202 mijë, ortodoksë 174 mijë dhe bektashinj 116 mijë. Kisha katolike pasi ka gjykuar për rezultatet, duke theksuar largimin, kuptohet dhe mes anëtarëve të komunitetit, ka pranuar se nuk mund të gjykojnë nëse realisht është ky numri i vërtetë i katolikëve në Shqipëri! Kisha ortodokse ka qenë më direkte dhe e ashpër në qëndrimin e saj duke i quajtur rezultatet e Censit 2023 për numrin e të krishterëve orthodhoksë se nuk pasqyrojnë realitetin.

Ndërsa në rastin e minoritetit grek dhe komuniteteve fetare, shqetësimi i numrave ka qenë i pranishëm por edhe i justifikueshëm, peshën më të madhe të problemit e ka marrë shqetësimi i komunitetit veri-maqedonas ndaj atij bullgar.

Konflikti shqiptar i komuniteteve të afërta etnike nuk është i rastësishëm. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë në mosmarrëveshje të mëdha qysh me ndarjen e kësaj të fundit në ish-Jugosllavi, e cila ndryshe nga republikat e tjera u shkëput pa probleme lufte. Problemet mes tyre kanë rrokur çështjet e identitetit, gjuhës dhe historisë, duke arritur kulmin gjatë tre viteve të fundit në një bllok të vazhdueshëm bullgar për integrimin e Shkupit zyrtar në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë, me një konsensus mes forcave kryesore politike në vitin 2017 miratoi ligjin Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Në kuptimin e këtij ligji, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.

Asokohe kryeministri bullgar Bojko Borisov e cilësoi si një arritje historike për Bullgarinë faktin që Shqipëria njohu minoritetin bullgar në vend: “Pas 104 vitesh Shqipëria e njohu bashkësinë etnike bullgare. Kjo njohje është rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme që diplomacia bullgare ka bërë në mbrojtje të të drejtave të bullgarëve jashtë kufijve të vendit”.

Kryeministri bullgar në postimin e tij, menjëherë pas miratimit, i dedikoi një falënderim të veçantë kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili sipas Borisov mbajti premtimin që të mos shkeleshin interesat e komunitetit bullgar në Shqipëri.

“Megjithëse në projektligjin e depozituar në Parlament nga Ministria për Evropën dhe Punëve të Jashtme parashikohej njohja e tetë pakicave kombëtare ekzistuese (Grekët, Maqedonasit, Vllehët, Serbët, Malazezët, Boshnjakët, Romët dhe Egjiptianët), në momentin e fundit, vendi ynë iu nënshtrua presioneve nga Bullgaria me veton e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me këtë ligj u njoh një pakice jo-ekzistente bullgare në Shqipëri. Atëherë kemi reaguar si minoritet maqedonas se njohja e minoritetit jo-ekzistues bullgar do të thotë gjenocid për minoritetin maqedonas sepse Bullgaria kërkon minoritet në zonat ku jeton minoriteti maqedonas përgjatë kufirit shqiptaro-maqedonas. Në të njëjtën kohë, nënvizuam se Bullgaria do keqpërdorte qenien e saj anëtar e Bashkimit Evropian për të thelluar synimin e mësipërm: Asimilimin e komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe krijimin e një komuniteti bullgar inekzistent”, i është përgjigjur kryetari i AMIE Vasil Steriovski Faktoje.al.

Po, ndërsa pakica maqedonase veriore në Shqipëri ka reaguar ashpër, duket se shteti i Maqedonisë së Veriut ka qenë i kujdesshëm. Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut Apostol Simovski deklaroi se fakti që një pjesë e popullsisë shqiptare u identifikua si bullgare gjatë regjistrimit për shkak të përpjekjeve të konsiderueshme bullgare nuk e konsideroi dështim nga ana e Shqipërisë por ai vuri në dukje se regjistrimi potencialisht mund të përsëritet. “Kudo në botë, në vendet ku mblidhen të dhënat e identitetit etnik, ky informacion duhet të pasqyrojë vullnetin e lirë të personit që e jep atë”, tha Simovski.

Ndërkohë që pakica bullgare e quan si sukses. “Unë e kam filluar punën për këtë problem në vitin 1993. Zyrtarisht në vitin 2000 me vendim gjykate…Kush bën mohimin e identitetit tonë për ne po bën një gabim anti- historik e të pavërtetë, gjë që çon në gjëra të…pavërteta”, i është përgjigjur Haxhi Pirushi nga shoqata “Prosperitet Golloborda” Faktoje.al.

Historia e re e trajtimit të kësaj pakice nis me rrugën bullgare drejt Europës. Lëvizjet e një pjese të minoritarëve, njohur si goranë (por që shqiptarët i identifikonin me pasardhësit e Bogomilëve), për të marrë pasaportat bullgare u intensifikuan shumë pas hyrjes së Bullgarisë së BE. Nëntë fshatrat, që përbëjnë zonën e Gorës në Verilindje të vendit popullohen nga banorë që kanë trashëguar gjuhën sllave të ngjashme me atë maqedonase, e që mendohet se janë ngulur aty mes shekujve XI dhe XIII, kohë kur Bullgaria u përfshi nga lëvizja bogomile-që banorët e shqipërojnë “të dashurit e Zotit”.

E vërteta është se pas viteve ’90, komuniteti u tundua shpesh nga ofertat për nënshtetësi ballkanase. Serbët erdhën qysh në fillim të viteve ‘90 dhe u përpoqën pa sukses ta përgatisin Gorën si minoritet të tyren në Shqipëri. Maqedonasit shkuan më tej duke u premtuar edhe pasaporta goranëve. Por, vetëm bullgarët, ia dolën t’i përfshinin në interesat e tyre. Media shqiptare e trajtoi problemin qysh në vitin 2015, kur fshatrat e Shishtavecit dhe Zapodit u vendosën në fokusin e medias për të ilustruar fluksin e lartë të largimeve nga Shqipëria dhe kërkesave për azil drejt vendeve të BE-së. Realiteti ishte se pasaportat e reja bullgare i ndihmuan shumë banorë, qoftë dhe ata që s’ishin goranë, por që njihnin gjuhën për të nisur një jetë të re në Perëndim, shumë herë më të favorizuar se mijëra shqiptarë që përfunduan në kampet e azilkërkuesve (Ibid). Të mos harrojmë se sot, pasaportat bullgare u mundësojnë qytetarëve të hyjnë pa vizë në 171 shtete.

Duke u kthyer pas në histori, vakumi që la politika bullgare në kohën e komunizmit, shtuar me politikën e ish-Jugosllavisë dhe realiteti i shtetformimit të shtetit të Maqedonisë së Veriut u reflektua me një intensitet të madh pas viteve ’90 me përplasjet e Sofjes dhe Shkupit zyrtar.

“Ligji nuk përcaktonte se ku jeton ky minoritet në Shqipëri, por Bullgaria, duke u mbështetur në këtë ligj, shtriu propagandën e saj në rajonet ku tradicionalisht banon minoriteti maqedonas në Shqipëri: në zonat e Prespës, Gollobordës, Gorës, si dhe në fshatin Vërnik në zonën e Devollit. Pas ‘njohjes’ së minoritetit bullgar, filloi fushata e ashpër e Sofjes për të mohuar dhe asimiluar minoritetin maqedonas në Shqipëri. Bullgari çdo muaj organizonte ekskursione falas për të rinjtë nga zonat e Gorës, Gollobordës, Prespës dhe Vërnikut. Jepte bursa për studime falas në universitetet bullgare, si dhe bursa falas për studime pasuniversitare dhe doktorature. Ambasada Bullgare formonte shoqata, duke financuar projekte të ndryshme në zonat ku tradicionalisht jetojnë Maqedonasit në Shqipëri. Fondacione të ndryshme nga Bullgaria jepni donacione të ndryshme për shkollat, bashkitë, qendrat shëndetësore, sillnin doktora nga Bullgaria për të kryer kontrolle falas në zonat ku jeton minoriteti maqedonas etj.”, shprehet i indinjuar Sterivski i AMIE për Faktoje.al.

“Pas fillimit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri filluan proceset e vetëidentifikimit të pakicës bullgare si bullgarë”, pohon historiani Tashev. Sipas fjalëve të tij bullgarët në Shqipëri kurrë nuk kanë qenë diskriminuar. “Në vitin 1991 aty janë regjistruar organizatat e para të bullgarëve, kurse dy vjet më vonë tek ne vijnë të rinjtë e parë, të cilët dëshirojnë të studiojnë në universitetet bullgare. Atëherë filloi dhe veprimtaria e qëllimshme për njohje zyrtare të minoritetit bullgar në Shqipëri gjë, e cila u realizua në vitin 2017. Sot mësimi i gjuhës letrare bullgare është prioritet për bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, ku janë tri shkolla bullgare të së dielës dhe 700 të rinj kanë mbaruar arsimin e lartë tek ne”.

Tabloja vjen ndryshe nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit maqedonas verior në vend, Steriovski. “Një nga masat për të krijuar një minoritet artificial bullgar në Shqipëri, të cilën Bullgaria e zbatoi, duke përfituar nga situata e dobët ekonomike e minoritetit maqedonas në Shqipëri dhe qytetarëve shqiptarë së bashku, ishte dhënia e pasaportave bullgare për të gjithë qytetarët shqiptarë. Maqedonasit dhe Shqiptarët paguanin mijëra euro të marrin pasaportë bullgare dhe të shkojnë për të punuar në Perëndim, duke përdorur privilegjet e vendeve anëtare të BE-së. Ky është një biznes me vlerë miliona euro, që funksionon jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende jo të BE-së, si Maqedonia, Kosova, Serbia, Ukraina, Moldavia e të tjera. Kjo propagandë bullgare u intensifikua veçanërisht në prag të censusit 2023 në mënyrë që Bullgaria të justifikojë politikën agresive por edhe paratë që i harxhonte me çdo kusht për të nxjerrë një pakicë bullgare në Shqipëri”, i është përgjigjur ai Faktoje. al.

Problemi i shifrave të censusit ka sjellë më shumë probleme mes vetë politikës shqiptare. Znj. Ines Nurja, drejtuese e departamentit të statistikave në Partinë Demokratike ka deklaruar se janë manipuluar të dhënat si me numrin e popullsisë ashtu dhe me atë të banesave. “Sipas INSTAT popullsia në Shqipëri është 2.4 milionë dhe për 12 vjet janë shtuar vetëm 70 mijë banesa. Ky është një mashtrim krye e këput”,  deklaroi ajo në një konferencë për shtyp. Ndërkohë ka sjellë si referencë të dhënat nga EUROSTAT, të cilat sugjerojnë se nga Shqipëria janë larguar mbi 900 mijë banorë vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, shifër që bie ndesh me shifrën popullsisë të nxjerrë nga INSTAT. “E dyta, numri i banesave nuk mund të jetë shtuar vetëm me 70 mijë për 12 vite sepse në një llogaritje të thjeshtë vetëm në Tiranë për 3 muaj Erjon Veliaj ka dhënë 231 mijë metra katrorë për ndërtim”, tha më tej zyrtarja e PD-së.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, nga ana tjetër, është munduar të jetë e qetë dhe ka treguar metodologjinë dhe arsyet e vonesave! Censet kanë ofruar të dhëna të vlefshme për të hartuar politika më të mira në të gjitha fushat, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe zhvillim të qëndrueshëm. “Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 412 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme”. Ndërkohë që ka zbuluar problematikat zyrtare për zhvillimin e këtij Censi që nga tërmeti, të pandemia dhe gjetja e punonjësve në çdo njësi gjeografi të vendit.  

“Aplikuam teknologji dhe ndeshëm sfida në marrjen në informacionin në terren. Kemi punuar me seriozitet. Siguria që të dhënat të jenë të mbrojtura ishte një sfidë. Përdorëm një sistem gjeo-hapsinor të digjitalizuar dhe metodologjitë shin të harmonizuara me standardet”, tha ajo (Ibid).

“Procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ishte i drejtë dhe transparent, dhe nuk u zbatuan standardet ndërkombëtare dhe ato të Eurostatit. Mënyra se si u zhvillua Censusi vitin e kaluar dhe mbledhja e të dhënave mbi përkatësinë etnike është kryer me shkelje te shumta gjatë procesit. Një pjesë të anketuesve sidomos në zonat ku jeton minoriteti maqedonas kanë qenë nën kontroll të Bullgarisë dhe hapur kanë punuar në shkelje të ligjit për regjistrimin e sa më shumë personave si bullgar”, është shprehur Steriovski për Faktoje.al. 

Zyrtarisht ka një lloj mirëkuptimi nga vetë pala veri-maqedonase. Sa i përket thirrjeve për përsëritjen e gjithë operacionit, Simovski thekson se është i mundshëm, por shumë i kushtueshëm dhe se vendimi i takon qeverisë shqiptare, duke theksuar se si shembull kemi përsëritur edhe regjistrimin e popullsisë në vitin 1991. “E dini, këto operacione janë shumë të shtrenjta. Por ajo për të cilën kam besim dhe nuk mund të fajësoj kolegët e mi në Shqipëri, është se sipas rregullave, zgjidhjeve metodologjike dhe të gjitha standardeve, për të cilat jam plotësisht i vetëdijshëm, askush nuk ka ndikuar në të dhënat. Është një deklaratë personale. Nuk mund të detyrosh dikë të deklarojë diçka dhe nuk mund të thuash se më parë nuk ka pasur bullgarë dhe se ata nuk duhet të deklarohen si të tillë”, shtoi Simovski.

Duket sikur pala maqedonase-veriore është pajtuar disi me situatën dhe kritikat kryesore i ka lënë për paraardhësit e tyre në politikë. “Në periudhën e ardhshme, Ministria e Jashtme (Republika e Maqedonisë së Veriut) do të bashkëpunojë intensivisht me përfaqësuesit kompetent të autoriteteve dhe me përfaqësuesit e komunitetit maqedonas në Republikën e Shqipërisë për promovimin e tyre kulturor dhe social në kuadër të shoqërisë shqiptare, e cila, për fat të keq, duhet thënë se është lënë plotësisht e neglizhuar nga formacioni i mëparshëm politik në vendin tonë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Regjistrimi i parë i popullsisë nga shteti i pavarur shqiptar rezulton në vitin 1923 nga qeveria e kryeministrit Noli, ku në vend rezultuan 823 mijë banorë. Që nga kjo në Shqipëri janë bërë gjithsej 11 regjistrime të popullsisë me periodicitet një herë në 10 vite. Një regjistrim tjetër u bë në kohën e mbretit Zog (1930) në bazë të deklarimi i lirë i moshës për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit, ku popullsia e regjistrua rezultoi 833,600 banorë me një shtesë 19,200 banore ose 2.4% më shumë se më 1923. Regjistrimi parë pas luftës u bë nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës në vitin 1945. Regjistrimi u krye kryer në një ditë (“dita me ndalim qarkullimi”), më 30 shtator 1945 dhe popullsia rezultoi me 1.122.000 banore me një rritje 288 mijë banore ose 34.6% më shumë se nga regjistrimi i vitit 1930. Gjatë regjimit Komunist popullsia e Shqipërisë u zgjerua me 183 % ose me rreth 2 milionë banorë. Zgjerimi i shpejtë i popullsisë solli edhe fundin e regjimit komunist, pasi në një ekonomi totalisht të mbyllur burimet e brendshme ishin të pamjaftueshme për një popullsi të re në moshe që po rritej me ritme aq të shpejta.

Censi i radhës ishte programuar për vitin 2020, por fillimisht u shty për shkak të pandemisë, me 2021 për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe këtë vit edhe për arsye të bllokimit të tenderit të tabletave.  Sipas INSTAT, Censi i radhës synonte mbledhja e Numrit Personal të Identifikimit (ID), krijimin e një data bazë me të dhënat historike të Censeve, i aksesueshëm për përdoruesit, prodhimin e treguesve në kuadër të OZhQ,  Ri-inxhinierimin e Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS), mbledhjen e të dhënave përmes tabletave dhe ndërtimin e regjistrave statistikorë të Popullsisë, Ndërtesave dhe Banesave bazuar në të dhënat e Censit.