.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëNdërtimi i shkollave nga donatorët, po ‘shitet’ si arritje e pushtetit vendor në takimet elektorale

Ndërtimi i shkollave nga donatorët, po ‘shitet’ si arritje e pushtetit vendor në takimet elektorale

 

Me nisjen e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidatët po shpallin premtimet dhe arritjet, duke kërkuar të bindin komunitetin që t’u japë votën. E tillë është deklarata e kryetarit të Bashkisë së Vorës, Blerim Shera, gjatë takimit elektoral ku u prezantuan kandidatët e PS-së për Këshillin Bashkiak. Gjatë takimit ai theksoi se gjatë mandatit përfundoi ndërtimin e dy shkollave 9-vjeçare në Vorë dhe Bërxullë. Por këto vepra publike nuk janë ndërtuar nga Bashkia e Vorës, por me financim nga Bashkimi Europian.

Kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera dhe drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj prezantuan më 3 prill kandidatët e Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak në këtë zonë. Gjatë fjalës së mbajtur, zoti Shera renditi një sërë punësh të kryera sipas tij në Bashkinë e Vorës duke bërë edhe disa premtime për mandatin e ardhshëm. Kryebashkiaku i Vorës dhe drejtuesi politik i qarkut Tiranë folën me “krenari” edhe për shkollat e ndërtuara aty.

“Shkollat janë imazhi i ri i qytetit. Përfunduam rindërtimin e shkollës 9-vjeçare Vorë. Përfunduam rindërtimin e shkollës 9-vjeçare Bërxullë”, deklaroi zoti Shera.

Por, kush i ka ndërtuar dy shkollat 9-vjeçare në Vorë dhe në Bërxullë? Në muajin tetor të vitit që lamë pas, Faktoje raportoi se kishin përfunduar punimet për ndërtimin e këtyre shkollave dhe ato ishin hapur për të pritur nxënësit.

Nga verifikimi i bërë në faqen zyrtare të EU4schools rezulton se shkolla 9-vjeçare Vorë nuk është ndërtuar me financim nga Bashkia e Vorës dhe as nga qeveria, por nga Bashkimi Europian nëpërmjet projektit për financimin e shkollave ‘EU4schools’. Objekti është hapur në tetor 2022 dhe ka një kapacitet prej 781 nxënësish.

Shkolla 9-vjeçare Vorë

Gjithashtu, edhe shkolla 9-vjeçare Bërxullë është një financim i Bashkimit Europian, ndonëse kryebashkiaku i Vorës e “shet” në prag të zgjedhjeve si një arritje e institucionit që ai drejton.

Shkolla 9-vjeçare Bërxullë është hapur që në fillim të vitit shkollor 2022-2023 dhe ka një kapacitet prej 361 nxënësish.

Të dhënat e EU4schools për shkollat

Shkolla 9-vjeçare Bërxullë

Edhe në përgjigjen zyrtare për Faktoje që mban datën 12 tetor 2022, Bashkia e Vorës pranon që këto dy institucione arsimore janë ndërtuar nga donatorë të huaj.

“Shkolla 9-vjeçare Vorë, e sapo rindërtuar nga donatorë ka nisur procesin mësimor. Shkolla me një kapacitet prej njëzet e tetë klasash, ka dy laboratorë dhe një palestër si dhe frekuentohet nga 701 (shtatëqind e një) nxënës.

Shkolla 9-vjeçare Bërxullë, e saporindërtuar nga donatorë ka nisur procesin mësimor. Shkolla ka një kapacitet prej tetëmbëdhjetë klasash, tre laboratorë dhe një palestër si dhe frekuentohet nga 303 (treqind e tre) nxënës”, thekson zyrtarisht Bashkia e Vorës.

Nisur nga ky verifikim i thjeshtë deklarata e krybashkiakut të Vorës se ka ndërtuar dy shkollat 9 vjeçare, rezulton e Pavërtetë dhe dizinformuese, duke e përdorur si propagandë elektorale.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img