BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë pretendimi për simbolin satanist të ushtrisë holandeze

I rremë pretendimi për simbolin satanist të ushtrisë holandeze

Në rrjete sociale po qarkullon një lajm në të cilin pretendohet se ushtria gjermane bashkë me atë holandeze kanë përdorur simbole satanizmi gjatë një ceremonie të përbashkët mes tyre. Verfikimet tregojnë se bëhet fjale për rinoceront, simbolin e ushtrisë holandeze që përfaqëson forcën.

Në një ceremoni zyrtare më 30 mars, forcat tokësore të ushtrisë së Holandës lajmëruan integrimin me forcat ushtarake të Gjermanisë. Kjo është një praktikë e ndjekur më parë edhe mes reparteve të përbashkëta të ushtrisë gjermane dhe asaj franceze apo edhe vendeve të tjera të bashkimit Evropian dhe vendeve aleate me synim rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave në kuadër të operacioneve të përbashkëta në rast emergjence.

Veitshochheim, 30 mars 2023 –

Por, mesa duket pamjet e kësaj ceremonie kanë shërbyer për të ushqyer një lajm të rremë në rrjetet sociale. I tillë është, postimi në 1 prill nga një profil në Facebook, i identifikuar edhe më parë për ndarjen e materialeve proruse. Teksa ndan lajmin e operacioneve të përbashkëta ushtarake mes Gjermanisë dhe Holandës, ky profil pretendon se ushtritë e këtyre dy vendeve kanë përdorur simbole satanike gjatë ceremonisë.

“Vini re numrin masonik-satanist “13” si dhe figurën e Bishës me (10) brirë. Kjo bishë me 10 brirë është profetizuar në Besëlidhjen e Vjetër, te profeti Daniel 7:7.”, shkruan në postimin e tij profili Investiguesi Shkrimor, teksa shton se ‘ky symbol tregon se prapa fasadës “demokratike” të Evropës së Bashkuar operon fryma e Antikrishtit (13) i cili është i përfaqësuar nga briri i madh që gjendet në fillim dhe që është i shoqëruar nga perandoria e tij botërore (bisha me 10 brirë).”

Për të rrëzuar si të pabaza këto pretendime, mjafton të verifikohet më tej ky lajm dhe simboli i vënë në pah si satanist. Në verifikimet e mëtejshme, konstatohet lajmi zyrtar i ceremonisë ndarë në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës.

Ceremonia solemne e pranimit në divizionin e 10-të të tankeve të Bundeswehr-it të Brigadës së 13-të të Lehtë të Ushtrisë Hollandeze, të vendosur në komunën Orschot në jug të Holandës u mbajt më 30 mars. “Në kështjellën Veitshöchheim në shtetin federal gjerman të Bavarisë, flamuri i njësisë së brigadës me bazë në Oirschot u dorëzua për të simbolizuar integrimin”, shkruhet mes të tjerave në këtë njoftim.

Pra numri 13 në simbolikën e denoncuara si sataniste, është në fakt numri rendor i Brigadës së Lehtë apo të Këmbësorisë të Ushtrisë Hollandeze.  Për më tej, bisha “me 10 brirë”, simboli i mëtejshëm satanist, është në fakt imazhi i një rinoceronti me dy brirë. Sic shpjegohet në faqen e dedikuar të Brigadës, “Emblema e Brigadës 13 të Lehtë është zgjedhur një rinoceront për shkak të karakteristikave të brigadës: fleksibël dhe e pozicionuar shpejt – mjetet e blinduara ofrojnë mbrojtje – përdor vetëm forcën e nevojshme.”

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.

Fotografia kryesore e marrë nga webi.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img