.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingNdërtimi i Pedonales tek Liqeni i Thatë, shkelen afatet, zvarriten punimet

Ndërtimi i Pedonales tek Liqeni i Thatë, shkelen afatet, zvarriten punimet

Në qershor 2022 zona e Liqenit të Thatë duhet të kishte funksionale pedonalen dhe korsinë e biçikletave, një projekt rreth 60 milionë lekë të reja, investim i Bashkisë Tiranë. Një verifikim në fund të muajit mars dëshmon se punimet që kanë nisur në janar 2023, gati një vit pas skadimit të afatit për përfundimin e projektit, janë lënë përgjysmë. Mungesa e pedonales dhe zvarritja e punimeve po kthehen në pengesë për banorët e zonës e cila sot numëron rreth 5000 familje.

Elidona Syla

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për vitin 2021, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj prezantoi projektet e planifikuara për Tiranën për vitin 2022.

“Liqenit të Thatë i shtojmë pedonale dhe korsi biçikletash, dhe për t’i përdorur si valvula shkarkimi, për të mos patur këtë dyndje tek liqeni i Tiranës”, premtoi Veliaj në 2021-n.

Për të realizuar këtë projekt u hap një thirrje publike për ofertuesit në tender në datën 15.10.2021. Sipas të dhënve të ‘Open Procurement’ tenderi është zhvilluar në datën 01.11.2021 dhe marrëdhënia kontraktuale mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë fituese ka nisur më 28.12.2021, me projektin që duhej të përfundonte brenda 6 muajve nga data e nisjes së punimeve.

Në foto: Procedura e prokurimit nga Bashkia Tiranë dhe shpallja e fituesit

Referuar të dhënave zyrtare, procedura e prokurimit publik ka përfunduar në dhjetor 2021 dhe tabela e kompanisë fituese është vendosur në zonë prej asaj kohe, ndërsa puna për ndërtimin e pedonales duhej të kishte përfunduar në muajin qershor të vitit 2022. Po sipas këtyrë të dhënave, fondi limit i vënë në dispozicion të projektit nga Bashkia e Tiranës është 69,600,572,00 lekë.

Kur kanë kaluar të gjitha afatet për realizimin e këtij projekti, Faktoje bëri një verifikim në terren në zonën e “Liqenit të Thatë”, në datën 29 mars 2023.

Nga komunikimi me banorë të zonës na u bë e ditur se kantieri për ndërtimin e kësaj vepre është hapur në muajin janar të këtij viti. Në zonën ku po zbatohet projekti ka një tabelë punimesh, ku afati i përcaktuar për përfundimin e tyre është 6 muaj. Ajo që bie në sy është fakti se nuk ka një datë të nisjes dhe përfundimit të punimeve, edhe pse kjo është në shkelje të ligjit.

Në foto: Tabela e punimeve në hyrje të rrugës “Hamdi Sina”, 29 mars 2023

Në tabelën e punimeve përcaktohet se investitori i punimeve është Bashkia e Tiranës, ndërsa vlera e projektit kap shifrën e 58,784,455,80 lekëve me TVSH.

Kur janë shkelur të gjitha afatet kontraktuale, konstatohet se pedonalja jo vetëm që nuk ka përfunduar, por sapo ka nisur dhe punimet janë realizuar vetëm në disa fragmente të saj, edhe pse zona e “Liqenit të Thatë” është një prej zonave të reja nën ekspasion të Tiranës, që është populluar masivisht në 5 vjeçarin e fundit dhe ka nevojë për hapësira rekreative.

“Bashkia e Tiranës ka rreth 2 vite që e ka vendosur tabelën, ku thuhet se zona do të kthehet në pedonale. Zvarritet puna prej kaq kohësh dhe ne nuk dimë as çfarë po ndodh dhe çfarë po planifikohet të ndërtohet këtu. Nuk është normale, që gjithë kjo zonë të lihet në këtë gjendje”, thotë një 45-vjeçar, banor i zonës.

Në foto: Kantieri i pedonales dhe punimet e lëna përgjysëm përgjatë rrugës “Hamdi Sina”, 29 mars 2023

Nga verifikimi në terren shihet se në gjurmën ku është projektuar ndërtimi i pedonales, janë hedhur disa shtresa betoni që janë kompletuar edhe me hapësirën për vendosjen e shtyllave të ndriçimit në pjesë të caktuara të zonës.

Por edhe pse pjesë të pedonales janë realizuar deri në një pikë, puna është lënë përgjysmë prej javësh, siç tregojnë edhe banorët në këtë lagje. Edhe në momentin e verifikimit nga Faktoje nuk u konstatua që të kishte punonjës apo mjete të rënda të firmës “5D Construction” sh.p.k. në këtë kantier.

Gjithashtu, banorë me të cilët patëm kouminikim teksa realizonin ecjen e pasdites në pjesët e shtruara me beton të kësaj vepre infrastrukturore, shprehen se rrallëherë shohin punonjës apo mjete të firmës që po merren me realizimin e projektit.

Rezi dhe Orjona, një çift i ri që banon në një apartament përgjatë rrugës “Hamdi Sina”, prindër të një vajze 2 vjeçe, shprehen se e shohin me rëndësi ndërtimin e kësaj pedonale dhe hapësirave rekreative përgjatë saj.

“Ne shpenzojmë pjesën më të madhe të ditës në punë. Pasditja është koha që i dedikojmë vajzës. Shëtisim me të sa të mundemi, si unë dhe bashkëshortja. Deri më tani kemi zgjedhur parkun e Liqenit Artificial”, tha 32 vjeçari.

Në foto: Kantieri i pedonales dhe punimet e lëna përgjysmë, 29 mars 2023

“Po të ndërtohej pedonalja dhe shesh-pushimi para pallatit, siç duket te tabela do të ishte në favorin tonë. E kemi më afër dhe do ta shijojmë qetësinë që ofron kjo zonë. Jo më kot e kemi zgjedhur edhe për të jetuar”- shtoi i riu.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij vuri në pah se zvarritja e punimeve e shoqëruar disa herë me zhurma nga mjetet e rënda është bërë bezdisëse për ta.

“Na e kanë nxirë. Kanë kaq muaj, mjetet ishin këtu, punuan ca ditë e i hoqën prapë. Pluhuri dy gisht në dritare tani”, u shpreh 27-vjeçarja.

Edhe pronarët e bizneseve në këtë zonë, kryesisht bare dhe restorante shprehen se ndërtimi i pedonales do t’i jepte një hov më shumë klientelës së tyre, por kanë rezerva për vonesën e punimeve.

Madje ata tregojnë se aksesueshmëria e një pjese të veprës, edhe pse ende nuk është përshtatur me ndriçimin përkatës, ka shtuar fluksin e punës për ta në fundjavë.

Kjo pasi, prindërit me fëmijë zgjedhin të mos largohen më nga lagjja drejt Liqenit Artificial për të konsumuar një kafe ose argëtuar të vegjëlit e tyre.

“Lokali ishte plot të shtunë, të dielë. Vijnë njerëzit për qetësi, ka edhe më pak trafik se nga liqeni”, rrëfen një 17-vjeçar i punësuar si kamarier part-time në fundjavë, në një lokal të zonës. 

Zonja Asije, një e moshuar që më parë ka jetuar në SHBA dhe është kthyer tanimë për të jetuar në shtëpinë e saj në rrugën “Hamdi Sina”, ku kujdeset edhe për bashkëshortin, ka rezerva për mënyrën si është zvarritur projekti.

Në foto: Kantieri i pedonales dhe punimet e lëna përgjysëm, 29 mars 2023

“Kanë 2-3 muaj që sillen lart e poshtë betoniere dhe eskavatorë, një dorë beton kanë hedhur”, shprehet ajo, teksa më pas konfirmon se ndërtimi i pedonales do të ishte një benefit për të.

“Unë dhe bashkëshorti dalim çdo mëngjes, do pijmë kafen këtu poshtë pallatit. Mirë do na bënte të ecnim pak pasdite, në gjelbërim. Po ja ta mbarojnë, t’i ndezin ato dritat siç na kanë thënë”, theksoi e moshuara.

Projekti parashikonte që kjo zonë të kthehej në një hapësirë të gjelbër, me mjedise çlodhëse, pedonale dhe korsi të dedikuar për biçikleta.

Në foto: Projekti i parashikuar për transformimin e zonës te Liqeni i Thatë

Screenshot, kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës

Që prej vitit 2018, zona e Liqenit të Thatë është pjesë e njësisë administrative numër 13 dhe ka një popullësi mbi 13 mijë banorë ose rreth 5 mijë familje.

Në lidhje me zbatimin e projektit dhe afatet për realizmin, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, si njësi zbatuese e tij. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion, në respektim të afateve ligjore për të Drejtën e Informimit.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img