Ndihmat që NATO i ka dhënë Ukrainës që prej nisjes së luftës nga Rusia, shpesh janë keqinterpretuar në media si pjesmarrje aktive në luftë përmes trupave ushtarake. Kjo narrativë pasoi edhe deklaratën e ministrit të jashtëm polak, Radoslav Sikorski. Ajo u interpretua si një “pohim” se ushtarë të NATO-s janë përshirë në luftë. Në fakt, ky është një përkthim i cunguar i deklaratës së ministrit polak nga media, duke përhapur dezinformim.
Jona Plumbi
Në media u përhap lajmi se ministri i jashtëm polak, Radoslav Sikorski kishte deklaruar se ushtarë të NATO-s janë tashmë të pranishëm në Ukrainë. Deklarata u interpretua si përfshirje e ushtrisë së NATO-s në luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës. Fillimisht lajmi u përhap në mediat e huaja si British Sky News dhe më pas u përkthye në shqip.
“Nuk është e qartë se në çfarë cilësie po përdoren ushtarët.” – shkruajtën mediat, duke lënë të kuptohet se ushtarët e NATO-s tashmë po luftojnë në Ukrainë.
Jehonë kësaj deklarate iu bë edhe në mediat ruse, të cilat kanë pretenduar përfshirjen e trupave të NATO-s në luftë prej shumë kohësh.
Por po të lexosh lajmet e mediave të huaja, si ato polake që kanë raportuar fjalën e plotë të ministrit të tyre të jashtëm dhe media të tjera që e kanë përkthyer besnikërisht lajmin, mësohet se për çfarë lloj ushtarësh po flet ministri polak.
“Nuk bëhet fjalë për trupa që do të marrin pjesë aktive në operacionet ushtarake, por për ushtarët e përfshirë në stërvitjen e ukrainasve në terren, si dhe në përdorimin e pajisjeve ushtarake.” – citohet të ketë thënë ministri Sikorski.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion NATO-s për pretendimin e ngritur nga disa media. Në përgjigjen e tij, një zyrtar i NATO-s njoftoi Faktojen se aleanca po ofron mbështetje të paprecedentë ushtarake për Ukrainën, mbështetje e cila ka filluar në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë dhe është rritur edhe më shumë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Nuk ka plane për trupa luftarake të NATO-s në terren në Ukrainë.”
– NATO për Faktoje
NATO vijon duke shpjeguar se agresioni rus ndaj Ukrainës shkel ligjin ndërkombëtar, që i jep të drejtë Ukrainës për vetëmbrojtje dhe NATO-s për ta mbështetur atë.
“Kjo është ajo që aleatët e NATO-s po bëjnë dhe do të vazhdojnë të bëjnë” – thuhet në përgjigjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut për Faktoje.
Narrativa e përfshirjes së NATO-s në luftime në Ukrainë është e rrezikshme pasi shpesh është përdorur nga Rusia për të përshkallëzuar kërcënimet e saj, që nga shpallja e luftës ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, deri tek kërcënimet për një luftë bërthamore.