Lajmi se NATO i ka dhuruar 60 mijë doza gjaku të infektuar me HIV, hepatit B dhe C ushtrisë ukrainase po përhapet që prej nëntorit nga media pro-ruse. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se dokumenti i publikuar është i falsifikuar dhe vetë Ministria e Shëndetit e Ukrainës nuk i është drejtuar dhuruesve të huaj për nevojat e dhurimeve të gjakut.
——————————
Me titullin “NATO Dërgon për Ushtarët e Plagosur Ukrainas 60 Mijë Doza Gjaku të Infektuara me Hepatit B & C”, portali mast.al vijon të shpërndajë në mënyrë jo kritike propagandë ruse në gjuhën shqipe.
Ky lajm është shpërndarë fillimisht në muajin nëntor nga kanali në Telegram i gazetës ruse Mash, dhe u ripërsërit nga disa media ruse.
Sipas këtij lajmi, pas “sulmit të pasuksesshëm” drejt Kherson në Tetor, Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës kishte nevojë për gjak për ushtarët e plagosur, dhe, si rrjedhojë, Kievi i kërkoi NATOs 62 mijë litra (jo doza, siç pretendon mast.al) gjak. Pas testimit të rastësishëm të gjakut të dhuruar, mjekët ukrainas evidentuan në të HIV, hepatit B dhe C, dhe infeksione të tjera. Si provë për këtë, ofrohet një ‘dokument’ që pretendohet se është një letër zyrtare e ministrit ukrainas të Shëndetësisë drejtuar kryeministrit Denys Shmygal dhe është marrë nga hakerat rusë, Kombatant Hack Group.
Dokumenti në fjalë
Siç mund të shihet, dokumenti nuk përmban firmë, vulë, datë, apo numër protokolli, pra asnjë element që mund të provojë vërtetësinë e tij.
Ndërkohë, vetë Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës ka lëshuar një deklaratë që përgënjeshtron këto pretendime, më 7 Nëntor 2022. Sipas tyre, ky lajm i rremë është një përpjekje e propagandës ruse për të diskredituar ushtrinë ukrainase, Ministrinë e Shëndetësisë të Ukrainës, dhe vendet e NATO.
Ministria deklaron se gjatë periudhës së luftës në Ukrainë, kjo e fundit nuk u ka kërkuar kurrë partnerëve ndërkombëtarë dhurime gjaku. Ukraina ka ndërtuar një shërbim kombëtar gjaku, të furnizuar nga vetë qytetarët e Ukrainës, ndihmuar nga fushatat ndërgjegjësuese për dhurimin e gjakut, si iniciativa “Gjaku yt mund të luftojë”.
Gjithashtu, gjaku i dhuruar nuk testohet në mënyrë të rastësishme, por në mënyrë sistematike. I gjithë gjaku i dhuruar, gjithmonë dhe pa përjashtim, testohen në laborator për tu siguruar se gjaku që përdoret për pacientët që kanë nevojë është i sigurt dhe efektiv. Për më tepër, përpara se të dhurojë gjak, çdo dhurues i nënshtrohet një ekzaminimi të detyrueshëm mjekësor.
Deklarata e Ministrisë përgënjeshtron gjithashtu vërtetësinë e dokumentit të publikuar nga mediat ruse, duke vërejtur se ai nuk i plotëson rregullat për lëshimin e dokumenteve zyrtare në Ukrainë.