NATO nuk ka ende një vendim lidhur me aplikimin e Shqipërisë për të bashkëfinancuar një bazë të re detare të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Porto Romano. Pavarësisht kësaj, në Shqipëri dëshira po “shitet” si fakt. Së fundi kryeministri Edi Rama vuri në dukje rëndësinë strategjike të Portit të ri tregtar në Porto Romano, duke u ndalur edhe tek ndërtimi i bazës ushtarake të NATO-s.
Esmeralda Topi
Prej gati dy vitesh qeveria shqiptare është vetëofruar të mirëpresë në Porto Romano ndërtimin e një baze detare nga NATO – me bashkëfinancim. Por edhe pse Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk ka marrë ende një vendim, kryeministri Edi Rama flet sikur kërkesa të jetë miratuar tashmë.
“Porti i ri tregtar i Porto Romanos është një investim i një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë. E para, do të krijojë mundësinë e përpunimit të volumeve shumëfish më të larta se sa volumet që mund të përpunohen në atë zgëqen në mes të Durrësit. E dyta do të ketë komponenten ushtarake si një bazë e NATO-s.”, deklaroi kryeministri gjatë një intervistë televizive në muajin mars.
Ai vijoi më tej duke e quajtur Porto Romanin si “të parën bazë ushtarake e NATO-s e ndërtuar në Europë, e ndërtuar për këtë qëllim në këtë kohë”.
Por verifikimet e Faktoje tregojnë se NATO nuk ka marrë ende një vendim për të financuar ngritjen e bazës detare në Shqipëri. Një zyrtar i Aleancës Atlantike tha për Faktoje se “nuk ka asnjë zhvillim për bazën në Porto Romano”.
“Zakonisht, ne mirëpresim ofertat nga Aleatët për të pritur objekte të NATO-s në territorin e tyre. Ekspertët tanë më pas shqyrtojnë të gjitha ofertat e tilla dhe ofrojnë këshilla bazuar në kërkesat ushtarake.”, përfundoi ai.
Prapavijë
Idenë për ngritjen e një baze detare të NATO-s në Shqipëri kryeministri shqiptar Edi Rama e hodhi për herë të parë publikisht korrikun e vitit 2022.
“E vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, […] duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë […]”, deklaroi Rama në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg- gjatë një vizite zyrtare në Bruksel.
Një vit më vonë, nga Shkupi, Rama i kërkoi Aleancës së Atlantikut të Veriut të përshpejtojë procedurat lidhur me kërkesën e Shqipërisë për të bashkëfinancuar bazën e re detare.
“Dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano të procedohet sa më shpejt […].”, tha Rama pas një takimi mes liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore në Shkup.
Kërkesën e vazhdueshme të kryeministrit, kolonel Dritan Demiraj e sheh si një përpjekje për të rritur rolin e Shqipërisë në Aleancë.
“Mendoj se ngritja e bazës ajrore bashkë me kërkesën e vazhdueshme të kryeministrit Rama dhe ministrit Peleshi për ngritjen edhe të një baze detare në mbështetje dhe me fondet e NATO-s në Durrës, rrisin rolin e Shqipërisë në aleancë dhe për rrjedhojë edhe mbështetjen e saj politike ndërkombëtare.”, pohon ish komandanti i Forcave Speciale.
Përfundim
Ndaj, Deklaratën e kryeministrit Edi Rama se porti i ri tregtar në Porto Romano do të ketë edhe komponentin ushtarak, për shkak të bazës së NATO-s do ta kategorizojmë si gjysmë të vërtetë. Prej dy vitesh Shqipëria ka kërkuar zyrtarisht për ngritjen e kësaj baze, por ende dhe sot kërkesa është në process shqyrtimi nga ekspertët e NATO-s.
Më poshtë gjeni dy artikuj të tjerë lidhur me hapjen e bazës së parë ajrore rajonale të NATO-s në Shqipëri.