Pretendimi: NASA pranon se krijoi artificialisht imazhin e Tokës së rrumbullakët
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Konspiracionistët në rrjete sociale po pretendojnë se modeli i planetit Tokë si glob është krijuar nga NASA duke mbështjellë hartën e Tokës së sheshtë rreth një topi.
Si ‘provë’ për këtë sillet, pa asnjë kontekst, një citim që thotë:
“Pastaj mbështollëm hartën e sheshtë rreth një topi. Roli im ishte të integroja sipërfaqen, retë dhe oqeanet që t’i përshtateshin pritshmërive të njerëzve se si duket Toka nga hapësira. Topi u bë Zari Blu i famshëm.”
Faktoje gjeti se citimi i mësipërm është thënë nga dizajneri Robert Simmon, në një intervistë të botuar më 12 qershor 2012 në faqen zyrtare të NASA.
Simmons përshkruan në këtë intervistë se si në 2002 krijoi imazhin e përbërë të globit tokësor, që më pas u përdor si sfond në telefonin e parë iPhone, dhe njihet si “Zari Blu”.
Megjithëse imazhet e tokës mund të duken të zakonshme, në fakt ka shumë pak fotografi të planetit të tërë. Problemi, tha Simmon, është se të gjithë satelitët tokë-vëzhgues të NASA fluturojnë në orbitë të ulët. Kjo do të thotë se asnjëri prej tyre nuk është mjaftueshëm larg sa për të parë një hemisferë të plotë. Fotografitë më të njohura të të gjithë Tokës janë nga misionet e Apollos në hënë të viteve 1960 dhe 1970.
Simmon shpjegoi se imazhi i mësipërm nuk është foto, por një imazh i përbërë nga të dhënat e mbledhura në 4 muaj nga sateliti Terra, i cili orbitonte nga poli në pol ndërsa Toka rrotullohej nën të.
“Pjesa e vështirë ishte krijimi i një harte të sheshtë të sipërfaqes së Tokës me katër muaj të dhëna satelitore. […] Pastaj mbështollëm hartën e sheshtë rreth një topi. Roli im ishte të integroja sipërfaqen, retë dhe oqeanet që t’i përshtateshin pritshmërive të njerëzve se si duket Toka nga hapësira. Topi u bë Zari Blu i famshëm,” deklaroi Simmon në intervistën e cituar më sipër.
“Zari Blu” origjinal është në fakt një fotografi e rruzullit tokësor e shkrepur në 7 dhjetor 1972, nga një distancë prej afërsisht 29.400 km nga sipërfaqja e Tokës. Ajo është shkrepur nga Ron Evans ose Harrison Schmitt nga ekipi i Apollo 17 gjatë udhëtimit të tyre për në Hënë.
“Zari Blu” shkrepur nga ekipi i Apollo 17