Pretendimi: Kjo video tregon një makinë të NASA që prodhon re

Verdikti: E pavërtetë

——————————————-

Konspiracionistët në rrjet po shpërndajnë videon e çka pretendohet se është “një makinë që prodhon retë” që i përket agjencisë hapësinore amerikane NASA. Në narrativat konspiracioniste, me anë të kësaj makinerie qeveritë dhe elitat misterioze modifikon motin dhe helmon popullsinë.

Në të vërtetë, ‘makineria e reve’ në fjalë është një motor rakete.

Pamjet e mësipërme janë shkëputur nga një video e botuar në Youtube nga profili i NASA, më 19 tetor 2017.

Sipas përshkrimit që e shoqëron, video tregon testimin e motorit RS-25 për raketën SLS në Qendrën Hapësinore Stennis në Mississipi më 19 tetor 2017.

Një fletëpalosje që prezanton motorin RS-25

Raketa SLS, më e fuqishmja që nga raketa Saturn V që dërgoi njerëzit e parë në Hënë në vitet 1960, është dizenjuar për të transportuar astronautët përtej orbitës Tokës, në destinacione si Hëna dhe Marsi. Ajo do të ketë katër motorë R2-25 çdo fluturim.

Motori R2-25 shkarkon kryesisht avuj uji sepse ai djeg hidrogjen dhe oksigjen të lëngshëm. Kombinimi i këtyre elementeve prodhon ujë, i cili në formën e avullit prodhon “retë” që duken në video dhe trembin konspiracionistët.

Sipas deklaratës për shtyp të NASA, ky testim u dëshmua edhe nga një numër spektatorësh me fat: “Duke qenë se një motor i ankoruar nuk largohet nga toka, pjesëmarrësit dëshmuan të gjithë 500 sekondat e testimit. […] Pjesëmarrësit shijuan gjithashtu një pamje më nga afër. Një hedhje rakete duhet të shihet nga të paktën 5 km larg; një testim shihet nga rreth 1 km larg.”

Të pranishmit ishin mjaftueshëm afër për t’ju dashur tapa veshësh, dhe për të ndjerë vibrimet e motorit. “Nëse era fryn në drejtimin e duhur, shkarkimi i ujit të pastër nga motori mund edhe të kondensohet dhe të bjerë si shi mbi turmën,” përshkruhet në deklaratë.