Nafta drejt 200 lekëve, ekonomia shqiptare përballë një prove të re

Një krizë në Lindjen e Mesme mjafton për të rritur faturën e çdo familjeje

16

Esmeralda Topi

Çmimi i naftës pritet t’i afrohet sërish pragut të 200 lekëve për litër. Një çmim që shqiptarët e përjetuan në vitin 2022, kur shpërtheu lufta në Ukrainë dhe tregjet globale të energjisë u përfshinë nga paniku.

Shkaku këtë herë vjen nga Lindja e Mesme. Përplasjet mes boshtit SHBA-Izrael dhe Iranit kanë shtyrë çmimin e naftës mbi 80 dollarë për fuçi, duke rikthyer frikën e një përshkallëzimi më të gjerë. Rreth një e pesta e naftës botërore dhe rreth 20% e gazit natyror që qarkullon në tregjet botërore kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Çdo kërcënim për bllokimin e saj mjafton për të ndezur tregjet. Nëse tensionet përshkallëzohen dhe Hormuzi bllokohet, çmimi i naftës mund të kapërcejë 100 dollarë për fuçi. Dhe kur kjo ndodh, vendet importuese si Shqipëria nuk kanë asnjë mburojë.

Një vëzhgim i Faktoje.al në disa pika tregtimi karburanti në Tiranë tregoi se nafta po shitet mes 175 dhe 187 lekë për litër. Por kjo është vetëm fotografia e sotme.

Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, brenda javës pritet një rritje me 10-15 lekë për litër, që do ta çonte çmimin pranë 200 lekëve.Kryetari i shoqatës, Luigj Aliaj, thotë se rritja pritet të jetë e përkohshme, 20-30 ditë, nëse situata stabilizohet. 

“Tek ne do të fillojë brenda javës me 10-15 lek rritje, por do të jetë e përkohshme, 20-30 ditë e më pas mendoj që do të rikthehemi tek çmimet e para konfliktit,” thotë për Faktoje.al kryetari i Shoqatës, Luigj Aliaj.

Shqipëria importuese neto 

“I gjithë ky tension në Lindjen e Mesme rrit rrezikun e ndërprerjes së furnizimit dhe, si pasojë, çmimi global i naftës rritet, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe tek tregjet shqiptare,” shpjegon ekonomistja Teuta Nunaj-Kortoçi.

“Shqipëria është importuese neto e naftës, ndaj çdo rritje në tregjet ndërkombëtare reflektohet menjëherë tek çmimi i produktit që shitet në tregun vendas,” shton ajo.

“Kompanitë tregtuese zakonisht nuk e absorbojnë rritjen, por e transferojnë atë tek konsumatori përfundimtar, duke e bërë shtrenjtimin të pashmangshëm,” përfundon Nunaj-Kortoçi.

Në të njëjtën linjë, edhe Qendra ALTAX, në një analizë të fundit, paralajmëron rritje të çmimeve të naftës. 

“Shqipëria, si importuese neto e naftës kryesisht nga tregjet evropiane dhe indirekt nga Lindja e Mesme, do të përballet me një shtim të menjëhershëm të çmimeve të karburanteve, potencialisht +10-15% në muajt e ardhshëm, ” paralajmërojnë ekspertët e qendrës ALTAX

Inflacioni në rritje

Rritja e çmimit të naftës nuk ndalet tek pompat e karburantit. Ajo përkthehet menjëherë në kosto më të larta transporti, prodhimi dhe shërbimesh, duke ushqyer një valë të re inflacioni në ekonomi. 

Sipas analizës së Qendra ALTAX, çdo rritje me 5% e çmimit të naftës shton rreth 0.1 pikë përqindje në inflacion. Nëse nafta ngjitet në 100 dollarë për fuçi, inflacioni në Shqipëri mund të rritet me 1 deri në 1.5 pikë përqindje deri në mesin e vitit 2026. Me normën aktuale në 2.3%, kjo do ta çonte inflacionin pranë 4%, duke fshirë gradualisht fuqinë blerëse të familjeve.

Në një ekonomi si Shqipëria, e varur nga importet dhe me strukturë të brishtë prodhimi, çdo tronditje e jashtme përkthehet shpejt në faturë për konsumatorin.

Përballë këtij realiteti, hapësirat e reagimit janë të kufizuara. Ekspertët sugjerojnë ndërtimin e rezervave strategjike të naftës, politika fiskale të kujdesshme dhe përshpejtimin e investimeve në energji të rinovueshme. Por në afat të shkurtër, ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar. Dhe kur çmimi i naftës rritet, zinxhiri i shtrenjtimit është i pashmangshëm.