Pretendimi: Kontinenti Antarktik është i përbërë nga 40% prej një muri akulli që rrethon të gjitha detet e Tokës.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————
Analisti i teorive konspirative Alfred Cako ka ndarë në rrjetet e tij sociale pretendimin e ekzistencës së një “muri akulli” që rrethon detet e Tokës dhe përbën 40% të Antarktidës.
Cako nuk ofron ndonjë provë, referencë apo burim për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Foto që shoqëron postimin e tij nuk tregon “murin e akullt”, por platformën e akullt Fimbul, 200 km e gjatë dhe 100 km e gjerë, e cila ndodhet në Antarktidë, 4900 km larg brigjeve të Afrikës së Jugut.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto tregon anijen akullthyese afrikanojugore S. A. Agulhas II teksa mbërrin në platformën e akullit Fimbul më 11 dhjetor 2016. Përveç kryerjes së kërkimeve të ndryshme shkencore për Afrikën e Jugut, Agulhas ishte atje për të sjellë njerëz, pajisje dhe furnizime në dhe nga stacionet e tyre kërkimore në Antarktidë.
Një platformë akulli është një pllakë lundruese akulli me origjinë nga toka me trashësi të konsiderueshme që shtrihet nga bregu (zakonisht me një shtrirje të madhe horizontale me një sipërfaqe shumë të pjerrët), që rezulton nga rrjedha e akullnajave kontinentale, të formuara fillimisht nga akumulimi i borës.
Harta e platformave të akullit në Antarktidë (NSIDC)
Sipërfaqja e të gjitha platformave të akullit në Antarktidë arrin 1.55 milionë km2, rreth 11% e sipërfaqes totale prej 14.2 milionë km2 të kontinentit. Më shumë se 98% e Antarktidës është e mbuluar me akull.
Hartë e Antarktidës që tregon masën e saj tokësore (gri e errët), platformat e akullit (gri e hapur) dhe akullin e detit (e bardhë)
Antarktida ndodhet në jug të planetit tonë, dhe rrethohet nga Oqeani Jugor.
“Muri i akullit”, ose ideja se Antarktida nuk është një kontinent në fund të globit, por në të vërtetë një mur që rrethon Tokën, është një koncept i konspiracionistëve të Tokës së Sheshtë, që besojnë se Toka nuk është një planet i rrumbullakët, por një rrafsh i sheshtë.