Aurora Shpataj&Floridona Ademaj
Në fshatin Mgullë të Kukësit, rreth 200 banorë, izolohen çdo vit gjatë dimrit për shkak të mungesës së urës.
Ajo që shërben si urë e që në fakt është një rrip me copa druri, është më shumë një mjet për t’u rrezikuar, sesa për të kaluar, nga njëra anë e përroit, në tjetrin.
Ura e fshatit Mgullë e ndërtuar me dërrasa, foto:Floridona Ademaj
Faktoje shkoi në këtë fshat dhe bisedoi fillimisht me banorët që preken drejtpërdrejt nga pasojat e mungesës së urës. Renato Ciku, që jeton në këtë fshat na tregon:
“Jemi 10 familje me nga 5-6 banorë secila. Kam edhe fëmijë që shkojnë në shkollë çdo ditë. Mjetet automobilistike më kanë ngelur përtej urës. Për disa vite, vetëm në prag fushatash thonë që do e rregullojnë dhe ndërtojnë, por asgjë. Kur ngrihet niveli i ujit, del sipër dhe bëhet e pakalueshme. E vetmja rrugë për të kaluar është kjo ura. Forca e ujit ka deformuar edhe njërin nga hekurat mbajtës.”
Forca e ujit ka deformuar njërin nga hekurat,foto:Floridona Ademaj
Banori shton:
“Investim i shtetit, janë vetëm dy parmakët që shikoni. Janë dy parmakët e betonit që i ka bërë komuna para 5-6 vitesh. Ndërkohë që tani investimi i vetëm janë dërrasat, asgjë tjetër!”
Edhe banorë të tjerë shprehen se ndihen të frikësuar sa herë u duhet të kalojnë urën e improvizuar. Ata e pranojnë se e ndërmarrin këtë rrezik vetëm nëse kanë ndonjë rast urgjence.
“Kemi shumë frikë të kalojmë urën, kur është i lartë niveli i ujit, ka pas raste që për shkaqe urgjente të kalojmë urën ku uji ishte sipër saj. Kur niveli i ujit ngrihet 1 javë ose 10 ditë jemi të bllokuar dhe as fëmijët nuk i çojmë dot në shkollë. Madje kur kemi ndonjë të sëmurë ne nuk kemi nga të kalojmë. Duhet të shkojmë 12 kilometër për të dalë në qendër për të marrë një pako kafe.”-tregon një banor i fshatit.
Banorët duke kaluar sipër urës, foto:Floridona Ademaj.
Sipas një përgjigjeje nga njësia Malzi, ku bën pjesë fshati Mgullë, në urën aktuale investimi i fundit, me vlerë 200.000 lekë është bërë në vitin 2012. Ura shërben për komunikimin mes fshatit Mgull me njësinë Administrative Malzi, fshatin Pistë e Gdheshtë.
*Përgjigja e Njësisë administrative Malzi.
Po sipas përgjigjes së kërkesës zyrtare për informacion, ende nuk ka një investim të planifikuar për urën.
Faktoje kontaktoi edhe me kryetarin e bashkisë Safet Gjici, se kur parashikohet të jepet një zgjidhje e situatës.
“Ka filluar projekti për urën. Besoj brenda një muaji fillojmë nga puna për ndërtimin e saj. Koha e keqe na pengon shumë, se ndërtimi i urës ka procedura si hedhja e betonit. Ky proces kërkon kohë”- tha ai.