.

.

Home Pertej Verifikimi i lajmeve në Facebook Mundësi çeçen që lufton për Ukrainën nuk mori pjesë në sulmin terrorist në Moskë

Mundësi çeçen që lufton për Ukrainën nuk mori pjesë në sulmin terrorist në Moskë

0
Mundësi çeçen që lufton për Ukrainën nuk mori pjesë në sulmin terrorist në Moskë

Pretendimi: Një nga të dyshuarit e sulmit terrorist në Moskë është një udhëheqës çeçen, i cili luftoi në Ukrainë

Verdikti: E pavërtetë

Pretendimet në mediat sociale se një nga të dyshuarit e sulmit në Moskë ishte një udhëheqës islamik çeçen, i cili luftoi në luftën Rusi-Ukrainë, janë të rreme. Verifikimet e kryera tregojnë se ai nuk ka asnjë lidhje me sulmin terrorist në Rusi.

Më 22 mars, një grup terrorist kreu një sulm në sallën e Koncerteve Crocus në Moskë, duke vrarë më shumë se 130 persona. Një ditë pas ngjarjes, policia sekrete ruse njoftoi se kishte arrestuar 11 persona, ndërsa 4 prej tyre ishin të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sulm.

Pas kësaj në rrjetet sociale u përhapën me shpejtësi pamjet e njërit prej të arrestuarve, duke pretenduar se njeriu në video ishte në fakt Rustam Azhiev, i njohur gjithashtu si Abdul Hakim al-Shishani, udhëheqës i një fraksioni islamik çeçen që ka luftuar në luftën Rusi-Ukrainë, në krahun ukrainas.

Këto pretendime kanë qarkulluar edhe në rrjetet sociale në vendin tonë, duke e identifikuar personin e arrestuar si terroristin Rustam Azhiyev.

Kush do ta kishte menduar…Një nga terroristët, Rustam Azhiyev, është shtetas i Ukrainës dhe ka luftuar në Forcat e Armatosura të Ukrainës në vitin 2022”-shkruan një përdorues në Facebook.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Por, si është e vërteta e këtyre informacioneve që po qarkullojnë në rrjetet sociale?

Autoritetet ruse identifikuan 4 burra në lidhje me sulmin, mes tyre u identifikua edhe Dalerdzhon Mirzoyev. Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass, Mirzoyev e identifikoi veten si shtetas i Taxhikistanit.

Fotografitë e Mirzoyev në të majtë dhe Azhiev në të djathtë

Edhe përpara se Mirzoyev të identifikohej, përdoruesit në mediat sociale, mes tyre edhe gazetari i hetimeve vizuale në “New York Times”, Aric Toler, vunë në dukje disa mospërputhje midis Azhiev dhe burrit në pamje, duke përfshirë ndryshimet në veshë dhe hundë.

Veç kësaj, Rusia kurrë nuk tha se një prej agresorëve ishte Rustam Azhiev. Pa dyshim, Rustam Azhiev ka qenë një gjemb në këmbë për qeverinë ruse për shumë vite dhe është i njohur, si famëkeq për ta.

Nëse do të kishte kapur vërtetë Rustam Azhiev, qeveria ruse do ta kishte shpallur publikisht një njoftim të tillë dhe lajmi do të bënte bujë të madhe.

Edhe Margarita Simonovna Simonya, kryeredaktore e Russia Today, transmetuesit shtetëror rus, e identifikoi njeriun në foton virale si “trurin” pas sulmit në sallën Crocus. Ajo kurrë nuk e identifikoi atë si Rustam Azhiev.

Rustam Azhiev është aktualisht zëvendëskomandanti i përgjithshëm i batalionit çeçen OBON, i cili po lufton në anën ukrainase. Azhiev është një ish-mundës çeçen, i cili filloi të luftonte kundër ushtrisë ruse në Luftën e Dytë Ruso-Çeçene në vitin 1999. Ai më vonë luftoi kundër Rusisë në luftën civile siriane, si Abdul Hakim al-Shishani, emri i grupit militant xhihadist, Ajnad el-Kavkaz (AK). Në vitin 2022, Abdul Hakim al-Shishani dhe militantët e tij të AK-së iu bashkuan luftës kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Rustam Azhiev mund ta urrejë Rusinë, por deri më sot ai nuk ka qenë i lidhur me ISIS, ashtu si grupi terrorist që sulmoi qytetarët e pafajshëm në sallën e Crocus. Grupi i tij militant xhihadist, Ajnad al-Kavkaz, përbëhej nga luftëtarë nga Emiratet e Kaukazit, por vepronte në mënyrë autonome.

Previous article Themeluesi “klubit të elitave globaliste”, Claus Schwab, gëzon shëndet të plotë
Next article Rrëzimi i futbollistit të Romës gjatë ndeshjes nuk ka lidhje me vaksinimin
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.