SHEFKIJE ALASANI
Edhe pse nën mbrojtjen e UNESCO-s Liqeni i Ohrit, i cili shtrihet në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, përballet me një sërë problemesh. Si pasojë, Liqeni i Ohrit rrezikon të hiqet nga lista e UNESCO-s. Problemet që rrezikojnë biodiversitetin e liqenit më të vjetër në Evropë janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ndërtimet ilegale, ndotja e liqenit, derdhja e ujërave të zeza, mbetjet minerare dhe ato urbane. Gjithashtu, djegia e kallamit në breg të liqenit është një fenomen shumë shqetësues, shkruan Portalb.mk.
Ndër vite Liqeni i Ohrit, po përballet me një numër të madh problemesh. Pakujdesia e qytetarëve dhe neglizhenca e autoriteteve ka sjellë paralajmërime që Liqeni i Ohrit të hiqet nga lista e pasurive botërore të mbrojtura natyrore dhe kulturore të UNESCO-s. Në një raport të fundit, dërguar në qeverisjen lokale dhe ministrive kompetente, UNESCO paralajmëron se Ohri është një hap para vendosjes në listën e pasurive botërore në rrezik. Raporti ju vendos theks problemeve në mbrojtjen e autenticitetit të ndërtesave të vjetra, heqjen e ndërtesave të paligjshme dhe planeve urbanistike problematike për ndërtim, si dhe ndikimin e tyre në liqen dhe botën e gjallë.
Armiku më i madh i liqenit konsiderohen objektet ilegale dhe aksionet që ndërmerren për krijimin e hapësirave të reja në liqen për ndërtime të egra. UNESCO kërkon heqjen e menjëhershme të objekteve të paligjshme në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës. Në Ohër, 50 metra nga bregu, janë regjistruar 414 objekte të paligjshme. Nga 15 mijë kërkesa për legalizim të paraqitura në komunën e Ohrit dy vjet më parë – 11,000 ishin shtëpi familjare, 420 ndërtesa dhe 28 hotele. Në Strugë, nga ana tjetër, numri i përgjithshëm i kërkesave të paraqitura për legalizim është 10,639. Të refuzuara, të paplota pa shtjellime janë 4,470. 3,127 raste janë zgjidhur. 3,038 janë në proces. Nga ata 3,038, 65 janë 50 metra larg liqenit. Gjysma e tyre u refuzuan.
Ndotja e liqenit/ fotografuar më 02.06.2021
Djegia e kallamit në liqen rrezikon botën endemike
Një fenomen mjaft shqetësues por jo shumë i diskutuar është edhe djegia e kallamit në brigjet e liqenit. Ky fenomen zakonisht shfaqet në periudhën pranverë-verë ku individë të caktuar që kanë për qëllim të uzurpojnë pronën publike i vënë flakën kallamit i cili pasi digjet betonohet ose shtrohet me materiale tjera ndërtimore dhe hapësira e krijuar shfrytëzohet për biznes. Në më pak se dy muaj në zonën e njëjtë kallamit i është vënë flaka 3 herë radhazi. Djegia e fundit ndodhi në një vend që konsiderohet si një vend për shumim të krapit, dhe është një habitat natyror për shumë specie peshqish. Zjarri i fundit dogji hapësirë prej 450 metra gjatësi dhe 50 metra gjerësi.
“Është e vërtet që djegia e kallamishteve është një problematikë që sjell pasoja në ekosistem, prandaj është e përcaktuar me akte nënligjore mbrojtja e tyre. Ekziston një akt nënligjor që ka të përcaktuar zonat që nuk duhet të preken, digjen ose priten e cila ka të përcaktuar edhe sipërfaqen që kanë këto sipërfaqe), për funksionet që ajo ka në këtë ekosistem”, deklaroi Arian Meroli, studiues i Liqenit të Ohrit.
“Serioziteti i problemit të djegies së kallamit shihet në faktin se me atë akt shkatërrohen shtëpitë e shumë zogjve, bimëve dhe kafshëve. Biodiversiteti në atë pjesë bregut liqenor është me të vërtetë i pasur dhe me shkatërrimin e tij prishet ekuilibri natyror”, deklaroi Kosta Hiohi aktivist ambientalist nga Struga.
Djegia e kallamit/Fotografi nga Shefkije Alasani
Djegia e kallamit/Fotografi nga Shefkije Alasani
Hapësira e kallamit të djegur/ fotografuar më 02.06.2021
Аktivistët e dënojnë ashpër këtë katastrofë natyrore dhe kërkojnë që modernizimi i plazheve të bëhet sipas standardeve ekologjike.
“Është fakt se djegia e kallamit nuk është e rastësishme ose aksidentale por është thjesht një veprim me i paramenduar që kryhet në faza. Së pari ndizet kallami, pastaj vendi mbushet me mbeturina ndërtimi dhe së fundi nivelohet dhe ndërtohet mbi të. Personalisht më pëlqen vija bregdetare e zbukuruar bukur, plazhet moderne dhe urbanizimi i përshtatur. E gjithë kjo mund të zgjidhet në një mënyrë normale dhe të civilizuar siç bëjnë vendet normale. Ky lloj shkatërrimi nuk i sjell dobi askujt”, shprehet Kosta Hiohi.
Hapësira e kallamit të djegur e mbushur me rërë/ fotografuar më 02.06.2021
Çfarë bën Ministria e Mjedisit jetësor për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit?
Në një prononcim për Portalb.mk nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinorë thanë se i kanë marrë seriozisht paralajmërimet e UNESCO-s dhe se janë të vendosur për të ruajnë statusin e Ohrit në UNESCO, për këtë duhet angazhim më i madh si për autoritetet lokale ashtu edhe në ato kombëtare.
“Disa nga masat korrigjuese dhe aktivitetet e kërkuara janë zbatuar tashmë, dhe disa pritet të finalizohen gjatë vitit 2021. Raporti i UNESCO-s është një tregues që ne kemi nevojë për të forcuar dhe përshpejtuar aktivitetet e planifikuara në përputhje me rekomandimet e misionit reaktiv dhe në përputhje me Planin për Menaxhimin e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore në Rajonin e Ohrit (2020-2029) i cili përfshin një plan veprimi. Për më tepër, në përputhje me afatet ligjore dhe dinamikën e planifikuar, Ligji për shpalljen e Liqenit të Ohrit monument natyror pritet të miratohet në tetor 2021”, deklaruan nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH).
Një vit më parë Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriore miratoi Planin për Menaxhimin e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore në Rajonin e Ohrit (2020-2029) i cili përfshin një plan veprimi.
“Komisioni për Menaxhimin e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit, në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mënyrë të vazhdueshme dhe me intensitet të pa zvogëluar ushtroi kompetencat e tij në monitorimin dhe zbatimin e zbatimit të Planit për Menaxhimin e Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit si dhe monitorimi i situatës me trashëgiminë natyrore dhe kulturore në rajon. Më 27 nëntor 2020, Komiteti Bilateral për Menaxhimin e Liqenit të Ohrit mbajti takimin e tij të dytë në të cilin u diskutua dhe pranua Draft Plani i Menaxhimit të Pellgut të Liqenit të Ohrit, i cili u zhvillua plotësisht në përputhje me Direktivën Kornizë Evropiane të Ujit (2000/60). EC ) dhe legjislacioni përkatës kombëtar në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore”, shtuan nga MMJPH.
Liqeni i Ohrit/ Fotografi nga Shefkije Alasani
Ndotja e Liqenit shqetësuese edhe në anën e Shqipërisë fqinje
Pak kohë më parë faktoje.al raportoi se niveli i ndotjes së Liqenit të Ohrit është mjaftë shqetësues edhe në pjesën e Pogradecit në Shqipëri. Një marrëveshje mes Shqipërisë dhe RMV 15 vite më parë, synonte ruajtjen dhe parandalimin e ndotjes së ujërave në liqenin e Ohrit. Kërkimet e Faktoje-s dhe vëzhgimi në terren, konstatoi se të paktën për palën shqiptare, ndotja e liqenit nuk është ndalur. Në Ohër vazhdojnë të derdhen ujërat e zeza, mbetjet minerare dhe ato urbane. Nga pala e Maqedonisë së Veriut thonë se marrëveshja e vitit 2005 nuk është më e vlefshme, shkruan Faktoje.al.
A ka marrëveshje bilaterale për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit?
Aktualisht nuk ka një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e cila mbron Liqenin e Ohrit. Arian Meroli nga Pogradeci, studiues i Liqenit të Ohrit prej 25 vitesh shpjegon për Portalb.mk se marrëveshja e parë bilaterale në mbrojtje të liqenit është nënshkruar në vitin 1996. Në vitin 2005 është ratifikuar një tjetër marrëveshje e cila ka qenë e vlefshme deri në vitin 2013. Qeveritë e dy vendeve kanë dështuar në arritjen e një marrëveshje në vitin 2019.
Merolli vlerëson se ekziston një mungesë vullneti tek autoritetet e dy vendeve në zgjidhjen e problemeve të cilat rrezikojnë një ndër liqenet më më të vjetër të planetit.
“Bashkëpunimi për mbrojtjen e këtij ekosistemi i ka fillesat e tij në vitin 1996, kur për herë të parë në histori, komuniteti ndërkombëtar bashkoi të dy shtetet që ndajnë ketë ekosistem me vlera të jashtëzakonshme universale, (liqenin e Ohrit dhe basenin e tij), në një Konferencë donatoresh me qellim gjetjen e një zgjidhje afat-gjate për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore te tij. Marrëveshja e nënshkruar midis dy vendeve, (Tetor 1996), u shoqërua me dhënien e një granti nga Banka Botërore për financimin e një projekti bilateral, (Projekti për ruajtjen e liqenit te Ohrit). Ky projekt jo vetëm që ndërtoi bazat e këtij bashkëpunimi, por inicoi edhe një Marrëveshje midis qeverive te Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut (ratifikuar nga dy Parlamentet e dy vendeve në Shkurt te vitit 2005), për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të liqenit.
Një ndër qëllimet e kësaj marrëveshje ishte krijimi i një strukture bilaterale me përfaqësues të lartë të qeverive të dy vendeve dhe autoriteteve lokale në rajon si struktura përgjegjëse për zbatimin e kësaj marrëveshje. Strukturat e krijuara nga kjo marrëveshje, u themeluan në vitin 2005 dhe funksionuan deri në vitin 2013 bazuar në detyrimet që i jepte kjo marrëveshje, duke bërë një sërë vendim-marrjesh shumë të rëndësishme për rajonin, si dhe duke i finalizuar ato në emër të dy qeverive. Për fat të keq këto struktura të krijuara nga kjo marrëveshje nuk janë funksionale pas vitit 2013 pavarësisht një tentative për ti modifikuar ato në vitin 2019, në kundërshtim me marrëveshjen midis dy vendeve, duke sjelle për pasojë që mos ketë një bashkëpunim real, transparent dhe ajo qe është më e rëndësishmja mungesë vullneti për zgjidhjen e problematikave që kërcënojnë ketë ekosistem”, u shpreh Arian Meroli.
Fotografi e huazuar nga faktoje.al