Pretendimi: Kjo video tregon një balonë që fluturoi në qiellin e Milanos pas fitores së kampionatit nga Interi

Verdikti: Mungon konteksti, Video e manipuluar

———————————-

Më 23 prill 2024, një numër portalesh shqiptare botuan artikuj mbi një video të shpërndarë nga llogaria e Instagramit e ekipit italian të futbollit Inter.

Video në fjalë tregon një balonë blu dhe të zezë, me dy yje të artë që varen prej saj. Balona duket se po fluturon mbi një prej monumenteve më të famshëm të qytetit të Milanos, Kështjella Sforzesco. 

Postimi i Inter

Artikujt e përshkruajnë këtë balonë si pjesë e “festës për yllin e dytë të Inter”. Kjo i referohet kampionatit të njëzetë të Interit, që zakonisht tregohet me dy yje, një për çdo 10 tituj. Më 22 prill 2024 ekipi i Interit siguroi pikët e nevojshme për të festuar fitoren e Serie A italiane pasi mundi në derbin klasike AC Milan.

Profili i Interit në Instagram e ka postuar foton duke e shoqëruar me titullin ironik: Statusi i dërgesës: E postuar. 

Kjo nuk i ka penguar artikujt e mediave italiane dhe më pas edhe shqiptare që të kthejnë në lajm foton e balonës mbi qiellin e Milanos. 

Portalet shkruajnë se “në mes të reve të Milanos fluturon në këto orë një balonë e komandueshme imponuese e gjitha zikaltër, padyshim me logon e Inter, të qartë e të dukshme, poshtë së cilës ishin kapur dy yje të artë.”

Megjithatë, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Baloni zikaltër qartazi është krijuar me anë të programeve kompjuterike, dhe është vendosur në një video reale që tregon Kështjellën Sforzesco.

Më tej, qielli në video është i kaltër dhe i qartë, ndërsa personat në video kanë veshur rroba me mëngë të shkurtra. Por, në 23 prill 2024, koha në Milano ishte e zymtë, me shi dhe temperatura të ulëta.