Pretendimi: Qarkullimi i monopatinave elektrike nuk është më i ndaluar nga policia
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Katër muaj pasi Ministria e Brendshme shqiptare dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike, mediat shqipfolëse kanë raportuar se monopatinat e sekuestruara po u kthehen qytetarëve, duke konfirmuar se ndalimi i tyre nuk është më në fuqi. Ky lajm ka krijuar konfuzion te përdoruesit e monopatinave duke menduar se mund t’i përdornin përsëri në rrugë mjetet elektrike që kishin mbajtur të mbyllura në shtëpi prej disa muajsh.


Ndryshe nga ç’u raportua në media, megjithëse rregullorja e premtuar nga Koçiu ende nuk është botuar, udhëzimi mbetet në fuqi në shkurt 2026, deri në publikimin e këtij artikulli.
Kjo është konfirmuar nga vetë Koçiu, e cila ka përgënjeshtruar pretendimin se monopatinat nuk janë më të ndaluara në rrjetet e saj sociale.
“Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm,” deklaroi ministrja, duke u rikujtuar qytetarëve se Policia vijon sekuestrimet.

Më 12 tetor 2025, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, lajmëroi se nga dita e nesërme do të ndalohej përkohësisht qarkullimi i monopatinave elektrike në rrugë.
Koçiu justifikoi ndalimin me 991 rastet e raportuara nga urgjencat, që sipas saj ishin “më shumë se sa të mjaftueshme për ta ndalur menjëherë këtë risi të rrezikshme deri në hartimin e një rregulloreje strikte.” Ajo shtoi se pas përfundimit të procesit rregullator, përdorimi i monopatinave do të lejohet vetëm për përdorim vetjak, jo për qira apo veprimtari tregtare. Njoftimi i ministres u pasua me një valë sekuestrimesh nga Policia.






