Për të tretin vit radhazi, Qendra mediatike Faktoje implementoi Projektin “40 premtime, 10 bashki” për vitin 2022, mbështetur nga organizata “National Endowment for Democracy” (NED).
Gjatë këtij viti në ‘lupën’ e monitorimit të gazetarëve lokalë, Faktojes dhe shoqërisë civile ishin 10 bashki; Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shijak, Krujë dhe Kurbin; 6 prej të cilave të prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe pjesa tjetër bashki për të cilat u mbajtën zgjedhjet e pjesshme vendore në mars 2022.
Monitorimi është përqendruar në dy elementë kryesorë: a) nivelin e transparencës së pushtetit vendor b) përmbushjen e premtimeve elektorale të dhëna në fushatë.
Rezultatet e monitorimit për vitin 2022 për Bashkinë Shijak në komponentin e transparencës e rendisin në vendin e 3 nga 10 në total.
Bashkitë me performancën më të lartë të transparencës janë ajo e Shkodrës dhe Lezhës me 100%.
Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Shijakut ka përmbushur vetëm një nga katër premtimet elektorale të dhëna, një premtim është gjysmë i mbajtur dhe dy të tjerë të pambajtur.
Në total, nga 40 premtimet publike në 10 bashkitë e monitoruara janë mbajtur plotësisht vetëm 10 prej tyre, 20 janë premtime të pambajtura dhe 10 të tjera pjesërisht të mbajtura.
Gjithashtu, në raport gjendet edhe monitorimi i procesit të ngritjes dhe funksionimit të Këshillit Vendor Rinor, një detyrim ligjor i bashkive që do të shërbente në fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikëbërëse; në rastin e Bashkisë Shijak, Këshilli Vendor Rinor nuk konsiderohet i ngritur.
“Nga 10 (dhjetë) bashki nën monitorim, 6 (gjashtë) prej tyre e kanë ngritur Këshillin Vendor Rinor me Vendim të Këshillit Bashkiak; 3 (tre) prej tyre janë në proces përzgjedhjeje të anëtarëve të KVR-ve, ndërsa në 1 (një) bashki rezulton të mos e ketë nisur ende procesin e ngritjes se KVR-së.”- sugjerojnë gjetjet e raportit të monitorimit për vitin 2022.
Synimi i projekti “40 premtime, 10 bashki” për vitin 2022, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) ishte monitorimi i bashkive sa i përket mbajtjes së premtimeve dhe transparencës, me qëllim që t’i ndihmojë bashkitë e monitoruara të rrisin transparencën, të nxisin llogaridhënien si dhe të përmiresojnë shërbimet për qytetarët.
Raportin e plotë mund ta gjeni këtu