Pretendimi: Roza Lati humbi ndjenjat gjatë një interviste live
Verdikti: Mungon konteksti
Postime të shpërndara në portale në vendin tonë pretendojnë se moderatorja dhe ish-banorja e “Big Brother Vip Albania 3”, Roza Lati ka humbur ndjenjat gjatë një interviste live në një emision televiziv.
“Çfarë ndodhi? Roza Lati humb ndjenjat’ në mes të emisionit”- shkruajnë portalet.
Postimet e shpërndara në portale
Mirëpo, nëse do të lexojmë në brendësi të artikullit, na paraqitet një tjetër variant, ndryshe nga çfarë pretendohet në titull. Gjatë një interviste në një prej emisioneve në Top Channel, Roza Lati rrëfeu eksperiencën në “Big Brother VIP Albania 3”, ku shprehu edhe zhgënjimin e saj ndaj disa banorëve.
“Gjatë një loje të zhvilluar në emision, Roza do jepte reagimin e saj për secilin banor të Big Brother, por kur u shfaq fotoja e Eglës, reagimi i saj ishte epik. Ajo u shtri në dysheme dhe reagimi i saj i tha të gjitha”- thuhet ndër të tjera në këtë artikull.
Pra, në këtë rast titulli është thjesht një “karrem” për të tërhequr klikime, duke përhapur një informacion të pasaktë.
Disa media të tjera e kanë ndarë këtë lajm në të njëjtin format të ngjashëm bombastik, por duke vendosur mes thonjëzave humbjen e ndjenjave gjatë emisionit.