Samira Iliazi
Në epokën digjitale, një koment i vetëm mund të shpërndahet me shpejtësi marramendëse, duke u bërë viral brenda pak minutash. Një video e postuar në rrjetet sociale mund të ndryshojë perceptimin publik për dikë më shumë se çdo fjalë e thënë në klasë apo këshillë e marrë në familje. Për të rinjtë, burimi kryesor i ndikimit nuk është më shkolla apo rrethi shoqëror, por ekranet e telefonit, që i shoqërojnë çdo ditë.
Nga frymëzohen të rinjtë sot?
Përdorimi i rrjeteve sociale, formimi i disa profesioneve të reja si “influencer” (ndikues) janë disa nga elemetët që kanë ndikuar shumë në ndryshimin e modeleve në Shqpëri.
“Rrjetet sociale më frymëzojnë në mënyra konkrete, si p.sh. për librat dhe veshjet, pasi i kam përdorur më vonë dhe nuk kam ndjekur verbërisht modele joreale. Përmes një faqeje për libra, kam njohur njerëz të rinj, autorë dhe kam mësuar shumë. Megjithatë, ato kanë ndikuar edhe në rritjen e blerjessë rrobave. Në përgjithësi, përpiqem të marr anët pozitive, si informacioni i shpejtë për aktivitete, vende dhe libra. Në fund, rrjetet sociale janë thjesht një mjet. Mënyra si i përdorim ne është ajo që bën ndryshimin.”,- shprehet Helena Lekaj, një studente 20-vjeçare e letërsisë.
Studimet akademike tregojnë se influencerët po ndikojnë në çfarë informacioni konsumojmë, si edhe në vetëvlerësimin e të rinjve. Reels në TikTok dhe në Instagram po përcaktojnë trendet, shijet muzikore dhe modën.E kjo po kjo ndryshon mënyrën si të rinjtë po zgjedhin modelet. Sot, gjithmonë e më shumëw, “viralja” por shërben si motor kulturor me ndikim në modelet, gjuhën, sjelljet.
“Të jesh adoleshent sot do të thotë të jetosh mes dy botëve, asaj reale dhe online, ku ajo që ndodh në rrjete sociale shpesh kalon në jetën e përditshme dhe merr peshë të madhe. Në Shqipëri janë shtuar rastet kur konfliktet që nisin me komente, mesazhe apo postime përshkallëzohen në përballje fizike, për shkak të impulsivitetit dhe mungesës së kontrollit në këtë moshë. Për një adoleshent, një koment nuk është thjesht fjalë, por një sfidë apo provokim publik, sidomos për shkak të nevojës për pranim dhe frikës për të mos “humbur fytyrën.”, – thotë 20 vjeçarja.
Rrjetet sociale kanë krijuar një realitet ku çdokush mund të bëhet model për të tjerët. Por, në fakt jo çdo model është domosdoshmërisht i mirë. Shpesh, ata që marrin më shumë vëmendje janë pikërisht ata që provokojnë, që krijojnë konflikte ose përdorin një gjuhë përçarëse.
Dalëngadalë, kjo ka filluar të duket normale. Agresiviteti shihet si forcë, ndërsa ironia apo përçmimi si diçka “funny” (për të qeshur).
“Ngjarje të rënda mes adoleshentëve në qytete si Durrësi, Tirana dhe Gramshi tregojnë qartë kalimin e debateve nga online në realitet, shpesh me pasoja tragjike. Këto nuk janë raste të izoluara, pasi përplasje të ngjashme raportohen edhe në qytete të tjera dhe shpesh nisin nga gjëra të vogla, si një koment apo një “story” online. Kjo situatë tregon se konfliktet sot lindin dhe përshkallëzohen shumë shpejt, duke e kthyer rrjetin nga një hapësirë virtuale në një faktor real, që ndikon në mënyrën si ndërtohen marrëdhëniet mes të rinjve.”, – na thotë studentja e gjuhë-letërsisë.
Ajo që e bën situatën edhe më të komplikuar është fakti që, në rrjetet sociale nuk ka gjithmonë rëndësi çfarë ndodh realisht, por si interpretohet. Një shembull që është diskutuar shumë p.sh. është marrëdhënia mes Selena Gomez dhe Hailey Bieber. Edhe pse shumë nga ajo që është thënë për to është bazuar në supozime, publiku dhe rrjetet sociale kanë ndërtuar një lloj narrative ku njerëzit ndahen në dy grupe, pro njërës dhe kundër tjetrës.
Kjo tregon sa lehtë mund të deformohet realiteti online. Edhe persona që bëjnë gjëra të mira, si puna me organizata bamirëse apo ndërgjegjësimi për çështje si shëndeti mendor, mund të përfshihen në drama që nuk pasqyrojnë të vërtetën. Në rastin e Selena Gomez, për shembull, ajo është përfshirë në iniciativa të rëndësishme sociale dhe bashkëpunon me UNICEF, por kjo shpesh kalon në plan të dytë përballë zhurmës që krijohet online për veprime të tjera personale.
Dhe kjo na çon në një reflektim: nëse edhe një figurë e famshme, me miliona ndjekës dhe një platformë të madhe, nuk arrin ta kontrollojë gjithmonë mënyrën si perceptohet, pavarësisht punës vullnetare e të mirë që mund të bëjë, atëherë sa më e vështirë mund të jetë për një të re të zakonshme?
Ndryshe nga personazhet publikë, të rinjtë e zakonshëm nuk kanë mundësi të mbrojnë veten në të njëjtën mënyrë. Një koment negativ, një video e shpërndarë pa kontekst apo një situatë e keqinterpretuar mund të ketë pasoja të mëdha. Dhe, shpesh, këto situata përhapen shumë shpejt, pa u menduar për ndikimin që kanë.
Adoleshentët janë më të rrezikuarit, sepse janë në një fazë ku ende po formojnë identitetin e tyre. Një eksperiencë negative online mund të ndikojë drejtpërdrejt në vetëvlerësimin dhe gjendjen emocionale të tyre. Krijohet kështu një lloj pabarazie ku, disa njerëz kanë mundësi të menaxhojnë imazhin e tyre, ndërsa të tjerët thjesht përballen me pasojat.
“Problemet e përshtatjes së adoleshentëve dhe të rinjve me kohën dhe paradigmat e jetës postmoderne janë transformuar në një problem të madh e kompleks material, estetik, moral, psikologjik e kulturor. Në mënyrë evidente këto janë kthyer në një shqetësim social në mënyrën se si të rinjtë ndërtojnë ekuacionin që lidh Unin, me Veten, me të Tjerët dhe shoqërinë në tërësi. Prandaj, ata konsiderohen sot hallka më e dobët në zinxhirin e shoqërisë. Pyetja është: kush ka përgjegësi për situatën aktuale të të rinjve? Cilat janë paradigmat dhe modelet e frymëzimit, piketat e orientimit dhe përshtatjes sociale dhe individuale të tyre.”
“Pa dyshim, duke qënë se shoqëria shqiptare është e përfshirë tërësisht nga parametrat e epokës globale me trajtë postmoderne, liberale dhe individualiste, është e natyrshme të pranojmë se diagnostikimi i fenomeneve të sjelljes rinore dhe formave imponuese të modeleve të sjelljes sociale të tyre duhen parë me optikë ndryshe nga tërësia e problemeve sociale, përtej kohës së vjetër drejtvizore.”, – shprehet kështu sociologu Gëzim Tushi.
Megjithatë, përtej gjithë kësaj, ekziston edhe një anë tjetër që shpesh nuk vihet në pah. Ka shumë të rinj që zgjedhin të bëjnë gjëra të mira, pa qenë në qendër të vëmendjes. Ata angazhohen në komunitet, ndihmojnë të tjerët dhe kontribuojnë në mënyra konkrete. Në Shqipëri ka plot të tillë që punojnë si vullnetarë me organizata si World Vision Albania, UNFPA, UNDP, CRCA Albania apo UNICEF Albania.
“Të rinjtë e sotëm i shmangin punët vullnetare. Kjo lidhet shpesh me justifikimet e mungesës së kohës së lirë, për shkak të angazhimeve të ndryshme. E shtyrë nga kurioziteti dhe nga një dëshirë e brendshme, vendosa që verën e shkuar të aktivizohesha te “Famullia e Ëngjëjve” (tek Shenjtorja dhe Famullia “Zoja e Këshillit të Mirë” në Gurëz, Laç) për një javë.
Aty njoha një mësuese që për mua është model frymëzim. Flora, një grua e re dhe e bukur, me dy diploma, në psikologji dhe në letërsi, dinjitoze dhe e përzemërt, që përkujdeset për personat me aftësi të kufizuar. Modeli i kësaj mësueseje vlen të ndiqet jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga çdo grupmoshë. Është një mësuese që kontribon në heshtje, pa e bërë lajm, që nuk pranon të dalë në foto e ta shpërndajë nëpër rrjete sociale.”, – na tregon Rozalinda Deda, studente e gjuhë-letërsisë.
Arsyeja pse nuk dëgjojmë shpesh për modele të tilla është sepse kjo nuk është një histori që bëhet virale lehtë. Nuk ka dramë, nuk ka konflikt. Dhe, në një botë ku gjithçka matet me “viwes” (shikime) dhe “likes” (pëlqime), kjo nuk duket gjithmonë interesante.
Por, në fakt, pikërisht janë këto modelet më realë që duhet të ndikojnë. Ata që zgjedhin të ndihmojnë të tjerët mësojnë të jenë më empatikë, më të përgjegjshëm dhe më të ndërgjegjshëm për realitetin përreth. Ata kuptojnë që ndikimi nuk është vetëm ajo që shihet në ekran, por edhe ajo që lë gjurmë në jetën e njerëzve.
Ndoshta, modelet që ia vlejnë të ndiqen nuk janë gjithmonë më të famshmit. Ndoshta, nuk janë ata që shfaqen çdo ditë në rrjete sociale. Por janë ata që, në mënyrë të qetë dhe pa shumë zhurmë, po bëjnë një ndryshim të vogël çdo ditë. Dhe, në një botë kaq të shpejtë, ndoshta, pikërisht këto janë modelet që kanë më shumë vlerë dhe që duhet t’i udhëheqin të rinjtë sot.
Ky shkrim është realizuar me mbështetjen e iniciativës rajonale të Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, i financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.
Përmbajtja e këtij shkrimi dhe opinionet e shprehura në të, janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Kombeve të Bashkuara, përfshirë UNDP, UNFPA, UNESCO, UN Women, ose Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes.






