Nga Sebi Alla
Në qarkun Dibër, që përfshin bashkitë Peshkopi, Bulqizë dhe Mat, lista e mjekëve është aq shkurtër sa nuk ka nevojë për tabelë të hollësishme, vetëm 28 mjekë gjithsej, prej të cilëve 17 të përgjithshëm dhe vetëm 11 të specialiteteve.

Po ashtu, qarku Kukës, Lezhë, Berat apo edhe Korçë, nuk janë të plotësuar me mjekë specialistë.

Edhe në rastet kur ka në organikë mjekë specialistë, numri i tyre është shumë i vogël, (vetëm një) veçanërisht për dy specialitetet Onkologji dhe Ortopedi. Ndërkohë në Kukës nuk ka as mjek anestezist.

Diferenca mes mjekëve të përgjithshëm dhe të specialiteteve është i lartë, duke nxjerrë si fenomen shqetësues mungesën e shërbimit të specializuar për pacientët në zonat ku jetojnë, veçanërisht në Veri dhe Juglindje.
Shpërndarja
Në të gjithë vendin janë të regjistruar 6037 mjekë me licensë. Të dhënat e vëna në dispozicion për Faktoje.al nga “Urdhri i Mjekut”, tregojnë se më shumë se 55 % e tyre janë mjekë të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër specialistë të profileve të ndryshme mjekësore.
Në referim të të dhënave zyrtare, ajo që duket problematike është shpërndarja e mjekëve specialistë në rang qarku.
Nga të dhënat rezulton se në rang qarku dominojnë mjekët e përgjithshëm me 3433 të tillë, duke krijuar një hendek të ndjeshëm me specialitetet.
Një raport i detajuar i KLSH-së së vitit 2024, që analizon shpenzimet për pacientë, fondet që jepen për sistemin shëndetësor dhe mungesën e mjekëve specialistë konstaton probleme serioze në rrethe.
“Ulja e numrit të ndërhyrjeve nën projeksionin vjetor të planifikuar kryesisht në spitale nivel bashkie ka ardhur si mosfunksionim i shërbimit të kirurgjisë së përgjithshme dhe shërbimit obstetrik gjinekologji si pasojë e mungesës së mjekeve specialistë në këto spitale. Spitali i Bulqizës, Gramshit, Kolonjës nuk ka mjek specialist anestezist, reanimator, nuk është funksional shërbimi i kujdesit intensiv”, konstaton raporti.
Raporti
Duke u ndalur tek shpenzimet, i njëjti raport vlerëson se një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve e zenë ato spitalore dhe evidentojnë edhe një rritje të shumës për bonusin e mjekëve specializantë, ndonëse në shifra të vogla.
“…financime për spitalet publike janë 1,166,362 mijë lekë më shumë; Shpenzime për paketat spitalore në privat janë 50,954 mijë lekë më shumë shpenzime bonus për mjekët specializantë janë 2,350 mijë lekë më shumë dhe shpenzimet për PPP sterilizim dializa janë 96,553 mijë lekë më shumë”, thotë KLSH-së duke iu referuar vitit 2023.
Të gjithë në Tiranë
Përqëndrimi i shërbimit mjekësor më të specializuar është kryesisht në Tiranë.
Nga 6037 mjekë në të gjithë vendin, Tirana ka tërhequr 3980, ose 66% të totalit.
“Parimi është që ekselenca të mos përqëndrohet vetëm në Tiranë, por të jenë edhe në spitalet rajonale, me fusha të ndryshme specializimi”, tha tre javë më parë ministrja e Shëndetësisë Evis Salaj gjatë vizitës që zhvilloi në Spitalin Rajonal të Lezhës me kryeministrin Rama.
Por përtej deklaratës, të dhënat zyrtare flasin për shërbim shëndetësor të kufizuar në rrethe të ndryshme të vendit dhe prej vitesh.
Për vitin 2023 psh konstatohet që nga 100 vizita, vetëm 12 janë kryer nga mjekë specialistë dhe pjesa tjetër nga mjekë të përgjithshëm. “Gjatë vitit 2023 në Qendrat Shëndetësore të Kujdesit Parësor janë kryer 7,342,096 vizita, ku 6,460,590 vizita janë kryer nga mjekët e përgjithshëm të familjes dhe 881,506 vizita janë kryer nga mjekët specialistë të QSH të Specialiteteve në Tiranë”, konstaton raporti i KLSH-së.
Fenomeni
Në kryeqytet numërohen 61 specialitete mjekësore, ndërsa në katër spitale rajonale shtatë specialitete të mbuluara, por me numër mjaft të kufizuar.
Disi përjashtim, përveç Tiranës bëjnë Spitalet Rajonale në Durrës, Elbasan dhe Fier, ku numri i specialistëve dhe shërbimeve mjekësore që ofrohen është relativisht i lartë.
Qarqet e tjera në vend përballen me mungesën e mjekëve specialistë.
Referuar një përgjigje zyrtare nga ministria e Shëndetësisë për Faktoje, numri i Spitaleve Rajonale në Republikën e Shqipërisë gjithsej është 10.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë







