Pretendimi: Mjeku Edmond Gashi shkeli masën e arrestit në shtëpi dhe fshiu kamerat e lokalit ku drekoi
Verdikti: Mungon konteksti
Skandali i zbuluar në spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ngjalli jo pak reagim te qytetarët, por vuri në lëvizje edhe strukturat shtetërore. Lajmi u publikua gjerësisht në të gjitha mediat në vendin tonë, duke ndjekur hap pas hapi çdo zhvillim në lidhje me këtë çështje.
Në një artikull që mban datën 28 qershor, portalet raportuan se mjeku Edmond Gashi, i përfshirë në këtë skandal, kishte fshirë pamjet e kamerave të sigurisë, pasi kishte thyer arrestin e shtëpisë.
“Theu masën e arrestit dhe u ul në lokal, policia: Mjeku Edmond Gashi fshiu pamjet filmike”-shkruajnë portalet.
Në brendësi të shkrimit vëmë re që bëhet fjalë për një njoftim nga Policia, por ndryshe nga çfarë thuhet në titull, në njoftimin zyrtar nuk raportohet se pamjet janë fshirë nga mjeku Edmond Gashi. Sipas policisë, ka qenë një tjetër shtetas, me inicialet E.S. i cili ka fshehur pamet e kamerave të sigurisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. G., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’ dhe për shtetasin E. S., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.
Shtetasi E. G. ka thyer shkelur masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, duke dalë jashtë banesës, ndërsa shtetasi E. S. ka fshehur DVR-në me pamjet filmike nga lokali ku ka qëndruar Edmond Gashi.’- njoftoi Policia.
Në media të tjera online është zbuluar edhe identiteti i personit që akuzohet se fshehu pamjet e kamerave të sgurisë për të mbrojtur mjekun Edmond Gashi.
Më 27 qershor, Gjykata Penale e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë për mjekët e spitalit Onkologjik. Mjeku Edmond Gashi dhe Florian Marku, administrator farmacie do të vijojnë në jenë në “arrest shtëpie”, e ndërsa pjesa tjetër e mjekëve “Detyrim paraqitje” me akuzën e shpërdorimit të detyrës.