.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjekimi për zemrën me këshilla nga mjekët e rremë

Mjekimi për zemrën me këshilla nga mjekët e rremë

Mjekimet për sëmundje të ndryshme që qarkullojnë si këshilla mjekësore në mediat online duhet të merren gjithmonë me rezerva. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull që sugjeron preparate për problemet e zemrës, ku janë përdorur mjekë dhe foto të rreme.

Portalet kanë prezantuar një tjetër produkt që supozohet se trajton problemet e zemrës, duke dhënë edhe statistika në mënyrë që ta bëjnë sa më të besueshme për lexuesit online.

HAPJA ЁSHTЁ E NDALUAR: ‘Për 7 javë, rruazat e kuqe artificiale do të shpëtojnë përgjithmonë nga hipertensioni, do të forcohen enët e gjakut dhe do të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme imunitetiti!”, shkruan që në krye “Med Portal”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të artikullit, pasi ofrimi i produkteve të tilla ka një ndikim të madh në jetën e qytetarëve.

Së pari, në tekst thuhet: “Kardiokirurgu deklaroi hapur: ‘Ju nuk harroni eterin me informacione për virusin, dhe mbyllni sytë ndaj problemit që çdo vit vret 1.5 milionë njerëz në Shqipëri! Pse askush nuk flet për sëmundjet e sistemit kardiovaskular? Pse heshtni të gjithë pasi ekziston një ilaç që lehtëson plotësisht hipertensionin?”. Mirëpo, është shumë e qartë që këto shifra janë të sajuara dhe nuk i përkasin vendin tonë. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e Shqipërisë është rreth 2.8 milionë banorë dhe vdekjet nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut llogariten mbi 14 mijë.

Ne bëmë edhe një verifikim të mjekëve të përmendur në artikullin në fjalë. Nga kërkimi nuk rezulton që në Shqipëri të ketë një mjek me emrin Bledar Ago. Ndërsa, nga kërkimit nëpërmjet TinEye rezulton se foto e përdorur për mjekun është thjesht një imazh ilustrues. Fotoja qarkullon në internet që prej vitit 2016.

Një tjetër emër mjeku i përdorur nga portali është Irfan Mehmeti, ku pretendohet se është “kryetar i Unionit të seteve të Farmacive në Shqipëri”. Nga kërkimi rezulton se mjeku në fjalë nuk ekziston në vendin tonë, ndërsa foto e përdorur për mjekun e rremë qarkullon në internet që prej vitit 2014.

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img