Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, është kthyer në një shqetësim serioz. “Faktoje” verifikoi se si portalet përdorin emrin e një mjeku të rremë për të shitur një produkt që sipas tyre “bën mrekullinë” kundër diabetit.
Mjekimet për sëmundje të ndryshme që qarkullojnë si këshilla mjekësore në mediat online duhet të merren gjithmonë me rezerva. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull që sugjeron një medikament për kurimin e diabetit, me mjekë dhe personazhe të rreme.
Artikulli nis me një të moshuar që rrëfen se si është prekur nga sëmundja e diabetit dhe ka hequr dorë nga kura mjekësore që i ka rekomanduar mjeku, pasi ka nisur të përdorë një medikament që portali dial.openhealth.cdf pretendon se shëron këtë sëmundje në 20 ditë.
Screenshot nga portali dial.openhealth.cdf
Nga një kërkim i thjeshtë në rrjet, përmes TinEye, rezulton se i moshuari që përdoret si rast suksesi për të reklamuar medikamentin në fjalë, jo vetëm që nuk është shqiptar, por imazhi i tij është marrë nga interneti në një set fotografik që ka realizuar Anna Lurie, një pedagoge matematike në Palm Beach State College të Floridas SHBA.
Për ta bërë sa më të besueshme për lexuesit këtë histori, portali e shoqëron artikullin me një intervistë të një mjeku endokrinolog shqiptar të quajtur Fatmir Gashi, që këshillon përdorimin e këtij medikamenti çudibërës për problemet e diabetit.
“Medikamenti quhet Diafix. Këto janë pilula speciale që ju duhet t’i merrni 2 herë në ditë gjatë gjithë kursit. Përbërja e preparatit përfshin ekskluzivisht ekstrakte të bimëve medicinale, dhe asnjë kimikat. Përbërja është e balancuar me kujdes, për shkak të kësaj ajo ka një efekt kompleks në sëmundje, e cila sigurisht që rrit efektivitetin e trajtimit.” – shkruhet ndër të tjera në intervistën e publikuar portal.
Kjo intervistë e portalit numëron dhjetra komente, të cilat reklamojnë produktin në fjalë, në përpjekje për të bindur lexuesit që ta blenë këtë medikament.
Ne bëmë edhe një verifikim të mjekut të përmendur në artikullin në fjalë. Nga kërkimi nuk rezulton që në Shqipëri të ketë një mjek me emrin Fatmir Gashi. Ndërsa, nga kërkimit nëpërmjet TinEye rezulton se foto e përdorur për mjekun është imazh i ricikluar nga faqe të ngjashme të huaja që reklamojnë të njëjtin medikament për diabetin, por me emër tjetër.
Ndërkohë, edhe kolegët tanë në Kosovë kanë bërë një verifikim të ngjashëm, për të njëjtin medikament. Edhe në Kosovë, produkti reklamohet duke përdorur të njëjtën skemë mashtrimi sikurse edhe në Shqipëri.
“Faktoje” vendosi të bëjë këtë verifikim, pasi ofrimi i produkteve të tilla ka një ndikim të madh në jetën e qytetarëve, veçanërisht tek të moshuarit që vuajnë nga diabeti. Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.