Pretendimi: Shefi i Departamentit të Kirurgjisë Vaskulare në Universitetin Kombëtar të Mjekësisë në Shqipëri, Dr. Skënder Ismaili, rekomandon këtë produkt për pastrim vaskular.

Verdikti: E pavërtetë, skemë mashtrimi

———————————————————————————

Reklamimi i medikamenteve në formën e këshillave mjekësore nga mjekë të rremë është një nga format e dizinformimit të qëllimshëm në rrjet. I tillë është dhe artikulli që shfaqet në Facebook, nën titullin “Pas kësaj pastrimi vaskular, tensioni i lartë i gjakut largohet, së bashku me 9 sëmundje të tjera ‘të pashërueshme’”.

Faqja është ndërtuar për t’i ngjasuar një portali online mjekësor. Megjithatë, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt “nutraceutik”, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 7,800 lekë, ose 3,900 lekë me ulje.

“Nutraceutik” është një term marketingu që përdoret për të nënkuptuar një efekt farmaceutik nga një përbërës ose produkt ushqimor që nuk është konfirmuar ose miratuar shkencërisht që ka përfitime klinike.

Produkti në fjalë prezantohet në një intervistë të stisur me “shefin e Departamentit të Kirurgjisë Vaskulare në Universitetin Kombëtar të Mjekësisë në Shqipëri, Dr. Skënder Ismaili, neurokirurg me praktikë të gjatë dhe mjek i nderuar në vend.”

Megjithatë, nga një kërkim për “Skënder Ismaili” në faqen zyrtare të Universitetit të Mjekësisë nuk rezulton se një mjek i tillë ekziston. Më tej, “Departamenti i Kirurgjisë Vaskulare” nuk është në listën e departamenteve të Fakultetit të Mjekësisë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto që pretendohet se tregon “Dr. Skënder Ismailin” është një foto ilustruese e marrë nga interneti, e cila mund të përdoret nga kushdo me 35 dollarë për ta blerë.

Më herët, Agjencia Kombëtare e Barnave ka sqaruar për Faktoje se produkti që shitet në këtë faqe, Hypertea, është një shtesë ushqimore dhe jo medikament. Ndërsa presidentja e Urdhrit të Farmacistit Diana Toma theksonte se: “Unë jam e bindur që nuk ka mjekë që të reklamojë produkte të tilla. Duhet një reagim nga institucionet për të kontrolluar edhe këtë kategori produktesh pasi ndikojnë në jetën e qytetarëve”.

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.