Pretendimi: Trikologët kryesorë në vend publikuan një listë të shampove të rrezikshme për flokët dhe treguan se si të rivendosni volumin dhe dendësinë e flokëve

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Artikulli në një faqe, që është dizenjuar për t’u dukur si një media e mirëfilltë online, u premton lexuesve një mënyrë për të rikuperuar flokët e humbur si rezultat i shampove të dëmshme.

Si burim i këtyre këshillave prezantohet një mjeke me emrin Orjola Berisha, e cila shfaqet si një nga specialistet më të njohura në fushën e trajtimit të probleme me flokët. Duke verifikuar në regjistrin publik të Urdhërit të Mjekëve, rezulton se nuk ekziston një profesioniste në Shqipëri me këtë emër duke ngritur dyshime se kemi të bëjmë me një skemë marketingu online që synon të ngjallë bësueshmëri tek lexuesit nëpërmjet përdorimit të figurave publike apo profesionistëve të ndryshëm.

Në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një shampo, të cilën mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 7800 lekë, ose 3900 lekë me ulje.

Praktikisht, i gjithë artikulli, faqja, dhe personazhi i mjekes Orjola Berisha janë stisur për të shitur pikërisht këtë produkt, i cili premton se mund të rikuperojë flokët e rëna nëse përdoret. Çuditërisht, faqja nuk liston përbërësit e shampos. 

Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se fotot e përdorura në faqe si dëshmi të efikasitetit të shampos që reklamohet janë marrë, ironikisht, nga faqetregojnë rezultatet e operacionit të mbjelljes së flokëve.

Foto e përdorur në artikull

Foto origjinale e marrë nga faqja e klinikës së transplantit të flokëve Hattingen në Zvicër