.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjekë dhe pacientë të rremë për mjekimin e shitur online për sytë

Mjekë dhe pacientë të rremë për mjekimin e shitur online për sytë

Këshillat nga mjekë të rremë dhe dëshmi nga pacientë që kanë provuar efektet çudibërëse të medikamenteve të shitura online janë një nga format e reja të dizinformimit online. “Faktoje” verifikoi një rast të një medikamenti për trajtimin e problemeve me sytë si këshilla e rradhës e gënjeshtërt.

———————————————————————————————————————————

Një mjekim që pretendohet se bën “mrekullinë” për shikimin, reklamohet ditët e fundit nga një faqe online, duke e shitur për lexuesit si një zhvillim në fushën e mjekësisë. “Arben Muça, një student shqiptar, mori Çmimin Evropian për Inovacionin në Shkencë për zbulimin e mënyrave për të ruajtur shikimin”, shkruan faqja “frankkymccormick.ru”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit të publikuar nga kjo faqe, e cila që në krye të faqes identifikohet me emrin e këtij produkti. Fillimisht, ne bëmë një kërkim të thjeshtë me TinEye për të verifikuar foton e studentit, i cili supozohet se ka bërë “zbulimin e formulës unike”. Nga kërkimi rezulton se foto e të riut është marrë në internet, ku qarkullon që prej vitit 2021. Ndërsa nga kërkimi në Google nuk rezulton te ketë një student me emrin ‘Arben Muça’, i cili të jetë vlerësuar me një çmim të rëndësishëm.

Ne verifikuam edhe foton e përdorur për gazetarin që ka zhvilluar intervistën, ku nëpërmjet TinEye zbuluam se ky imazh qarkullon në rrjet që prej vitit 2014.

Një tjetër emër i përdorur në artikull është ai i një mjeku okulist, Kujtim Doçi. Nga kërkimi i bërë në listën e mjekëve rezulton se nuk kemi një profesonist të shëndetit me këtë emër.

Ndërkohë, po të shohim komentet që shoqërojnë artikullin, ato janë bërë nga profile të rreme, të cilat nuk ke mundësi t’i klikosh.

Screenshot, komentet e rreme në faqen e portalit

Artikulli në fjalë është duke përdorur një model marketingu që krijon besimin tek medikamentet apo produktet e ndryshme që promovon duke i “shitur” ato si këshilla të mjekëve profesionistë. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portale të caktuara dizinformojnë lexuesit, duke përdorur mjekë të rremë për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img