Pretendimi: Fituesja e Miss Gjermania 2024, Apameh Schönauer, është transgjinore

Verdikti: E pavërtetë

———————————-

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se “transgjinori iranian Apameh Schönauer është kurorëzuar ‘Miss Gjermania’ 2024.”

Postimi i Stopfake Albania nuk i referohet asnjë burimi për këtë pretendim.

Megjithatë, artikujt e mediave gjermane dhe ndërkombëtare që kanë raportuar mbi fitoren e Schönauer nuk përmendin në ndonjë moment se ajo është transgjinore.

Në faqen zyrtare të Miss Gjermania, profili i Schönauer e përshkruan atë si “një arkitekte dhe mama krenare e dy fëmijëve”. Ajo ka lindur në Teheran, Iran, por është shpërngulur në Gjermani kur ishte gjashtë vjeç.

Fitorja e Schönauer ngjalli një mori komentesh negative në media dhe rrjete sociale. Kundërshtarët e fitores së saj u shprehën të ofenduar sepse ajo nuk i përmbush standardet stereotipike të bukurisë, është shumë e madhe në moshë, dhe disa u shprehën se ajo nuk është “mjaftueshëm gjermane.” Megjithatë, as në shkrimet negative ndaj Schönauer nuk përmendet ndokund pretendimi se ajo është transgjinore. Vajzat dhe gratë që konkurojnë në Miss Gjermania e kanë të detyruar që të bëjnë publike ndryshimin e gjinisë dhe operacionet e tjera estetike.  

Ndërkohë, Miss Gjermania 2023 u fitua nga Saskia von Bargen, që është në fakt grua transgjinore.