BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDonald Trump nuk kryqëzoi duart për të bërë simbolin e shqiponjës  

Donald Trump nuk kryqëzoi duart për të bërë simbolin e shqiponjës  

Pretendimi: Donald Trump përshëndet me duart e kryqëzuara si simboli i shqiponjës

Verdikti: Mungon konteksti

Foto e Donald Trump ku shfaqet në atë që interpretohet si simboli i shqiponjës nuk ka lidhje me Shqipërinë. Simboli me duar është shenja e 10 rregullave që promovon një miku i tij biznesmen.

Në rrjetet sociale është publikuar në 20 shkurt një foto ku shfaqet Donald Trump në krah të një burri tjetër, duke bërë një simbol me bashkimin e dy duarve, të ngjashëm me shqiponjën e famshme shqiptare. Foto shoqërohet me sloganin e shqipëruar të fushatës së ish-presidentit amerikan:  “MAKE ALBANIA GREAT AGAIN!”.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Disa komentues të postimit shprehin entuziasmin apo edhe komentojnë formën jo fort të realizuar të shqiponjës së Trump në foto.

Por, si është e vërteta e kësaj fotoje? Ne bëmë një kërkim nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove, ku rezulton se imazhi i përket marsit të vitit 2022, kur Donald Trump ka marrë pjesë si i ftuar VIP në një event të organizuar nga Grant Cardone, personi tjetër që shfaqet në foto.

Cardone është një biznesmen amerikan mjaft i njohur në publik si investitor i pasurive të paluajtshme, por edhe motivues dhe mentor i të rinjve që duan të nisin një biznes të suksesshëm nëpërmjet programit të tij të “10 rregullave” (10X).

Pikërisht, këto 10 rregulla suksesi janë frymëzim i simbolit me 10 gishta që promovohet në takimet frymëzuese me publikun të Cardones. Shenja e famshme e 10 gishtave mund të dallohet lehtësisht në faqen e tij zyrtare, ku publiku përshëndet me duart e kryqëzuara, në versionin e ngjashëm të shqiponjës shqiptare.

 Cardone është kthyer në fokus të lajmeve në ShBA pas një njoftimi në rrjetin X se do të ndalonte investimet e tij në Nju York pas një vendimi të fundit të këtij shteti.

Në 16 shkurt, gjykatësi i Nju Jorkut, Arthur Engoron, shpalli fajtor ish-presidentin Donald Trump për mashtrim, duke e urdhëruar atë të paguante 355 milionë dollarë dhe duke e ndaluar përkohësisht nga biznesi i tij me bazë në Nju Jork.

“Nëse ky vendim dhe dënimi nuk anulohen, ai mund të bëhet një precedent që do të thotë se të gjithë huamarrësit kudo janë në rrezik që t’u ndodhë e njëjta gjë,” i tha GOBankingRates Cardone, i cili do të presë “10X Growth Conference” në prill të këtij viti.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img