.

.

BallinaAktiviteteMisioni ndërkombëtar në Shqipëri: Liria e shtypit në përkeqësim

Misioni ndërkombëtar në Shqipëri: Liria e shtypit në përkeqësim

Liria e shprehjes në Shqipëri ishte tema kryesore mbi të cilën u hartuan një sërë gjetjesh paraprake nga një koalicion prej 7 organizatash ndërkombëtare për lirinë e medias. Ky organizëm, pjesë e një misioni ndërkombëtar synoi të mbledhë informacion mbi sfidat e lirisë së shprehjes dhe lirinë e shtypit në vend për të përçuar shqetësimet drejtpërsëdrejti te përfaqësuesit e qeverisë.

Vlen të theksohet se përfaqësues të misionit zhvilluan një sërë takimesh me gazetarë, kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare dhe ambasada të huaja të pranishme në Tiranë si dhe zyrtarë të lartë të qeverisë përfshirë edhe kryeministrin Rama. Numri një i bashkisë Tiranë, Erion Velia, ka refuzuar të takohet me delegacionin.

Gjetjet e fokusuara në përmirësimin e situatës për lirinë e shtypit dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri

Delegacioni gjeti se liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim. Sulmet fizike të kohëve të fundit kundër gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura. Zyrtarët më të lartë publikë rregullisht përdorin gjuhë që ul vlerat dhe sulmon gazetarët kritikë. Administrata publike, përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, nuk janë transparencë në ndërveprimin e tyre me median dhe kufizojnë aksesin e gazetarëve kritikë. Legjislacioni i propozuar së fundmi i lidhur me median, përfshirë një skemë drakoniake rregullimi për median shqiptare dhe atë të huaj, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Delegacioni në prezantimin e raportit të misionit të advokimit, u shpreh i shqetësuar se Shqipëria, një demokraci, një Shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe një vend kandidat për Bashkimin Europian, nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga ligji shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

 

 

Përfaqësues të misionit të përbashkët ndërkombëtar të advokimit mbi lirinë e shprehjes në vendin tonë qëndruan nga data 18-21 qershor në Tiranë, me përbërje nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), ARTIKULLI 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve, (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore (SEEMO).

Koalicioni u deklaruar thellësisht i shqetësuar nga propozimet e dhjetorit 2018 të qeverisë së Shqipërisë për ndryshime në legjislacionin mbi median në vend, i cili do të krijojë një kërkesë për regjistrim të detyruar të medias në internet dhe do të krijojë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur median online dhe për të bllokuar mendian e huaj pa një urdhër gjykate. Sipas koalicionit këto masa tentojnë të krijojnë një rregullim shtetëror për median online, gjë që bie në kundërshti me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe mund të ketë ndikim të dëmshëm mbi lirinë e shprehjes dhe të informimit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.

Delegacioni shprehu shqetësim mbi atë që gazetarët e përshkruan si një numër në rritje të akuzave për shpifje të motivuara politikisht kundër gazetarëve të ngritura nga politikanët, shpesh duke kërkuar dëmshpërblime në shuma disproporcionale. Pretendime të tilla kanë pasoja serioze dëmtuese mbi gazetarët. Delegacioni vëren raportet pozitive nga gjykatat shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po zbatojnë standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastet e shpifjeve. Sipas delegacionit, kryeministri Rama ka thënë se do të konsiderojë mundësinë e shfuqizimit të plotë të ligjeve penale të shpifjes. Po sipas kryeministrit, nuk do të përdoret ligji penal kundër gazetarëve por do të vijojë të ngrejë padi civile për shpifje kundër gazetareve vetëm në raste “ekstreme”.

 

Siguria e gazetarëve: kërcënimet, sulmet dhe vetë-censura ishte një tjetër temë mbi të cilën u hartuan gjetjet e delegacionit. Ky i fundit u informua gjatë intervistave me aktorët se raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimet serioze kundër gazetarëve në lidhje me raportimet e tyre mbeten të pazgjidhura nga autoritetet.

Në disa raste, gazetarët vendosin të mos raportojnë kërcënimet dhe sulmet te autoritetet përkatëse dhe të mos informojnë publikun-vëren delegacioni i cili u informua se autoritetet nuk ndjekin siç duhet çështjet, dhe nuk investigojnë arsyet pas kërcënimeve dhe sulmeve.

Gjatë takimeve me gazetarët, delegacioni u informua se Kryeministri Edi Rama në mënyrë konstante i referohet atyre si “kazanë”. Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha i referohet medias si “të kapur dhe të blerë”. Një gjuhë e tillë denigron gazetarët dhe i bën ata të duken si shënjestër e ligjshme për agresion në sytë e publikut, duke rritur rrezikun e kërcënimeve apo dhunës kundër tyre.

Situata e aksesit në informacion dhe në transparencën e qeverisë në Shqipëri duket se është e përzierë-saktësoi delegacioni. Nga njëra anë, ligji shqiptar për të drejtën e informimit shihet gjerësisht si i shkëlqyer, megjithëse zbatimi mbetet i papërshtatshëm. Autoritetet shtetërore vijojnë t’i mohojnë gazetarëve akses në dokumente me interes publik thelbësor dhe të ligjshëm – veçanërisht ato të lidhura me kontratat publike, tenderët dhe koncesionet – dhe përdorin taktika vonuese me rezultat që kur gazetarët në fund marrin informacionin, ai nuk është më relevant. Gjithsesi, si Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ashtu edhe gjykatat shqiptare janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në konfirmimin e të drejtës së gazetarëve për të aksesuar dokumente. Në anën tjetër, delegacioni gjeti konsensus të gjithëpërhapur mes aktorëve të medias se administrata publike në Shqipëri kufizon aksesin e gazetarëve të pavarur dhe përdor formatet e veta.

 

Misioni ndërkombëtar konfirmoi se pronësia e medias shqiptare dhe të ardhurat nga reklamat janë shumë të përqendruara në duart e pak grupeve nën pronësi familjare, me një shkallë të lartë pronësie ndërsektoriale. Kjo situatë është theksuar më herët nga BIRN Albania dhe Reporterë Pa Kufij.

Rekomandime të Misionit Ndërkombëtar

  • Në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë nën Këshillin e Europës, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe OSBE-së, ne nxisim qeverinë të eliminojë klauzolat ligjore që mund të imponojnë kërkesa për regjistrim dhe rregullim shtetëror të medias në internet, si dhe klauzolave që i japin rregullatorëve fuqinë për të pezulluar apo bllokuar aksesin te publikimet elektronike apo që të vendosin gjoba;
  • Legjislacioni për median duhet të hartohet në një mënyrë transparente, në konsultim të ngushtë me gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile. Kryeministri, kryetari i opozitës dhe politikanët duhet të ndërpresin menjëherë fushatat e sulmeve dhe retorikën diskredituese kundër gazetarëve dhe profesionistëve të medias;
  • Politikanët shqiptarë duhet të organizojnë konferenca të shpeshta për shtyp dhe të lejojnë të gjithë gazetarët të bëjnë pyetjet dhe të mos diskriminojnë ata në bazë të raportimeve që ata bëjnë. Të gjithë gazetarët duhet të kenë akses të barabartë në informacion të qeverisë/publik;
  • Ne nxisim autoritetet të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, të rrisin efikasitetin e hetimit të plotë dhe tërësor të kërcënimeve, fushatave të shpifjeve dhe sulmeve fizike kundër gazetarëve, duke i sjellë ata përgjegjës para drejtësisë. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga protestat.

 

 

  • Ne nxisim gazetarët dhe profesionistët e medias të raportojnë rastet e sulmeve dhekërcënimeve te partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Sigurinë e Gazetarëve, te Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias dhe te organizatat për lirinë e shprehjes;
  • Ne nxisim gazetarët dhe shoqërinë civile brenda Shqipërisë të ndërmarrin masa për të fuqizuar solidaritetin;
  • Ne nxisim gazetarët dhe profesionistët e medias në Shqipëri të respektojnë standardet profesionale dhe të fuqizojnë vetë-rregullimin përmes anëtarësisë në Këshillin Shqiptar të Medias;
  • Ligjvënësit duhet të miratojnë amendimet për të siguruar pavarësinë operacionale, financiare dhe të burimeve njerëzore të Komisionerit për të Drejtë Informimi dhe për Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
  • Të vendosen masa efikase për të rritur transparencën dhe pluralizmin e pronësisë së medias.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img