Shkrimi i botuar në Patriotik Media mban titullin sensacionalist “Ata po përpiqen të na vrasin? Mishi i krijuar në laborator, i mbështetur nga Bill Gates ka qeliza kanceri dhe mund të shkaktojë probleme shëndetësore të frikshme…”
Ky shkrim është në fakt një përkthim i një artikulli të botuar nga faqja “The Gateway Pundit“, që karakterizohet nga orientimi i saj politik i ekstremit të djathtë, dhe nga lajmet e rreme që boton shpesh.
Në tekst, pretendohet se një raport nga Bloomberg “zbuloi se mishi i rritur në laborator i mbështetur fuqishëm nga Bill Gates ka qeliza kanceroze.”
Artikulli i Bloomberg të cilit i referohet teksti është botuar në 7 shkurt me titullin “Mishi i rritur në laborator ka një problem më të madh se laboratori.” Nëntitulli i artikullit të shkruar nga Joe Fassler deklaron: “Shkencëtarët bien dakord se produktet e mishit artificial nuk do të të shkaktojnë kancer, por industria nuk ka dekada të dhënash që e provojnë këtë – kështuqë po përpiqet ta shmangë pyetjen.”
Në brendi, artikulli shpjegon se “në mënyrë që kulturat qelizore të rriten në nivele mjaftueshëm të mëdha për të furnizuar një biznes, një numër kompanish po përdorin në heshtje ato që quhen qeliza të pavdekshme, diçka që shumica e njerëzve nuk e kanë ngrënë me qëllim. Qelizat e pavdekshme janë karakterisitike të kërkimeve shkencore në mjekësi, por ato janë, teknikisht, para-kanceroze dhe mund të jenë, në disa raste, plotësisht kanceroze.”
Në paragrafin pasues, artikulli vijon:
“Mos u shqetësoni: Kërkues të shquar të kancerit i thanë Bloomberg se, duke qenë se qelizat nuk janë njerëzore, është në thelb e pamundur që njerëzit që i hanë të zhvillojnë kancer prej tyre, apo që qelizat parakanceroze apo kanceroze të shumohen brenda sistemit njerëzor.”
Artikulli ngre shqetësimin se “megjithë konsensusin informal shkencor rreth sigurisë së qelizave të pavdekshme, thjesht nuk ekzistojnë studime shëndetësore afatgjata që e provojnë atë.”
Në të njejtën kohë, megjithatë, artikulli pranon se:
“Megjithatë, nuk ka prova se qelizat e mishit artificial do të bëhen kanceroze brenda trupit të ngrënësit. Shumica e shkencëtarëve me të cilët fola për këtë shkrim thonë se, në rastin më të keq, enzimat tona tretëse do të shpërbënin çfarëdolloj qelizash kafshërore që ne do hanim. Nëse do të donim, do mund të hanim tumorë malinjë pulash me kova. “Eshtë në thelb e pamundur që një qelizë nga një specie të futet në indet e një specieje tjetër,” tha Weinberg [biologu nga MIT që provoi se kanceri ishte sëmundje gjenetike në 1980], “Kështuqë edhe nëse dikush do të merrte qeliza tepër malinje nga një lopë dhe do i pinte, nuk e shoh se ku do qëndronte problemi.”
Po nga artikulli, mësojmë se rregullatori amerikan i ushqimeve, FDA, “doli në përfundimin se edhe qelizat krejtësisht kanceroze do të ishin të sigurta për t’u ngrënë sepse ato ndalojnë së rrituri pasi dalin nga bioreaktori, dhe gatimi dhe tretja do t’i shpërbënin në mënyrë të padëmshme.“
Artikulli gjithashtu deklaron se disa kompani po prodhojnë mish artificial pa përdorur qelizat e pavdekshme.
Kështu, një lexim i plotë i artikullit të cilit i referohet teksti i “Patriotik Media” zbulon se ai nuk zbulon apo provon në asnjë moment se “mishi i rritur në laborator ka qeliza kanceroze”. Përkundrazi, ai citon një numër shkencëtarësh që hedhin poshtë në thelb këtë pretendim.
Për më tej, disa gazetarë e kanë kritikuar artikullin e Bloomberg duke thënë se po ngre në diskutim një çështje mbi të cilën ka tashmë një konsensus shkencor. “Shkencëtarët thonë që të hash mishin e viçit nuk do të të bëjë të pëllasësh apo të defekosh në bar, por mishi i viçit është i përbërë nga organizma që bëjnë po këto gjëra – pse industria po e shmang këtë pyetje?” ironizoi gazetari Michael Grunwald në Twitter.