Pretendimi: Ministrja e jashtme gjermane refuzoi të dalë në foto me kancelarin gjerman, Olaf Scholz
Verdikti: E pavërtetë
Në artikuj të shpërndarë në portale në vendin tonë pretendohet se ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka refuzuar të fotografohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, pas bllokimit të ndihmave për Ukrainën.
“Ministrja gjermane largohet nga mbledhja dhe refuzon të fotografohet me Scholz për bllokimin e ndihmave për Ukrainën”, shkruajnë portalet.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/cc-1.png)
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në imazhin e publikuar shihet kancelari gjerman duke zgjatur dorën drejt ministres së Jashtme, e cila është me kurriz nga Scholz. Kaq ka mjaftuar që në rrjetet të shpërthejnë teoritë konspirative në lidhje me situatën e krijuar mes zyrtarëve gjermanë. Mirëpo, informacionet e verifikuara nga kolegët e mediave të huaja tregojnë se kemi të bëjmë me një informacion të rremë.
Foto është shprehur nga fotografi i “Associated Press”, Ebrahim Noroozi më 15 janar 2025, gjatë një takimi të kabinetit federal gjerman.
Nëse do të shohim foton e plotë, vihet re që ministrja Annalena Baerbock po fliste me ministrin gjerman të Punës dhe Çështjeve Sociale, Hubertus Heil në ato momente dhe nuk po ikte nga mbledhja, siç pretendohet në mediat online në vendin tonë.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/Olaf-Scolz.jpg)
Në mbishkrimin që shoqëron foton, shkrepur nga kolegët e mediave të huaja shkruhet: “Kancelari gjerman Olaf Scholz, zgjat dorën drejt Ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila bisedon me Ministrin gjerman të Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil për të filluar takimin javor të kabinetit në Kancelarinë Federale në Berlin më 15 janar 2025”.
Një tjetër foto e shkrepur në atë moment tregon ministren Baerbock duke folur me Scholz dhe Heil. Në lidhje me këtë çështje, vetë ministrja tha në një intervistë për “ZDF Heute” se: “Në atë moment nuk e vura re se çfarë po ndodhte pas meje”.
Për hir të së vërtetës mes dy zyrtarëve gjermanë është bërë publik një tension për sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën, por ky nuk ka qënë momenti për të shprehur këto diferenca.
*Foto kryesore marrë nga AFP