.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëMinistrja e Bujqësisë garanton se nuk shitet më qumësht me pagure në rrugë, por në të vërtetë…

Ministrja e Bujqësisë garanton se nuk shitet më qumësht me pagure në rrugë, por në të vërtetë…

Në rrugët e kryeqytetit sheh çdo ditë tregtarë që shesin qumësht me shishe 1.5 litërshe, ndonëse ka pasur disa zotime për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Faktoje bëri një verifikim së fundmi në Tiranë, nisur nga deklarata e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, e cila theksoi se ‘nuk ka më qumësht që shitet në rrugë’.


“Ti sot nuk shikon më qumësht të shitur në pagure, në shishe plastike 1.5 litra nëpër rrugë. Kjo vjen falë faktit që kapacitetet prodhuese janë standardizuar, që kapacitetet përpunuese janë rritur”, deklaroi ministrja e Bujqësisë Frida Krifca në 5 maj, e ftuar në ‘Report Tv’.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në lidhje me këtë deklaratë të ministres Krifca, për të parë si është realisht situata në terren dhe nëse shitet qumështi më shishe 1.5 litërshe në rrugë apo dyqane në kryeqytet.

Në zonën e njohur si “Shkolla e Baletit” në Tiranë, konstatuam disa pika ku qumështi shitet në rrugë nga tregtarë ambulantë.

Qumësht që shitet në rrugë, te zona e “Shkollës së Baletit”, 10 maj 2022

Nga pamjet shihet se krahas frutave dhe perimeve, tregtarët mbajnë edhe shishe me qumësht.

Qumësht që shitet në rrugë, te zona e “Shkollës së Baletit”, 10 maj 2022

Të pyetur nga Faktoje, qytetarët shprehen se preferojnë të blejnë qumësht të freskët në vend të atij të pasterizuar nëpër supermarkete.

“Qumështi që marrim është shumë i mirë, i freskët. E blejmë që në mëngjes herët dhe e ziejmë. I kemi të besuar këta ku blejmë qumështin, janë të rregullt, të pastër, nuk kemi asnjë merak”, tregon për Faktoje një pensioniste.

Qumësht që shitet në rrugë, te zona e “Shkollës së Baletit”, 10 maj 2022

Qumësht me shishe 1.5 litërshe në një supermarket në zonën e Laprakës, 6 maj 2022

Por, duket se ky fenomen nuk është prezent vetëm në kryeqytet. Eksperti i Bujqësisë, Ervin Resuli ka ka postuar në profilin personal në rrjetet sociale disa pamje nga Fieri, ku tregon se qumështi shitet në rrugë edhe në këtë qytet, por jo vetëm.

Postimi në Facebook i Ervin Resulit, 7 maj 2022

Pas deklaratës së ministres dhe verifikimit në terren, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku ndër të tjera e pyetëm nëse janë kryer kontrolle nga ky institucion për tregtimin e qumështit në rrugë dhe cilat janë rezultatet. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga AKU.

Kërkesa për informacion dërguar AKU, 10 maj 2022

Në vitin 2017, qeveria vendosi të ndalojë shitjen e qumështit në rrugë, duke njoftuar edhe ndërmarrjen e një aksioni për këtë problematikë.

Në vitin 2018, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi nisjen e aksionit në të gjithë vendin për të mos lejuar tregtimin e qumështit në rrugë. Por, kur kanë kaluar 4 vite nga “zotimi” për të frenuar fenomenin, situata vijon të mbetet e njëjtë. Shitja e qumështit me bidonë 1.5 litërsh në rrugë, ndeshet rëndom.

Nga ana tjetër, një investigim i kryer në vitin 2018 nxirrte në pah një prolematikë mjaft shqetësuese. Sipas investigimit të kryer, qumështi që shitej nga fshatarët, i pakontrolluar, me bidonë plastikë të ripërdorur, kishte ngarkesë mikrobike deri në 290 herë më të lartë sesa norma e lejuar. Gjithashtu theksohej se njëri prej shitësve e pranonte që nuk mungonin rastet kur i shtohej edhe urina e kafshës qumështit, kjo për shtim të rezistencës së tij.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img