Shqipëria e ka të vështirë aplikimin e ‘green pass’, pasi duhen plotësuar fillimisht disa kushte, si testimi falas dhe mundësia për të zgjedhur një prej vaksinave që njihen nga organizmat ndërkombëtarë.
E pyetur nga Faktoje në lidhje me ‘green pass’, Ministria e Shëndetësisë kthyer një përgjigje të paplotë, vetëm pas dy muajsh nga data e dërgimit të kërkesës për inforacion.
……………………………………………………………………….
“Duhet të kuptojmë edhe situatën që është në Europë, e kanë ato ‘green pass’! E kanë! A duhet të vëmë ‘green pass’ në lokale dhe në strukturat e tjera të shërbimit”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend më 4 nëntor.
Mirëpo, në një artikull të publikuar më 16 tetor, Faktoje argumentonte përse Shqipëria nuk mund ta aplikonte këtë sistem, ndërkohë që i qe drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësisë për këtë çështje.
Faktoje e pyeti këtë institucion nëse ka plane për të hartuar një projekt që edhe Shqipëria të ketë ‘green pass’ si vendet e Europës.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, datë 14.10.2021
Ne morëm përgjigje të paplotë vetëm 2 muaj më vonë. Shkresa, e cila mban datën 14 dhjetor 2021 mbërriti me postë në zyrat e Faktoje më 16 dhjetor. Veç vonesës prej dy muajsh, në përgjigje nuk jepen shpjegime në lidhje me projektin, por sqarohet se çfarë është certifikata shqiptare e vaksinimit. Ministria e Shëndetësisë thekson ndër të tjera se kjo certifikatë njhet nga shërbimet publike të BE-së, por Faktoje një gjë të tillë e ka bërë të ditur që më 16 tetor.
“Certifikata jonë digjitale e vaksinimit ka një QR code të sigurtë, të formatuar dhe firmosur elektronikisht sipas standardeve të vendosura nga BE. Certifikata, mbasi gjenerohet nga portal e-Albania, mund të validohet nga aplikacionet respektive të secilit vend të BE, sipas rregullrave respektive të pranimit.
Në vendin tonë, aktualisht certifikata jonë dhe e vendeve të tjera që janë pjesë e sistemit të integruar te BE-së, mund të skanohet dhe validohet nëpërmjet shërbimit ‘CovidPassAL’ që gjendet në aplikacionin mobile të e-Albania ose aplikacionit ‘CovidPassAL’, që gjendet në App Store dhe Play Store”- thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Përgjigjia e Ministrisë së Shëndetësisë
Ndryshimi mes ‘green pass’ dhe certifikatës së vaksinimit
“Green pass” është një dokument, i cili nënkupton që një person i ka marrë të dy apo tre dozat e vaksinës, e ka kaluar Covid-in në 6 muajt e fundit, ose është testuar negativisht në 48 orët e fundit. Kjo tregon se green pass është një ‘dokument’ që përditësohet vazhdimisht.
Nga ana tjetër, certifikata shqiptare e vaksinimit është thjesht një dokument që tregon se një person i ka marrë të dy ose tre dozat e vaksinës. Kjo certifikatë njihet edhe nga shërbimet publike të vendeve të BE-së, për personat që janë vaksinuar me AstraZeneca ose Pfizer/BioNtech.