Pretendimi: Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ka thënë se kryeministrit Edi Rama do t’i jepte vite nga jeta e tij

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, në rrjete sociale nisiqarkullonte një deklaratë e pretenduar e Ministrit të Ekonomisë Blendi Gonxhja, i cili citohet të ketë thënë: “[Edi] Ramës do të doja t’i jepja vite nga jeta ime.”

Postimet në rrjet nuk japin ndonjë burim apo referencë se kur dhe ku Gonxhe e ka bërë këtë deklaratë. Kjo duhet të ngjallë dyshimet fillestare tek lexuesi skeptik.

Infopressalbania e nis përshkrimin e postimit të mësipërm me “nëse është e vërtetë” pa marrë mundimin të verifikojë pikërisht nëse lajmi që po shpërndan është i vërtetë.

Për të verifikuar këtë lajm, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se ky pretendim është botuar në Facebook për herë të parë më 30 prill nga blogeri Olti Curri, i cili ironikisht e mbyll përshkrimin që shoqëron postimin me togfjalëshin “lajme të rreme”.

Një tjetër kërkim me Google Lens zbulon se imazhi i mësipërm është modifikuar. Origjinali është botuar në Instagram nga faqja tvanews dhe në të, Gonxhja citohet të ketë thënë “Qenit do të doja t’i jepja vite nga jeta ime.”

Ky citat është i vërtetë, dhe është thënë nga Gonxhja gjatë një interviste të 28 prillit ku, ndër të tjera, ai flet për qenin e tij Kokon. Në minutën e 1:18, Gonxhja thotë: “Po të kisha mundësi t’i jepja pak vite dhe ai mos të kishte atë moshë maksimale që ai arrin.”

Në versionin e shpërndarë nga Curri fjala “qenit” thjesht është zëvendësuar me fjalën “Ramës.” Ky version më pas është shpërndarë në mënyrë jo kritike si të ishte citat i vërtetë nga disa portale.