Pretendimi: Kjo video tregon një “minierë klikimesh” kundër zhvillimit të turizmit në Vlorë
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————–
Një video e postuar nga llogaria faktnews.official në Instagram pretendohet se tregon një “minierë klikimesh”, që është hapur nga një “biznesmen i fushës digjitale” për të rritur numrin e pëlqimeve dhe komenteve në postime kritike ndaj turizmit shqiptar.
Pas akuzave të kryeministrit Rama për një dorë të qëllimshme që përhapte lajme të rreme në mediat online në kulmin e pushimeve verore, artikulli i portalit mendon se ka gjetur një nga autorët që “sponsorizon mos-zhvillimin e turizmit në Vlorë”.
Ndërsa postimi i mësipërm nuk e përmend emrin e biznesmenit misterioz, ato që pretendohen si pamjet e minierës së tij të klikimeve kundër turizmit, në fakt janë shkëputur nga një video e vjetër shumë larg Vlorës.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mijëra telefonëve të rreshtuar në rafte është nga maji 2017 dhe tregon një “fermë klikimesh në Kinë.”
Në videon e plotë duken dy kompjutera nga ku kontrollohen telefonat. Sipas artikullit të Daily Mail, ky operacion përdoret për të rritur pëlqimet dhe komentet në rrjete sociale, dhe për të rritur përshtypjet e mira për produkte. Sipas gazetarit rus që filmoi këtë operacion, ai përbëhej nga rreth 10 mijë celularë.