Pretendimi: Elon Musk shpall zyrtarisht modelin e telefonit Tesla Pi
Verdikti: E pakonfirmuar
———————————————————
Tashmë që miliarderi Elon Musk është përfshirë si një prej zyrtarëve të administratës së re të Donald Trump, në rrjetet sociale kanë marrë më shumë hov lajmet për teknologjitë e reja të prodhuara prej kompanisë së tij. Një prej tyre thuhet se është një telefon i zgjuar, i quajtur “Tesla Pi”.
Fatkeqësisht, ky lajm duket se është i parakohshëm.
Imazhet e mësipërme janë gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale.
Në faqen zyrtare të kompanisë së Musk, Tesla, nuk gjendet ndonjë njoftim mbi hedhjen në treg të këtij modeli telefoni, apo ndonjë informacion çfarëdo lidhur me të. Elon Musk nuk ka postuar ndonjë njoftim në llogarinë e tij në X..
Tesla, e njohur kryesisht për automjetet elektrike, produktet energjetike dhe teknologjitë autonome, nuk ka njoftuar kurrë një lëvizje zyrtare në industrinë e telefonëve celularë.
Një kompani e quajtur Tesla, e cila prodhon telefonë celularë, ekziston vërtet, por ajo nuk ka lidhje me kompaninë e Musk, siç shpjegohet dhe në faqen e saj zyrtare.
Në tetor 2024, Musk diskutoi mundësinë e prodhimit të një telefoni nga Tesla, duke thënë: “është shumë punë. Ideja e të bërit një telefon më bën të dua të vdes. Por nëse duhet të bëjmë një telefon, do ta bëjmë, por do të aspirojmë të mos bëjmë një telefon.”
Thashethemet për një telefon Tesla Pi e kanë origjinën në diskutime spekulative në internet rreth vitit 2021, video të konceptuara nga fansat dhe faqet e internetit të thashethemeve teknologjike që synojnë të shtojnë klikimet për qëllime marketingu. Këto burime spekulative shpesh imagjinojnë se çfarë mund të zhvillojë Tesla, duke pasur parasysh reputacionin e saj për inovacion në industri të tjera.