Pretendimi: Futbollisiti Edoardo Bove ka miokardit të shkaktuar nga vaksina anti-Covid
Verdikti: E paprovuar
——————————————————-
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se futbollisti italian Edoardo Bove u rrëzua në fushë si pasojë e miokarditit të shkaktuar nga vaksina anti-Covid.
Postimi i referohet asaj që i ndodhi futbollistit Edoardo Bove më 1 dhjetor, gjatë ndeshjes Fiorentina-Inter. Në minutën e 17 të ndeshjes Bove humbi papritur ndjenjat. Bove u dërgua në spital në Firenze dhe u shtrua në njësinë e kujdesit intensiv të kardiologjisë. Më 4 dhjetor, menaxheri i Fiorentinës, Alessandro Ferrari deklaroi se futbollisti “është mirë. Ai po shërohet”.
Postimi citon gjithashtu një artikull të 5 dhjetorit në Gazzetta dello Sport, i cili përshkruan rezultatet e para mjekësore të testeve të kryera te lojtari për të kuptuar shkakun e incidentit. Në artikull thuhet se “mjekët po shqyrtojnë jo vetëm historinë diagnostike të mesfushorit të Fiorentinës, por edhe kodin e tij gjenetik, gjithmonë në përpjekje për të sqaruar arsyen e arrestit kardiak në [stadiumin] Franchi”. Artikulli shpjegon se mjekët po hetonin një shenjë të gjetur në zemrën e Bove me MRI pas shtrimit të tij në spital. Për këtë arsye, sipas artikullit, “fokusi është si te miokarditi i vitit 2020 i shkaktuar nga Covid, të cilin [Bove] në atë kohë, te Roma, e kapërceu me kortizon dhe pushim, dhe pa asnjë efekt të dukshëm, si dhe tek ndonjë fenomen i mëparshëm gjatë adoleshencës”. Pra, i njëjti artikull i cituar në postim shpjegon se Bove kishte miokardit në vitin 2020 të shkaktuar nga infeksioni me Covid-19 dhe jo nga vaksina kundër Covid.
Fakti që inflamacioni i indit të muskujve të zemrës në vitin 2020 ishte si pasojë e Covid-19 është raportuar edhe nga media të tjera që po ndjekin rastin. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që miokarditi ishte si pasojë e një vaksine kundër Covid-19.