Vajza e vogël në videon e shpërndarë në rrjetet sociale nuk thotë “I love Albania” (E dua Shqipërinë), siç pretendohet në postime të publikuara në vendin tonë. Verifikimet tregojnë se pamjet i përkasin majit të këtij viti dhe janë regjistruar në ndeshjen Fiorentina-Monza.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale në vendin tonë tregon një vajzë të vogël gjatë një ndeshjeje, e cila përshpërit diçka, teksa në fushë po luhej himni.
“Lexo buzët e vajzës së vogël: I love Albania”-është mbishkrimi që shoqëron videon.
Video e shpërndarë në rrjetet sociale
Faktoje bëri një verifikim të këtyre pamjeve, duke përdorur “Google Reverse Image”, ku gjetëm videon e plotë. Nga kërkimi rezultoi se pamjet i përkasin 13 majit të këtij viti, kur u zhvillua ndeshja Fiorentina-Monza. Fiorentina mposhti 2-1 Monzën falë golave të Nico Gonzalez dhe ish-lojtarit të Juventusit, Arthur.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe e mori vajza e vogël, e cila gjatë himnit të Serisë A u kap nga kamera duke artikuluar nën zë “Juve merda”. Ky veprim i vogëlushes mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku nuk munguan as komentet negative dhe fyese në drejtim të saj.
“Mijëra juventinë po çmenden sepse një vajzë e vogël e veshur me fanellën e Fiorentinës tha “Juve m*rda”-shkruan një prej komentuesve.
Pra, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë, vajza e vogël nuk ka thënë “I love Albania” (Unë e dua Shqipërinë).
Vajza është përdorur nga përdoruesit e kësaj faqeje për të marrë klikime dhe duke se ia kanë arritur, pasi video ka më shumë se 1 milionë shikime, mbi 13 mijë pëlqime dhe qindra komente.
Rivaliteti Fiorentina–Juventus është një rivalitet futbolli ndërqytetësh, midis Fiorentinës me qendër në Firence dhe Juventusit me bazë në Torino.
Ndryshe nga shumica e derbit të tjerë të futbollit, ky nuk zhvillohet për shkak të afërsisë gjeografike dallimet politike, ose konkurrencë e gjatë, por më tepër është një zhvillim nga dekadat e fundit të shekullit të 20-të, i bazuar në patriotizmin lokal. Rivaliteti është nxitur nga takimet e tyre të diskutueshme në finalet e kupave dhe konkurrenca në tregun e transferimeve. Një lojtar që transferohet nga një klub në tjetrin, veçanërisht nga Firence në Torino, zakonisht cilësohet si ‘tradhtar’ nga tifozët.