.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashMesazhi i fundvitit i Putin nuk u regjistrua me aktorë të veshur si ushtarë 

Mesazhi i fundvitit i Putin nuk u regjistrua me aktorë të veshur si ushtarë 

Në ditën e fundit të vitit, presidenti rus, Vladimir Putin u shfaq duke trokitur gotat me ushtarët heronj rusë. Analistët e zhvillimeve në Rusi ngritën dyshime për aktorë të veshur si ushtarakë, por kësaj here duket se propaganda ruse ka të drejtë.

Ndryshe nga tradita, presidenti rus Putin e regjistroi kësaj here mesazhin e tij televiziv për vitin e ri nga një kazermë ushtarake jo shumë larg kufirit me Ukrainën, një skenar i denjë për situatën e mobilizimit ushtarak që ndodhet vendi. Putin u shfaq përpara një dyzine ushtarakësh për të dhënë mesazhet e tij politike për vitin 2023.

Mediat ndërkombëtare, si dhe disa prej portaleve shqiptare, kanë ngritur ndërkohë dyshimin se ushtarakët që u shfaqën gjatë këtij fjalimit të carit rus ishin aktorë apo njerëz të besuar të veshur me uniforma ushtarake. I tillë është rasti i portalit Shqiptarja.com si dhe Zgjohushqiptar, të cilët i bënë jehonë këtij manipulimi të shfaqjes së fundit televizive të Putin.

Nga verifikimi i “Faktoje”, rezulton se ky lajm është publikuar gjerësisht nga mediat e huaja gjatë ditëve të para të vitit. I pari që e denoncoi publikisht dyshimin e një shfaqjeve aktoriale, ishte gazetari bjellorus në ekzil Tadeusz Giczan. Në profilin e tij në Twitter u vu në dukje një prej ushtareve që qëndronte pranë Putin, një grua e moshës së mesme, me flokë bionde, e identifikuar si Serguhina Larissa Borisovna, një anëtare e parlamentit rus, e cila është bërë e njohur për shfaqjet e saj të mëparshme në disa prej daljeve në publik të presidentit.

Borisovna, 57 vjeç, nga qyteti i Novgorodit, anëtare e “Rusisë së Bashkuar”, partisë së Vladimir Putinit, u kthye në një personazh qesharak disa vite më parë. Fillimisht, në shtator 2016 ajo u fotografua me veshjen e një peshkatareje në një barkë dhe më pas, në kremtimet kishtare gjatë festës së Krishtlindjes ortodokse në janar 2017. Së bashku me të, ndodhedhin edhe 3 “peshkatarë” të tjerë besnikë.

Pas ekspozimit të fotove nga mediat perëndimore, deputetja u justifikua se kishte shoqëruar presidentin gjatë vizitës së tij në vendlindjen e saj dhe ishte gjithashtu edhe pronare e një kompanie peshkimi.

Deputetja e besuar e partisë së Putin, e ekspozuar në dy foto të ndryshme gjatë vizitës së Putin në Novgorod

Pas publikimit të lajmit të aktorëve të veshur si ushtarakë, mediat pro ruse publikuan identitetin e ushtarakes në foto. Sipas tyre bëhet fjalë për kryekapitenen e shërbimit mjekësor të regjimentit të 71-të, Anna Sidorenko, e cila edhe u dekorua gjatë vizitës nga presidenti Putin.

Lajmi u konfirmua edhe nga mediat perëndimore, pasi majin e kaluar, Sidorenko, u identifikua si ushtarake nga inteligjenca ukrainase, e cila mori listën e anëtarëve të stafit të regjimentit të 71-të të ushtrisë ruse. Në listën e bërë publike, në vendin e 204-të mund të lexohet: “Kapiteni i shërbimit mjekësor Sydorenko Anna Sergeevna, 14.12.1982, nr. personal U-870823, nr. tab. 00548471“.

Gjithashtu, në një krahasim të fotove të deputetes dhe mjekes ushtarake, pavarësisht ngjashmërive, dallohet diferenca e moshës mes dy biondeve që pozojnë përkrah presidentit.

Majtas, ushtarakja Sidorenko dhe djathtas deputetja Borisovna, burimi TF1

Pavarësisht këtij lajmi të pavërtetë, nuk duhet harruar se në kohën e transmetimit të këtij regjistrimi të urimit për vitin e ri, ushtria ruse po bombardonte objektiva civile në Ukrainë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img