Nga Vitori Çipi
Pastrimi i kryeqytetit mbetet një sfidë për Bashkinë Tiranë, e cila pavarësisht se shpenzon miliona euro për menaxhimin e mbetjeve, ka dështuar që të përkthejë taksën e qytetarëve në një shërbim cilësor.
“Ky është një problem që nuk mund të kalojë pa u adresuar. Ne si banorë nuk mund të presim më shumë. Kjo është situata e përditshme që përballemi, dhe asnjëherë nuk ka ndihmë nga autoritetet. Ne kërkojmë veprime, nuk mund të shkojmë përpara kështu”, tregon Q.Sh 66 vjec, banues ne Allias gjatë muajit gusht 2024, kur kryeqyteti u prek nga një krizë pastrimi.
Një familje në kryeqytet, paguan mesatarisht 480 lekë taksë në muaj për pastrimin e mbetjeve, e cila, sipas fakteve të mbledhura në këtë dokument, nuk përkthehet në shërbim.
Tirana është e ndarë në shtatë zona pastrimi: tri zona në lindje, tri në perëndim dhe “Zona e Kuqe” në qendër.
Kompanitë që merren me pastrimin janë përgjegjëse për pastrimin e rrugëve, larjen dhe dezinfektimin e kontejnerëve, si dhe transportimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.
Sipas të dhënave të sigurara nga Bashkia Tiranë, çdo ditë duhet të lahen rreth 1 milion m² sipërfaqe, të fshihen rreth 3 milion m² rrugë dhe të dezinfektohen 148 kontejnerë. Nga intervistat e mbledhura me banorët dhe inspektimet në terren rezulton se koshat nuk lahen e as nuk dezinfektohen, duke shkaktuar shpesh herë dhe aromë të keqe.
Çdo ditë grumbullohen rreth 688 tonë mbetje, të cilat depozitohen në landfillin e Sharrës. Landfilli ka një kapacitet total prej 420 mijë metër kub mbetjesh. Në kontratë parashikohej që landfilli të përballonte kërkesën deri në ndërtimin e inceneratorit, që më pas do të bëntë djegien e plehrave për të prodhuar energji elektrike, por kjo nuk u arrit asnjëherë dhe landfilli vijon të jetë i tejmbushur me plehra.
Ky landfill është vendi kryesor ku hidhen mbeturinat urbane të Tiranës dhe gjithë qarkut, përfshirë mbetje nga aktiviteti njerëzor dhe një pjesë e vogël mbetjesh inerte.
Kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kanë kushtuar deri në sekuestrimin e tyre 150 milionë euro.
Por le të ndalemi tek kontrata korruptive e inceneratorit të Tiranës si ndodhi ajo dhe sa i kushtoi xhepave të qytetarëve.
Më 31 shtator 2017, Ministria e Mjedisit firmosi një kontratë me kompaninë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Kompania ishte themeluar vetëm një ditë më parë, më 30 shtator 2017, duke lindur menjeherë dyshime për abuzime në këtë kontratë.
Sipas kontratës mes Ministrisë së Mjedisit dhe “Integrated Energy BV SPV”, do të ndërtohej një incinerator, i cili do të trajtonte mbetjet përmes seleksionimit. Me djegien e mbetjeve do të prodhohej edhe energji elektrike. Në kontratë parashikohej gjithashtu mbyllja e landfillit të Sharrës, rivitalizimi i zonës, duke e kthyer në një hapësirë të gjelbër.
Inceneratori nuk u ndez asnjë ditë dhe në Sharrë jo vetëm që nuk ka hapësirë të tillë të gjelbër, por shpesh bëhet burim i ndotjes për lumin Erzen. Në landfillin e Sharrës vazhdohet me të njëjtat procese si më parë: seleksionim dhe groposje.
Megjithatë, qytetarët e Tiranës vazhdojnë të paguajnë për një shërbim që nuk është ofruar. Sipas kontratës, pagesat për inceneratorin duhej të bëheshin në bazë të sasisë së mbetjeve të trajtuara me një tarifë prej 29 euro/ton pa TVSH. Por në vitin 2023, pagesat u kryen paraprakisht, në shkelje të marrëveshjes.
Çështja e inceneratorit të Tiranës mbetet në proces. Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Tiranës teksa hetimet për zbatimin e kontratës ende vijojnw.
Mw 11 mars Gjykata e Posaçme për korrupsion dwnoi me 4 vite burg ish-sekretarin e Përgjithshëm te Ministrisë së Mjedisit, njëherazi edhe ish-deputeti i PS, Alqi Bllako. Alqi Bllako u gjet fajtor për akuzën e korrupsionit pasiv në dy raste lidhur me kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Për aferën akuzohen 13 individë për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputeti i PS Alqi Bllako dhe 2 ish-drejtorë të Bashkisë Tiranë.
Verën e 2023 SPAK sekuestroi kompaninë e inceneratorit të Tiranës, duke zbuluar pronarët e fshehtë në Holandë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të shpallur në kërkim për korrupsion dhe pastrim parash. Në korrik 2024, SPAK lëshoi urdhër-arreste për tetë persona të dyshuar për pastrimin e 20 milionë eurove, por askush nuk u arrestua. Hetimet identifikuan një grup të strukturuar kriminal të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, të udhëhequr nga Zoto dhe Mërtiri.
Skandali i inceneratorëve filloi në 2014 me shpalljen e emergjencës mjedisore për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa i njëjti grup kompanish fitoi më vonë koncesionet për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës.
Pas sekuestrimit, Bashkia Tiranë miratoi një fond shtesë prej 5.6 milionë euro për inceneratorin me një vendim të datës 15.09.2023. Pavarësisht problemeve me kontratën dhe konfiskimit të kompanisë, Bashkia ka parashikuar që pagesat për inceneratorin të vazhdojnë edhe për vitet 2025–2027. Për secilin prej këtyre viteve, qytetarët do të paguajnë 1.18 miliardë lekë në vit për një shërbim që ende nuk është ofruar, duke shkaktuar një krizë të thellë financiare, institucionale dhe mjedisore.

“Tre ditë pa asnjë shërbim pastrimi është thjesht e papranueshme. Kjo ka shkaktuar një erë të padurueshme dhe ka bërë që lagja të duket një vend i braktisur”, u shpreh gjatë muajit gusht F.M, 60 Vjeç, banuese e Njesise Administrative nr.5.
Rasti i inceneratorit, paraqet një shembull flagrant të keqmenaxhimit dhe korrupsionit, ku fondet publike janë shpërdoruar për një kompani tashmë të konfiskuar dhe një projekt të dështuar.
Thellimi i krizës së pastrimit
Gjatë muajit gusht të 2024 kryeqyteti u mbulua nga male me mbetje në të gjitha lagjet, një situatë e dalë jashtë kontrollit. Një krizë e tillë nisi të denoncohej nga qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale. Një pjesë e tyre dëshmuan edhe për IDM-në në po atë periudhë.
“Po jetoj në rrugën Pjetër Bogdani dhe çfarë po ndodh këtu është thjesht skandaloze. Pasi ka kaluar një periudhë e tërë, tani mbeturinat kanë mbetur të grumbulluara për tre ditë rresht”, tha një banore e njësisë adminsitrative nr.5.
Një tjetër qytetare, që jeton në zonën e Bulevardit Zogu i I, u shpreh se banorët i kanë bërë thirrje disa herë bashkisë, po nuk ka pasur asnjë reagim.
Gjendja e lagjeve në foto ( Link)
“Kjo jo vetëm që është shumë e ndotur dhe e pakëndshme për sytë, por është edhe një burim i mundshëm për shpërndarjen e sëmundjeve, sidomos kur ka një natyrë të tillë mbeturinash të hapura”, thotë E.K, 28 vjeç nga njësia administratvie nr 9.
Kriza e pastrimit e cila shpërtheu në muajin gusht 2024, ka një parapavijë muaj më parë.
Bashkia e Tiranës centralizoi shërbimin e pastrimit, tek kompania publike “Eco-Tirana” nëpërmjet një procesi të paqartë dhe jo transaprent.
Krytetari i bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj në disa dalje mediatike për krizën e pastrimit në gusht, tentoi të delegonte përgjegjësinë drejt kompanive te pastrimit, duke u shprehur se ato hoqën dorë nga kontrata dhe sabotuan qëllimisht pastrimin e Tiranës. Një hulumtim i Citizens.al në atë periudhë, tregoi se ishte bashkia Tiranë ajo që kishte kaluar kompetenceat të një kompani e vetme dhe nuk ishin kompanitë ato që kishin sabotuar pastrimin e qytetit.
Deri në mars 2024, Bashkia Tiranë kishte kontrata me tre kompani private për pastrimin e qytetit: “Alko Impex Construction,” “Ante Group,” “Fusha shpk,” dhe kompaninë “Eco Tirana.” Secila prej tyre pastronte zona të caktuara, përfshirë larjen dhe dezinfektimin e kontejnerëve. Në vitin e fundit, këto kompani kanë marrë një fond prej 1.5 miliardë lekësh për këtë shërbim.
Kontrata e “Alko Impex Construction”, që pastronte zonënë III, përfundoi në mars të 2024 dhe kishte një vlerë prej 501 milionë lekë.
Ante Group kishte një kontratë me vlerë 426 mlionë lekë për të ofruar shërbim të pastrimit.
Ndërsa “Fusha shpk”, kishte po ashtu një kontratë të lidhur në mars të 2023 me kohëzgjatje 1 vjeçare, me objekt “shërbim i pastrimit të zonës Tirana IV” me vlerë 631.9 milionë lekë.
Kompania “Eco-Tirana” u krijua në vitin 2016 kur Bashkia Tiranë nënshkroi një kontratë për pastrimin dhe ndarjen e mbetjeve në qytet. Edhe pas gjashtë vitesh, kjo nismë nuk është zbatuar plotësisht, madje në kulmin e debateve për skandalin e inceneratorëve. Fillimisht, “Eco-Tirana” pastronte vetëm “Zonën e Kuqe” por më pas bashkia Tiranë i shtriu më tej kompetencat e saj. Kjo ishte dhe arsyeja që shkaktoi krizën e pastrimit në muajt e verës.
Kontrata me “Eco-Tirana” për pastrimin e qytetit u nënshkrua përfundimisht në mars 2024.
Por lëvizjet për t’i kaluar më shumë përgjegjësi kësaj kompanie kishin nisur një vit më parë, sipas dokumenteve që IDM disponon. Në shtator 2023, Bashkia Tiranë shtoi për herë të parë territorin që mbulohej nga “Eco-Tirana.” Një tjetër vendim në nëntor 2023 dhe një në shkurt 2024 zgjeruan më tej zonat e saj, duke e shtrirë aktivitetin në pesë zona. Tashmë, “Eco-Tirana” mbulon gjithë territorin e Tiranës.
Megjithatë, dokumentet tregojnë se Bashkia ka qenë në dijeni për këto ndryshime dhe se kriza e mbetjeve gjatë verës mund të ishte shmangur. Ekspertët vënë në pikëpyetje kalimin e pastrimit te “Eco-Tirana,” duke qenë se më parë kjo kompani pastronte vetëm një të katërtën e qytetit.
“E shoh me dyshim mundësinë e Eco Tirana për të menaxhuar më shumë se një të katërtën e qytetit, kur kjo ka qenë gjithashtu një kompani koncensionare e cila ka operuar me shumë vështirësi financiare”, argumenton Elvjon Meçani, studiues i çështjeve ekonomike.
“Eco-Tirana” është një kompani koncesionare ku Bashkia Tiranë zotëron 51% të aksioneve, ndërsa 49% zotërohen nga kompania italiane “AGSM AIM.” Kjo e fundit, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtarë të Biznesnit QKB dhe Open Data Albania, është në proces likuidimi që prej vitit 2021. Për më tepër, që nga krijimi, “AGSM AIM” ka pasur humbje të vazhdueshme, përveç vitit 2019, kur raportoi një fitim të vogël prej 38 mijë lekësh.
Këto të dhëna shtojnë pasigurinë për mënyrën se si do të menaxhohet pastrimi i qytetit në të ardhmen, duke ngritur pyetje mbi transparencën dhe efektivitetin e këtij modeli bashkëpunimi.

Buxheti për mbetjet në bashkinë Tiranë, keqpërdorimi i fondeve
Në vitin 2024, Bashkia Tiranë planifikoi të shpenzonte rreth 7% të buxhetit të saj për menaxhimin e mbetjeve, që përkthehet në mbi 3.3 miliardë lekë. Ky buxhet përfshin shpenzimet për mbledhjen, transportimin dhe depozitimin e mbetjeve, si dhe pagat e punonjësve të pastrimit. Megjithatë, raportet tregojnë se gjatë 8 muajve të parë të vitit, vetëm 67% e shpenzimeve operative janë realizuar, ndërsa shpenzimet kapitale nuk janë kryer fare.
Shpenzimet kapitale janë shpenzimet që kryen njësia buxhetore për blerjen e aseteve të reja publike apo riparimin e atyre të mëparshme dhe jetëgjatësia e të cilave shkon përtej një viti fiskal. Shpenzimet kapitale përfshijnë financimin e brendshëm dhe të jashtëm për investime publike.
Eksperti i ekonomisë, Elvjon Meçani shprehet se ky nuk është një përdorim normal ibuxhetit, “nuk janë realizuar shpenzime në mënyrë konstante dhe lineare, aq më tepër në momente kritike apo të vështira”.
“Është një diferencë e madhe në vlerë që nuk është shpenzuarnë 8 mujorin e pare, e që ngrenë dyshime për mos menaxhim korrekt të buxhetit. Lind pyetja, pse nuk është përdorur shuma mbetur, kur në fakt ishte parashikuar në buxhet?”, thotë Meçani.
Sipas planit, Bashkia duhej të kishte shpenzuar 2,314,156,918 lekë për shpenzimet operative gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që ka realizuar vetëm 1,555,007,946 lekë, pra vetëm 67% të planifikimit fillestar.

Kjo situatë ka sjellë pasoja të rënda për qytetarët, sidomos gjatë verës, kur mbetjet u grumbulluan në nivele alarmante, duke krijuar kushte të papranueshme për jetën në kryeqytet. Ekspertët theksojnë se fondet për përmirësimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve janë jetike për të shmangur probleme të tilla, por ato nuk po shfrytëzohen siç duhet.
“Këto shpenzime janë thelbësore për përmirësimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve dhe për të përballuar pasojat e grumbullimit të tyre, të cilat mund të kenë ndikime të rënda në shëndetin publik dhe mjedisin”, tha eksperti Elvjon Meçani.
Ai e cilëson këtë një situatë të pazakonte, dhe thekson se buxheti duhet të përdoret në ritme të njejta gjithë viten, pa diferenca të madha në shpenzime.
Për Meçanin është i palogjikshëm fakti që fondet ishin të disponueshme, por nuk u përdorën për menaxhimin e mbetjeve, sidomos pas situatës emergjente të krijuar nga grumbullimi i tyre gjatë periudhës së verës që kaloi.
Gazetari investigativ i Birn Albania, Vladimir Karaj shton një tjetër problem: fryrja e sasisë së mbetjeve në kontrata.
“Në Shqipëri, shpesh deklarohen më shumë mbetje sesa prodhohen realisht, duke u përkthyer në fitime të padrejta për kompanitë e pastrimit,” tha Karaj. Ai paralajmëron se kjo praktikë dëmton investimet dhe mirëmbajtjen, duke e përkeqësuar situatën.
Në bashkitë e tjera ka heshtje sa i përket shpenzimeve. Në Vorë, për shembull, për menaxhimin e mbetjeve janë planifikuar vetëm 8 milionë lekë, që zënë 1.7% të buxhetit të bashkisë. Por ende nuk ka të dhëna se si janë përdorur këto fonde. Ndërkohë, bashkitë Rrogozhinë dhe Kavajë nuk kanë dhënë asnjë informacion mbi buxhetin dhe shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve, pavarësisht kërkesave të përsëritura për transparencë.
Pavarwsisht adresimit tw ankesave pranw komisionerit për të drejtën e informimit, ende nuk ka një përgjigje nga këto bashki.
Kjo situatë tregon një mungesë të theksuar përgjegjshmërie dhe transparence nga institucionet vendore, duke lënë qytetarët të përballen me pasojat e një menaxhimi të dobët të mbetjeve.
KLSH pohon keqmenaxhimin e buxhetit për mbetjet
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zbuluar probleme të mëdha në menaxhimin e mbetjeve në Tiranë, duke theksuar se Bashkia Tiranë ka shpenzuar 26.5 milionë euro shtesë në tre vitet e fundit, përveç kostos vjetore prej 3.9 miliardë lekësh për pastrimin. Pavarësisht këtyre shpenzimeve të larta, raportet tregojnë mangësi serioze në organizim dhe rezultate të pamjaftueshme.
Një nga problemet kryesore të identifikuara është mungesa e një Plani Vendor për Menaxhimin e Mbetjeve gjatë periudhës 2017-2020. Ky plan do të ndihmonte në organizimin dhe realizimin e objektivave për grumbullimin dhe riciklimin e mbetjeve plastike, të cilat aktualisht janë larg pritshmërive. Në të njëjtën kohë, infrastruktura e dobët dhe kontratat me kompani private që nuk adresojnë mbetjet plastike e kanë përkeqësuar situatën.
KLSH ka hedhur dritë edhe mbi projektin e inceneratorit të Tiranës, duke evidentuar mungesë planifikimi dhe transparence. Sipas raportit, procedurat nuk janë miratuar nga Ministria e Financave dhe kostoja e depozitimit në landfill është dyfishuar, duke krijuar një barrë shtesë financiare për bashkinë. Për më tepër, vonesat dhe shmangiet nga detyrimet kontraktuale kanë vënë në pikëpyetje realizimin e projektit.
Sipas KLSH-së, menaxhimi i mbetjeve në Tiranë ka nevojë për përmirësime të menjëhershme. Raporti rekomandon krijimin e një plani për menaxhimin e mbetjeve, përmirësimin e infrastrukturës për riciklimin dhe rritjen e transparencës në realizimin e projekteve.
Ndërsa situata me grumbullimin e mbetjeve po arrin nivele alarmante, raporti i KLSH-së vë në dukje se dështimi për të përmbushur detyrimet ligjore dhe strategjike jo vetëm që rëndon qytetarët financiarisht, por rrezikon edhe shëndetin publik dhe mjedisin.
Problemet e menaxhimit të mbetjeve në Qarkun Tiranë: Shqetësime nga qytetarët
Në pesë bashkitë e Qarkut Tiranë – Tiranë, Rrogozhinë, Vorë, Kavajë dhe Kamëz – një analizë e bazuar në intervista dhe dëshmi të qytetarëve ka zbuluar probleme serioze me menaxhimin e mbetjeve.
Në këtë analizë, 120 qytetarë ndanë opinionet e tyre, ku shqetësimet kryesore përfshinin mungesën e grumbullimit të rregullt të mbetjeve, infrastrukturën e dobët dhe pasivitetin e autoriteteve. Në Bashkinë Tiranë, që përfaqësonte 35% të të intervistuarve, shumë qytetarë denoncuan vonesat në mbledhjen e mbetjeve dhe pastrimin e rrugëve.
Qytetarët nga bashkitë Rrogozhinë, Vorë, Kavajë dhe Kamëz raportuan shqetësime të ngjashme, me ndotjen e mjedisit dhe grumbullimin e mbeturinave në vende të paautorizuara si problemet kryesore.
Në zonat urbane, ku jetojnë shumica e të intervistuarve, shërbimi i mbledhjes së mbetjeve vlerësohet i pamjaftueshëm. Në zonat rurale, mungesa e infrastrukturës dhe ndotja nga depozitimi i pakontrolluar i mbeturinave janë probleme të mëdha.
“Mbeturinat nuk janë mbledhur prej një jave dhe tani është bërë një problem serioz. Rrugët janë mbushur plot me plehra dhe asnjë reagim nga autoritetet”, shprehet Q.Sh, 66 vjeç, duke theksuar edhe ndikimin negativ në shëndetin publik.
Tre të katërtat e qytetarëve (75%) e cilësuan shërbimin e menaxhimit të mbetjeve si “shumë të dobët.” 80% shprehën pakënaqësi për frekuencën e grumbullimit, ndërsa 85% kritikuan infrastrukturën e dobët dhe pasojat e saj për mjedisin dhe shëndetin publik.
Vetëm 5% e qytetarëve ishin të kënaqur me mundësitë për riciklim. 95% pranuan se nuk janë informuar për politikat e riciklimit, dhe asnjë prej tyre nuk ndan mbetjet në kategori të ndryshme.
Eksperti i mjedisit Olsi Nika vlerëson se situata është alarmante, veçanërisht në Bashkinë Tiranë, ku mbetjet grumbullohen dhe depozitohen pa një plan të mirëfilltë. Ai thekson nevojën për zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe përmirësimin e infrastrukturës.
“Ndërsa sa i takon hallkës së dytë, pra depozitimit, situata paraqitet edhe më keq, pasi pretendimi për ndërtimin e inceneratorit në fakt ka shndërruar pikën e grumbullimit në Sharrë në një hot-spot mjedisor, i cili depoziton mbetje pa ndonjë plan përfundimtar, dhe emergjencat e ngushtimit të kapaciteteve i përgjigjen me zgjerimin e hapësirës së pikës së grumbullimit në kurriz të mjedisit, por edhe komuniteteve që jetojnë pranë”, tha për IDM Olsi Nika, ekspert i çështjeve mjedisore.
Analiza ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në vend. Qytetarët shprehen të gatshëm të kontribuojnë, por theksojnë se kërkojnë reagim më të shpejtë dhe efektiv nga autoritetet për të përmirësuar kushtet dhe për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin publik.
Ekspertët sugjerojnë se zgjidhja qëndron në krijimin e një sistemi më të avancuar, i cili përfshin, përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, ndarjen në burim, konkurrencë të ndershme mes kompanive të pastrimit dhe promovimin e ekonomisë qarkullurese përmes riciklimit.
Përmirësimi i këtyre hallkave do të ndihmonte jo vetëm në zgjidhjen e problemit të ndotjes, por edhe në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve. Ndërhyrja e menjëhershme e institucioneve mbetet thelbësore për të adresuar këto shqetësime.
Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.
