Pretendimi: Kjo foto tregon kryeministren italiane Giorgia Meloni që reagon ndaj xhudistes olimpike italiane që puth partneren e saj.
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————–
Reagimi i pretenduar i kryeministres së djathtë italiane Giorgia Meloni ndaj puthjes që xhudistja Alice Bellandi i dha partneres së saj, pasi fitoi medaljen e artë për Italinë, qarkulloi gjerësisht në rrjete në fillim të gushtit 2024.
Megjithatë, ky është lajm i rremë. Dy fotot e mësipërme janë të vërteta, por nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ato janë shkrepur në kohë dhe vende të ndryshme.
Foto e Melonit është shkrepur më 1 gusht 2024, gjatë ndeshjes së volejbollit për femra mes Italisë dhe Hollandës në Lojërat Olimpike. Në një video nga ndeshja duket Meloni, në mes të dy personave të tjerë që dallohen edhe në foton e pretenduar të reagimit të saj.
Ndërkohë, foto e puthjes mes Bellandi dhe partneres së saj, xhudistes Martin Jasmine, ndodhi pas ndeshjes që i dha xhudistes medaljen e artë.
Reagimi i Melonit në përfundimin e kësaj ndeshje duket goxha dashamirës ndaj Bellandi. Ajo e uroi dhe e përqafoi xhudisten duke deklaruar se “vendosmëria e saj ishte e jashtëzakonshme.”
Giorgia Meloni me Alice Bellandi pas ndeshjes
Duke folur për puthjen, Bellandi tha për RaiSport: “Ky ar është plot dashuri. Më vjen keq që kjo puthje shihet si diçka ndryshe, është dashuri. Kë do të puthnit ju pas një rezultati kaq të rëndësishëm? Gjithçka vihet në lëvizje nga dashuria. Sporti është dashuri, miqësia është dashuri, çifti është dashuri.”