Pretendimi: Meloni premtoi 1 mijë euro për italianët, por nuk e mbajti këtë premtim
Verdikti: Mungon konteksti
Në rrjetet sociale në vendin tonë është shpërndarë një video, ku kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dëgjohet duke thënë se do të japë 1 mijë euro për çdo qytetar italian. Mirëpo, video është prerë për të mos dhënë më tepër detaje për çfarë do të jepen këto para. Ndërkohë, në mbishkrimin e videos aludohet se ky ishte një premtim i pambajtur i Melonit.
“Në këtë video janë të bashkëngjitura dy video. E para është e kryeministres së Italisë aktuale që para se të vinte në pushtet gënjente duke premtuar italianëve 1 mijë euro menjëherë”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në bëmë një verifikim të këtyre pamjeve, ku rezulton se video i përket vitit 2020. Në video, Meloni, asokohe thjesht lidere e “Fratelli d’Italia” i kërkoi kryeministrit Giuseppe Conte që të jepte 1 mijë euro menjëherë për qytetarët, për të trajtuar emergjencën e krijuar për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe mbështetur ekonomisht italianët.
Konkretisht, ajo kërkonte që të gjithë italianëve që kanë më shumë nevojë, ndoshta për shkak se kishin mbetur pa punë dhe pa të ardhura, t’u depozitoheshin 1 mijë euro nga shteti italian.
“Mendoj se qeveria duhet të depozitojë menjëherë 1 mijë euro në llogarinë rrjedhëse të atyre që e kërkojnë. Kjo dispozitë duhet të zbatohet për ata që kanë humbur vendet e punës dhe e kam fjalën edhe për të vetëpunësuarit”, deklaronte ndër të tjera Meloni.
Pra, ndryshe nga çfarë pretendohet në postimet e shpërndara online, ky nuk ishte një premtim elektoral i Giorgia Meloni për italianët, por një kërkesë që ajo i kishte bërë qeverisë në mars të vitit 2020 për të mbështetur qytetarët e prekur finaciarisht gjatë pandemisë së Covid-19. Skema të tilla mbështetëse praktikuan vende të ndryshme në botë në muajt e para të mbylljes totale për shkak të pandemisë.