Media ruse “arreston” ministren virtuale Diella për korrupsion  

Pravda publikon si të vërtetë satirën. Ngatërresa arrin deri tek Putin

78
Fotomontazh i arrestimit të rremë të Diellës- Foto web

Pretendimi: Ministrja e Inteligjencës Artificiale Diella u arrestua për korrupsion

Vlerësimi: E pavërtetë

Jona Cenameri

Një artikull i publikuar në 5 dhjetor në versionin shqip të gazetës ruse Pravda, njofton arrestimin e ministres shqiptare virtuale Diella, nën akuzën e korrupsionit në tendera. Lajmi shoqërohet edhe me një foto, dukshëm të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, të një toge policësh që shoqëron një ekran kompjuteri ku dallohet imazhi i Diellës.

Verifikim i mëtejshëm tregon se kjo media paraqet si lajm të vërtetë, një histori që në fakt buron nga një artikull satirik i medias kroate NewsBar. Në pamje të parë, artikulli i Pravda-s krijon përshtypjen e një raportimi serioz. Titulli, gjuha dhe struktura janë tipike të lajmeve të kronikës së zezë, ndërsa fotografia shoqëruese i përket qartësisht burimit origjinal kroat. Megjithatë, në asnjë moment Pravda nuk informon lexuesin se NewsBar është një portal satirik, i njohur në Kroaci për parodi politike dhe humor të zi.

Artikulli i publikuar në median satirike kroate Newsbar

Vetë teksti përmban elementë absurdë dhe humoristikë, si “kalimi i ministres në offline mode”, “avokati që është një algoritëm ChatGPT”, apo zëvendësimi i saj me një kalkulator Casio “moralisht më të qëndrueshëm”. Për më tepër, në rrjetet sociale të NewsBar, përfshirëInstagram dhe Facebook, faqja e përshkruan veten qartë si satirë dhe humor. Ky kontekst është plotësisht i munguar në versionin e Pravda-s.

A screenshot of a social media post

AI-generated content may be incorrect.

Media kroate prezantohet si një faqe satirike

Përkundrazi, artikulli paraqitet si zhvillim real në Shqipëri dhe i atribuohet një burimi të paqartë në Telegram, “dimsmirnov175”, pa asnjë verifikim apo kontekst shtesë.

Konteksti i një lajmi të tillë që vë në lojë jehonën që shkaktoi në mediat ndërkombëtare përfshirja e Inteligjencës Artificiale në një kabinet qeveritar, mer një tjetër konotacion i publikuar nga media ruse. Rrjeti “Pravda” është identifikuar në verifikime europiane si dhe nga Faktoje, si një ekosistem faqesh me prirje pro-Kremlinit, i përdorur për përhapje narrativash dezinformuese në disa vende dhe gjuhë, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Një raport i fundit i verifikuesve të fakteve të Hibrid.info në Kosovë, zbuloi se  platforma pro-Kremlinit, që operon në mbi 80 shtete, është operacionale në gjuhën shqipe prej marsit të vitit 2024. Gjatë vitit të fundit, kjo faqe ka publikuar 2,699 artikuj, shumica e të cilëve janë kopje nga burime zyrtare ruse si RT, Sputnik dhe Telegram-i i Ambasadës Ruse në Tiranë.

Pas publikimit nga Pravda, historia është ricikluar edhe nga portale të tjera shqiptare, por me dallime në mënyrën e paraqitjes. Disa prej tyre e përmendin natyrën satirike vetëm në fund të artikullit ose në një fjali dytësore, ndërsa të tjerë e theksojnë në titull. Megjithatë, në të gjitha rastet, titujt sensacionalë dhe formulimi i paqartë kanë kontribuar në konfuzion, duke bërë që një pjesë e audiencës ta perceptojë historinë si lajm real.

Ky keqinterpretim i satirës nuk ka mbetur vetëm në nivelin e portaleve shqiptare. Në dhjetor 2025, kryetari i Dumës ruse, Vjacheslav Volodin, iu referua të njëjtës histori gjatë një bisede me presidentin Vladimir Putin, duke e paraqitur si shembull real të “korrupsionit të inteligjencës artificiale” në Evropë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se historia që ai citoi ishte një meme dhe një lajm i rremë i qarkulluar në internet, me origjinë nga portali satirik kroat NeësBar. Ky episod tregon se si një përmbajtje humoristike, kur shkëputet nga konteksti, mund të keqpërdoret jo vetëm nga media për klikime, por edhe në diskurs politik në nivele të larta.

#factchecking #dezinformim #faktoje #DIELLA #AIminister #SPAK #AI #pravda