Shqipëria përjetoi një bum turistik vitin e shkuar, duke rritur pritshmëritë për më shumë turistë këtë vit edhe në vijën bregdetare. Mirëpo, duket se bregdeti i jugut po përballet me një mungesë të pushuesve dhe turistëve gjatë këtij sezoni. Në një verifikim të bërë në zonën e Lungomares dhe Radhimës në Vlorë, shihet se shumë shezllongë janë bosh, ndërsa pushuesit ankohen për një rritje të çmimeve. Kjo e fundit konfirmohet edhe nga tur-operatorët, duke argumentuar se rritja e çmimeve nuk ka ndodhur vetëm në jug, por në gjithë Shqipërinë dhe më tej. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si sulme, lajmet për “braktisjen” e jugut të Shqipërisë nga pushuesit.
Publikimi i disa fotove dhe videove në mediat sociale, ku tregoheshin pamje të plazheve bosh në jugun e Shqipërisë, ngjalli shumë debate në vend. Gjatë një takimi të zhvilluar me kryetarët e Bashkive më 17 korrik të këtij viti, kryeministri Edi Rama deklaroi se ky ishte një sulm i organizuar për të goditur turizmin shqiptar.
“Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim e që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Sulmi vjen nga disa anë”, deklaroi Rama.
Nisur nga ky debat, Faktoje bëri një verifikim në zonën e Lungomares dhe në atë të Radhimës më 24 korrik. Në zonën e Lungomares, përpos zonës së plazhit publik, kishte një numër të shtuar të çadrave private.
Vumë re se shumë qytetarë, kryesisht vendas apo pushues të ardhur nga Tirana apo Kosova, kishin zgjedhur të qëndronin te plazhi publik, me çadrat e tyre. Çmimet e shezllongëve në këtë zonë ishin 1 mijë lekë të reja. Sipas pensionistë, kjo shumë është e papërballueshme për ta.
Lungomare, 24 korrik 2024
“Këtë vit sikur janë ngritur çmimet. Këta kanë vënë shumë karrige plazhi, po kush do ulet? Se unë që kam pensionin 110 mijë lekë s’do jap çdo ditë nga 10 mijë lekë”, tha për Faktoje një pensioniste nga Vlora.
Lungomare, 24 korrik 2024
“Në Vlorë çmimet në supermarkete janë të ngritura, të dalë shteti t’i kontrollojë. Çdo gjë është ngritur, edhe perimet, edhe frutat. Sivjet shoh që ka më pak turistë, nuk e di mbase vijnë tani në gusht”, thekson ajo.
Mirëpo, ndryshe nga plazhi publik që ishte i populluar, zonat me çadra private ishin bosh në Lungomare.
“Çmimet janë më të larta. Vjet e kam paguar çadrën 500 lekë, këtë vit 1 mijë ose 1500, dyfish. Këtë vit po më duket më pak turistë se vjet. Shohim shezllonget që janë bosh. Kanë ndikuar çmimet e larta, por edhe propaganda e mediave kundër jugut”, thotë një turist nga Peja.
Lungomare, 24 korrik 2024
Besnik Vathi, tur-operator thekson se asnjëherë jugu i Shqipërisë nuk ka pasur dhe nuk ka në shumicë turistë të huaj dhe kjo ndodh për disa arsye: “Është larg aeroportit të Tiranës. Infrastruktura rrugore në të gjithë jugun, është lehtësuar ndoshta tani me hapjen e tunelit, por prapë është vetëm një tunel, nuk është se është e gjithë rruga e përshtatshme. Si destinacion është larg aeroporteve, në këto kushte turistët e huaj nuk janë dominues në ato zona”.
Lungomare, 24 korrik 2024
Vathi shprehet së është e padrejtë që turizmi shqiptar të përfaqësohet me turizmin e jugut.
Ndërkohë, një prej menxhuesëve të plazheve private në zonën e Lungomares pretendon se turistë ka plot dhe se çmimet janë të lira.
“Janë shtuar çadra më tepër, se këtu është plot me turistë. Mos dëgjoni ata që bëjnë reklamë të keqe, Vlora është perlë. Çmimet janë lirë, shezllong dhe çadër 10 mijë lekë (të vjetra), është normale kjo”, thotë ai.
Në verifikimin që bëmë në terren, konstatuam se edhe në zonën e Radhimës në Vlorë, në një pjesë të mirë të plazhe kishte pak pushues
“10 mijë lekë (të vjetra) këtë vit shezlloni në Radhimë, 5-7 mijë ishin vjet. Turistë nuk po shohim shumë, por kemi frikë të flasim se del Rama dhe thotë po shtrembëroni realitetin”, thotë një pushues në Radhimë.
Radhimë, 24 korrik 2024
Radhimë, 24 korrik 2024
Vathi ngre shqetësimin se çmimet janë të larta në jug dhe se ka pasur rritje krahasuar me një vit më parë.
“Çmimet në jug, po janë të shtrenjta. Një ekonomi individuale që shfrytëzohet vetëm 1 muaj e gjysmë ose 2 muaj atyrshëm që do t’i ketë çmimet e larta. Edhe janë rritur në krahasim me vjet, por nuk janë rritur vetëm në jug, por edhe në Tiranë, edhe në Durrës, por janë rritur edhe jashtë vendit”, sqaron ai.
Sipas tur-operatorit, përmirësimi i infrastrukturës në jug do të sillte një përmirësim të cilësisë së turizmit, por do ndikonte edhe në uljen e çmimeve.
“Nëse do të fillojë aeroporti i Vlorës vitin që vjen dhe nëse do të përmirësohet më shumë edhe infrastruktura rrugore, atëherë çmimet në jug do të fillojnë të ulen, sepse të huajt do të drejtohen në atë zonë, do të lidhin kontrata 4-5 mujore në atë zonë dhe ai hotel që punonte për 2 muaj dhe mundohej të rezistonte me çmime të larta, tani do të fitojë shumë më shumë me 5-6 muaj dhe me çmime shumë më të lira”, argumeton Besnik Vathi.
Sa shtetas të huaj hynë në qershor 2024?
Ritmet e rritjes së hyrjeve të shtetasve të huaj në vend në muajin qershor janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm, raporton Monitor.
Sipas të dhënave nga INSTAT, në qershor hynë gjithsej 1.24 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 23.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viit më parë.
Një muaj më parë, në maj, hyrjet e të huajve ishin rritur me 38%. Rekordin për këtë vit e mban shkurti, me një zgjerim prej 55%. Për periudhën janar- qershor, hyrjet e shtetasve në vend janë rritur me 34%, nga 38% që ishte zgjerimi për 5 mujorin.