EDIT NIKOLLI
Ministrja e Arsimit Evis Kushi është shprehur se këtë vit, universitetet kanë përformancën e zhvillimit të procesit mësimor online më të mirë se vitin e kaluar. Pak ditë pas kësaj deklarate, Komiteti i Ekspertëve njoftoi shtyrjen pa afat të mësimit online, për shkak të pandemisë. Por studentët kërkojnë hapjen e auditorëve dhe fillimin e mësimit fizik, për të mos thelluar më shumë mangësitë e krijuara për shkak të mësimit në distancë. Nga ana tjetër, shumë studentë i gjen të grumbulluar nëpër lokale, pa maska e pa distancë.
“Për shkak të përvojës së krijuar tashmë dhe masave të ndërmarra, universitetet po performojnë më mirë në krahasim me semestrin e dytë të vitit të kaluar akademik”. – u shpreh më 18 janar, Ministrja e Arsimit Evis Kushi në një takim me rektoret e universiteteve.
Por studentët e pyetur nëse janë të kënaqur me mësimin online, shprehen të pakënaqur, me arsyetimin se hasin vështirësi në në këtë proces.
R.M, student në vitin e tretë, Universiteti i Ekonomisë në Tiranë thotë për Faktoje:
Si student i ekonomisë, mësimi online dihet së është shumë i vështirë, gati i pamundur sa i përket të kuptuarit, por ka edhe probleme të tjera, siç është internet. Në pamundësi të aksesit të tij në shtëpi, mësimet i ndjek me telefon dhe kështu është shumë e kushtueshme.
O.T që sudion për “Psikologji” viti i dytë, Universiteti i Shkencave dhe Edukimit, Luigj Gurakuqi Shkodër, thotë:
“Mësimi online nuk funksionon, sado të mundohemi, jemi gjithë ditën para telefonit dhe niveli i të kuptuarit të mësimit është i ulët. Një veshtirësi tjetër është se në shumë raste ndodh bllokimi i platformës dhe shumë herë e humb orën e mësimit”.
V.P studion për “Juridik” në vitin e parë, Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës:
“Unë jetoj në periferi dhe kam shumë probleme me internetin, nuk arrij të kuptoj mësimin për arsye se shumë herë kam shkëputje të internetit, kemi vetëm leksione që na i dërgojnë në platformën “Moodle”. Librat na duhet t’i marrim në disa biblioteka në Tiranë. Ne të vitit të parë e kemi akoma më të vështirë, duhet të jemi në auditorë fizikisht, sepse kështu është e pamundur”.
D.I, studion për infermieri të përgjithshme, viti i tretë, Universiteti i Shkencave dhe Edukimit, Luigj Gurakuqi në Shkodër thotë:
“Unë jam nga Miloti, këto kohë kemi pasur probleme me dritat me orar të zgjatur dhe nuk kam mundur ta ndjek mësimin për një javë, ne duhet të bëjmë praktikë në degët që kemi. Në fillim na patën thënë se praktikën do ta zhvillojmë tek qendrat shëndetësore të qyteteve përkatese, duhet të kemi një vërtetim nga universiteti, por ende nuk na kanë lajmëruar se çfarë do bëjmë”.
Më 21 janar Komiteti Teknik i Ekspertëve lajmëroi shtyrjen pa afat për vijimin e mësimit online të universiteteve, pas shkak të situatës nga covid-19.
“Situata në Shqipëri, nga data 6 deri në 18 janar, është paraqitur me një rritje të incidencës dyjavore. Më mbledhjen që kemi zhvilluar, menduam se edhe mësimi në universitet të vazhdojë online. Po ashtu edhe ndenjja në konvikte e shton shumë rrezikun e infeksionit dhe mundet që konviktet të shënderohen në vatër infeksioni” -u shpreh zonja Mira Rakacolli.
Vlerësimi i Situatës Epidemiologjike, 21 janar 2021
Por mbyllja e auditorve nuk e ka shmangur grumbullimin e të rinjve duke thyer madje, edhe rregullat e distancimit social.
Këtë e pranojnë edhe vetë studentët.
“Shumicën e rasteve mblidhemi me shokët dhe dëgjojmë leksionet. Edhe pse auditorët nuk janë hapur, ne jemi takuar dhe kemi diskutuar për temat e mësimit. Personalisht nuk më duket e arsyeshme që universitet të vazhdojnë të mbyllura, kur në lokale ka plot të rinj, të paktën ta provonin një muaj dhe me mësim të kombinuar siç ishtë parashikuar më hërët”- thotë studenti i R.M.
Të rinj të grumbulluar dhe të padistancuar afer universiteteve, 22 janar 2021, Tiranë
Të rinj të grumbulluar dhe të padistancuar afer universiteteve, 22 janar 2021, Tiranë
Të rinj të grumbulluar dhe të padistancuar afer universiteteve, 25 janar 2021, Tiranë
Erion Dasho, mjek epidemiolog jep këtë opinion për Faktoje lidhur me situatën:
“Problemi më i madh në Shqipëri ka qënë marrja e masave të pjesshme. Për shembull, mbyllja e shkollave ka kuptim kur është masë plotësuese. Por në kushtet kur janë lënë hapur klubet dhe restorantet, ndërkohë që mbyllen shkollat, kjo masë humbet kuptimin dhe efektshmërinë”.
Aktivisti i shoqërisë civile Rigels Xhemollari në një intervistë televizive, shprehu pakënaqësitë për mësimin online, duke theksuar se teknologjia në Shqipëri nuk është funksionale, në krahasim me vendet e tjera:
“Sigurisht kemi vende të tjera si Italia, Portugalia, Gjermania ose e kanë lejuar universitetin të hapur ose e kanë lënë online, këto vende investimi në universitete është bërë para se të ndodhte pandemia dhe mësimi online është prej 20 apo 25 vjetësh, pra nuk është një gjë e re për to. I vetmi vend ishim ne që na gjeti të papërgatitur pandemia, pasi nuk kemi pasur investime as në shkolla as në universitete dhe për sa i përket digjitalizimit të klasave”.
Po ashtu dhe “Sindikata e Universiteteve të Shqipërisë” i ka bërë thirrje qeverisë dhe ministrive duke kërkuar kthimin sa më shpejt të studentëve në auditorë, si domosdoshmëri për shpëtimin e këtij vitit akademik dhe shmangien e mangësive të e konsiderueshme që ndikojnë në formimin e studenteve.
Edhe në artikujt e shkruar më herët nga “Faktoje” për mësimin online të universiteteve, ka rezultuar se një pjesë e mirë e studentëve, nuk mund ta ndjekin atë, sepse hasin vështirësi, sfida dhe pakënaqësi në zhvillimin e procesit mësimor.